Komuna e Butelit nuk ka mjete për shkolla por ka për kryqe

Komuna e Butelit ka sjellë vendimin  që në hyrje të saj të vendos një Kryq në gjatësi prej 55 metra. Propozimi deri tek Këshilli i komunës ka ardhur nga ana e Kongresit Maqedonas. Kryqi do të vendoset në rrethrrotullimin në hyrje të komunës.

Banorët e kësaj komune e sidomos ata shqiptarë shprehen të revoltuar, duke thënë që investimet në pjesën ku jetojnë shqiptarët nuk realizohen fare, kurse vendoset një kryq i cili për mendimin e tyre është i panevojshëm.

“Po të vini në lagjen e Vizbegut do të shihni tmerr, rrugë të pa asfaltuara, kaos në trafik si dhe ne ende nuk kemi shkollë shqipe, nxënësit duhet të udhëtojnë deri në komunën e Shuto Orizarës për të ndjekur mësimin”, tha A.T., banor i Vizbegut.

“Njëherë ndërtuan kishën, kundër saj nuk kemi asgjë, ne bashkëjetojmë me maqedonas dhe kemi marrëdhënie të mirë, mirëpo kjo është e tepërt, të ndërtohet kryq, kurse fëmijët të lihen pa shkollë, kjo nuk bën, arsimimi është në rend të parë”, tha R.T., banor i vizbegut.

Gjithashtu edhe banorët e Lubetenit shprehën të pakënaqur me këtë vendim, duke thënë se ku ishin këshilltarët shqiptarë, pse nuk ndahen mjete për investime në shkollat shqipe.

“Ne kemi këshilltarë në komunë, ku janë ata? Apo ju mbushin gushën dhe kanë interes që të bëhen diskriminime të këtilla. Shkolla jonë këtu nuk është prekur asnjëherë nga komuna, investimet janë bërë nga vetë banorët. Tani presim nga MASH të investojë, është në gjendje të mjerueshme. Nuk kemi asgjë kundër fesë, këtë ta bëjmë të qartë mirëpo ne me vite kërkojmë investime, paraqesim projekte dhe na rrefuzohen, pse? Veç pse jemi shqiptarë?”, tha R.R., banor i Lubetenit.

Ndërkaq nga komuna e Butelit para dy viteve thanë se nuk kanë fonde për ndërtimin apo rindërtim të ndonjë shkolle.

“Faza për ndërtimin e objekteve shkollore në këtë fshat është në fazën e detajizimit urban dhe së shpejti pritet të përfundojë, mirëpo ne jemi duke ndërtuar shkollën ‘Zhivko Brajkovski ‘ në lagjen e Butelit e cila parashikohet të përfundojë në shtator të këtij viti. Komuna fatkeqësisht nuk ka kapacitet që të ndërtojë dy objekte shkollore në të njëjtën kohë”, tha, Snezhana Klinçarova, zëdhënëse e komunës së Butelit.

Kurse edhe pas dy viteve kjo Komunë nuk ka ndërmarrë asgjë për investimin e dy shkollave shqipe.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button