Miratohet data e re e zgjedhjeve në Maqedoni, 5 qershori

Me 73 vota pro, asnjë kundër, dhe 7 abstenime, fillimisht Kuvendi i Maqedonisë votoi ndryshimet e Kodit Zgjedhor, që zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbahen më 5 qershor të këtij viti. Për datën e re votuan deputetët e VMRO DPMNE-së dhe BDI-së, deputetët e PDSH-së votuan të abstenuar, ndërsa LSDM-ja nuk votoi fare.

Kuvendi i Republikës së Maqedonisë me 83 vota për, 3 kundër dhe 0 të përmbajtur, votoi vednimin për shpërbërjen e Kuvendit me datë 7 prill, 2016. Parlamenti  do të shpërndahet 60 ditë para zgjedhjeve.

votat

Deklarata e kryetarit të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevskit:

“Të nderuar qytetarë, në këtë moment janë realizuar të gjitha kushtet për mbajtjen e zgjedhjeve fer dhe demokratike për më 24 prill 2016, këtë e ka të qartë çdo njeri, ashtu siç e ka të qartë edhe atë se pse LSDM nuk do të që të shkojmë në zgjedhjet e 24 prillit, të gjithë i kanë të qarta arsyet. Pas analizave dhe konsultimeve Komiteti Ekzekutiv i VMRO-DPMNE-së, ka marrë vendim që zgjedhjet të shtyhen më 5 qershor, jo për shkak të LSDM-së, por që të mos keqkuptohemi nga  një pjesë e qytetarëve dhe të keqpërdoremi nga të gjithë ata që nuk ia duan të mirën Maqedoninë”, u shpreh në konferencë për shtyp kryetari i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, në lidhje me shtyrjen e datës së zgjedhjeve nga 24 prilli më 5 qershor 2016, njofton Portalb.

Sipas tij, përfaqësuesit ndërkombëtarë i kanë premtuar:

  • Ky do të jetë prolongimi i vetëm dhe nuk do të ketë prolongim tjetër.
  • Deri në zgjedhjet, nuk do të ketë bisedime të lloj-llojshme për organizimin e zgjedhjeve, sepse KSHZ-ja do të ketë kohë të mjaftueshme për pastrimin e Listës Zgjedhore.
  • Nuk do të ketë kushte të reja për mbajtjen e zgjedhjeve më 5 qershor duke përfshirë edhe ligjin për mediumet.
  • Nuk do të ketë vlerësime se vendi a është i gatshëm apo jo për zgjedhje nga ana e BE-së dhe SHBA-së.

Gruevski shtoi se kanë marrë premtim të fuqishëm nga BDI se ata qëndrojnë fortë pas vendimit se do të marrin pjesë në zgjedhjet e 5 qershorit, me ose pa LSDM-në, njofton Portalb.

“Me këtë prolongim u japim gjasë të fundit që të dalin në zgjedhje. Ata që vlerësojnë se VMRO-DPMNE ka bërë shumë kompromis, du t’i porosis se është bërë për popullin tonë dhe nga fuqia e popullit”, shtoi Nikolla Gruevski.

Deklarta e kryetarit të LSDM-së, Zoran Zaevit:

Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev tha se LSDM do të merr pjesë vetëm në zgjedhje të drejta, të lira dhe demokratike në të cilat kjo parti do ti pranojë dhe do ta merr përgjegjësinë e dhënë nga qytetarët, por nuk e tha datën e zgjedhjeve.

Ai tha se Nikolla Gruevski me shtyerjen e datës së zgjedhjeve ka pranuar humbjen dhe se frikësohet nga zgjedhjet sepse do ti humb ato. Sipas Zaevit, Gruevski e dëshmoi se nuk ka kushte për zgjedhje të lira më datë 24 prill dhe se ka tentuar ta mbulojë krimin e tij dhe familjes së tij duke i bërë dëm Maqedonisë duke e shkelur marrëveshjen e Përzhinos në të njëjtën kohë.

“Para një ore VMRO, tha se nuk do të lëviznin nga data 24 prill, por asgjë më nuk varet nga Gruevski. Sonte u konfirmua. A ju thashë? Ja ndodhi. Asgjë më nuk varet nga Nikolla Gruevski. Në Maqedoni do të ketë zgjedhje të lira dhe demokratike me listë të pastruar zgjedhore dhe refoma për media të lira në të cilat të gjithë qytetarët do të jenë të lirë të marrin pjesë. Në Maqedoni duhet të zgjidhet qeveri e re me legjitimitet të plotë për ti zgjidhur të gjitha problemet serioze dhe për ta kthyer Maqedoninë në rrugën evropiane. Vetëm në zgjedhje të drejta LSDM do ta merr përgjegjësinë e dhënë nga qytetarët. Ndryshimet po vinë vetëm me zgjedhjet e lira, të drejta dhe demokratike ku fitues do të jenë qytetarët, LSDM dhe vlerat evropiane.” tha Zaev.

Deklarata e mbasadorit të SHBA-së në Maqedoni, Xhes Bejli

Ambasadori i SHBA-së në Maqedoni, Xhes Bejli, pas arritjes së marrëveshjes për prolongimin e datës së zgjedhjeve, tha se vendimi për shtyrjen e zgjedhjeve për 5 qershor është hap i mirë, ndërkaq potencoi se nëse të gjithë punojnë me përkushtim dhe sipas të rregullave, zgjedhjet mund të jenë të kredibile dhe t’i sjellin fund kësaj krize politike.

Duke u përgjigjur në pyetje të gazetarëve, se çka nëse njëra nga partitë i bojkoton zgjedhje, ai tha se qëndrimi i tyre është se të gjitha partitë duhet të marrin pjesë në zgjedhje.

Në pyetjen se a është e vërtetë se për mediumet farë nuk është biseduar, Bejli tha se reformat dhe liria e mediumeve janë prioritare dhe me rëndësi të madhe për zgjedhjet.

“Reformat në mediume qëndrojnë si pjesë shumë e rëndësishme, jo vetëm për kohën e zgjedhjeve, por edhe për prioritetet reformuese të Bashkimit Evropian. Mediumet dhe rrethi mediatik do të vlerësohen varësisht nga ajo se si i kanë mbuluar në hapësirën e tyre këto zgjedhje të rëndësishme. Të gjithë ju e keni nënshkruar Kartën Etike për atë se si do të raportoni gjatë kohës së zgjedhjeve, dhe mendoj që në fund më e rëndësishme do të jetë se si ju vet do ta kryeni detyrën dhe do t’u ndihmoni qytetarëve të Maqedonisë të informohen dhe ta shohin diversitetin e plotë të pikëpamjeve”, tha ambasadori Bejli.

Ambasadori amerikan e lavdëroi punën e Bashkimit Evropian në bisedimet dhe tha se bashkëpunimi mes BE-së dhe SHBA-së në këtë proces ka qenë mjaft i rëndësishëm.

Bashkë me të, përpara Info-Qendrës së BE-së, kanë qenë edhe eurodeputeti, Riçard Hovit dhe zëvendësambasadori i BE-së në Maqedoni. /Portalb

LEXO: Johanes Han e komenton arritjen e marrëveshjes për prolongimin e zgjedhjeve

LEXO: Hovit me porosi për partitë politike pas arritjes së marrëveshjes për prolongimin e zgjedhjeve

LEXO: Ja çfarë tha Gruevski për prolongimin e zgjedhjeve më 5 qershor

LEXO: Zaev: Ndryshimet janë afër me zgjedhje të lira dhe demokratike

LEXO: Bejli: Për zgjedhje demokratike më 5 qershor duhet përkushtim

LEXO: Ahmeti komenton 5 qershorin si datë të rëndësishme

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button