Kështu flet tezja

Nuk e kishte të lehtë rrugën, por përherë prizmin optimist, pra nuk e merrte aq seriozisht as jetën as veten. Kjo duket edhe sot, për shembull, në mënyrën se si ec: lehtas, sikur nuk shkel fare mbi tokë, ashtu duken ata që s’kanë barrë ose dijnë t’a mbajnë pa u diktuar nga tjerët. Edhe në këto shtatëdhjetë e kusur vitet e saj kalon fluturimthi, këmba-këmbës…i them se mund t’u japë leksione atyre në Fashion channel se si si hapërohet nëpër vijën e imagjinuar para vetes, pa atë lëkundjen e tyre artificiale në sfilatat e modës.       
Përgjithësisht mënyra si si ecim flet pa fjalë për mënyrën se si ndihemi, përbën një aspekt të rëndësishëm të komunikimit joverbal. 

…Jetonin në shtëpizë, s’ishte e vjetër por e bërë hë për hë, gjyshi e kishte ndërtuar sa për pleqëri, dhe kur disa vjet pas vdekjes së tij tezja me familjen u shpërngul aty, bimët e egra kishin vërshyer kopshtin dhe brenda vinte ajo erë që merr shtëpia pa njerëz. Futën ngrohtësinë, një ritëm të hareshëm…Jetonim në një mahallë dhe për çdo ditë kur shkoja dëgjohej zëri i saj se si këndon bashkë me radion që punonte pandalë. Ende më del para syve fotografia tipike: tezja e ulur përtokë me këmbë të zgjatura, mbi prehër derdhur ndonjë copë që e qep, këndon duke lëvizur herë pas here kokën dhe gjithë kohës mban me njërën këmbë ritmin e melodisë…Qepte artistikisht, në raste speciale më pëlqen ta vesh pallton e kuqe të nënës që ajo ia paska qepur me ditë të tëra, çdo vijë dhe çdo detaj, përfshirë dhe vrimat e kopsave, e punuar me përkushtim, kryevepër. 

…Tezja ime më e dashura, me koeficient të lartë, me sens të stërhollë për humor…Me etje për jetë, prandaj e jetonte më së miri që dinte. Ashtu edhe sot. 
Shumë e donte të shoqin, më kujtohet edhe shikimi i tij, një përputhje ndjenjash sikur të ishin vetëm dashnorë. Ishte konsultantja e tij kryesore, pasi kishte prirje të thjeshtësonte problemet për të arrirë tek thelbi, pas kësaj vendimmarrja është çështje teknike.

…Pas vdekjes së tij tezja nuk bezdisi askënd me pikëllimin e vet, as me fjalë as me rrezatim, më kujtohet se vetëm javët e para e kishte shikimin e fikur. 
Si fetare e vërtetë e dinte se zia e gjatë është mëkat.

…nga ajo kam mësuar se sa më shumë që bën diçka aq më shumë të bëhet. Sa më shumë ha – aq më shumë të hahet, sa më shumë punon – aq më tepër puna të kënaq. Sa më shumë shetit – aq më pak të rrihet në shtëpi, të rri mendja gjetiu. Më shumë flen – më shumë të flehet ..Tezja thotë se gjumashët ndihen keq, prandaj ikin në gjumë. Dhe s’bën ai vend ku njerëzitë çohen vonë. 

…tezja thotë se buzëqeshja është sadaka. Nëse nuk mundesh më shumë se kaq, të paktën buzëqeshu, sa për tjetrin aq për ty vetë. 
Një gjë e shtrenjtë që s’kushton hiç.

…problemi me martesat e sotme është se bëhen dy burra në shtëpi, kështu tezja e kupton emancipimin. Njëri duhet të jetë më kryesor se tjetri dhe kur thotë “njëri” dihet çka nënkupton. 
Demokracia është bashibozuk. 
Divorcet, sipas saj, ndodhin kollaj sepse të rinjëve më nuk u vjen turp, por edhe për shkak se nënat i mbështesin shumë vajzat e veta, a vajzat e sotme janë të lazdruara.  
Tezja mendon se edhe orarin e dashurisë nuk e kemi sagllam: e stërzgjasim dashurinë para se të merremi, pranda shpejt nisin zënkat se fjalët e ëmbla i harxhojmë “rrugëve”.

…e ka edukuar djalin e saj më shumë me model personal e më pak me fjalë…mënyra se si Kiski e menaxhon familjen e vet, duke u mbeshtetur më shumë në raportet tradicionale se ato të vetmet e kanë dhënë provimin e kohës, është shembullore për familjen e gjerë.
Nusja është bashkëkohore, punon dhe fiton mjaft, e njeh teknologjinë, dëgjon muzikë të mirë, ka sens biznesi.
Ama traditën e ka para së gjithash.
Burrin e sertë, zëri i tij dominon mbi zërat tjerë aty.
Me çfarë shikimi ajo e shikon, çdoherë më bën përshtypje.
Dhe emrin i’a përmend sikur posa e ka njohtuar, sikur posa ka nisur t’a dashurojë.
E bukur duket kjo martesë.
Në këtë pikë janë unanimë të moshuarit dhe të rinjtë e famijes së gjerë. 

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autorja, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button