ANALIZË: Shpenzimet parazgjedhore marrin hov, qeveria shpallësi më i madh!

Shpenzimet parazgjedhore marrin hov. Qeveria edhe më tutje është shpallësi më i madh, mirëpo një pjesë e ministrive dhe e agjencive që disponojnë me buxhetet më të mëdha, ofrojnë edhe më pak inoformata në shpalljet dhe publikimet e tyre. Madje 73 për qind e shpalljeve shtetëtore nuk përmbajnë informata financiare. Këto janë vetëm një pjesë e konstatimeve në Raportin më të ri të janarit për shpenzimet parazgjedhore, të cilin e përgatiti Qendra për analiza ekonomike, njofton Portalb.

Rritje e shpenzimeve për rroga, mallra dhe shërbime…

Madje tre të katërtat e shpalljeve në janar janë bërë nga qeveria, tregon Raporti për ndjekjen e shpenzimeve buxhetore në periudhën parazgjedhore dhe zgjedhore, të cilin e përgatitën Qendra për analiza ekonomike dhe Transparency interntational.

“Një numër dominant, gjegjësisht tre të katërtat e shpalljeve në këtë muaj janë bërë nga Qeveria e RM-së. Në krahasim me muajin dhjetor, numri i shpalljeve të shfrytëzuesve të buxhetit është zvogëluar dukshëm, ndërsa numri i shpalljeve nga Qeveria e RM-së ka mbetur pothuajse i njëjtë në krahasim me periudhën paraprake të raportimit”, thuhet në analizë.

Trendi i shpenzimit të shtuar është regjistruar që nga tremujori i tretë i vitit të kaluar, kur vërehet rritje e konsiderueshme e shpenzimeve për mallra dhe shërbime, transfere dhe rritje e buxhetit për rroga.

“Nga të dhënat e analizuara për rrogat dhe kompensimet për vitin 2015, është interesant të përmendet konstatimi se rritja e shpenzimeve për rroga dhe kompensime, veçanërisht në tremujorin e tretë të vitit 2015, është më e larta po të krahasohet me një periudhë më të gjatë paraprake (duke filluar nga viti 2008), edhe pse trendi i rritjes së tyre fillon diku nga mesi i vitit 2013. Poashtu, është interesant të potencohet konstatimi se rritja e shpenzimeve për rroga dhe kompensime, veçanërisht në tremujorin e tretë të vitit 2015, është më e larta gjatë gjithë periudhës së mbikëqyrur, duke filluar nga viti 2008”, konstatojnë nga QAE dhe Transparency international.

Sipas analistëve, rriten shpenzimet parazgjedhore, mirëpo jo edhe transparenca në shpallje. Vetëm 5% nga numri i përgjithshëm i shpalljeve shtetërore përmbajnë analizë dhe sqarim të aktiviteteve të planifikuara ose të realizuara që janë temë e shpalljes. Vetëm një pjesë modeste e shpalljeve ose 12% në muajin janar 2016, përfshijnë informata për burimet e mjeteve, ndërsa vetëm 10 % e shpalljeve përmbajnë të dhëna për programet/strategjitë/planet, në bazë të të cilave e paralajmërojnë ose e realizojnë projektin e publikuar.

Një numër i vogël i shpalljeve të qeverisë dhe i shfrytëzuesve të buxhetit përmbajnë të dhëna financiare për investimet e bëra, të planifikuara ose për shpalljet në të cilat paralajmërohet ndonjë investim i ri, ndërsa qeveria ka më së shumti shpallje nën 30%. Ato edhe më pak përmbajnë elaborim analitik të aktiviteteve të planifikuara/të realizuara. Një pjesë modeste e shpalljeve përfshijnë informata për burimet e mjeteve, si dhe për programet/strategjitë/planet në bazë të të cilave e paralajmërojnë ose e realizojnë projektin e publikuar. Dukshëm është zvogëluar numri i shpalljeve të përgjithshme në ueb-faqet e shfrytëzuesve të buxhetit”, thuhet në raportin e janarit.

Një pjesë e ministrive dhe e agjencive që disponojnë me buxhetet më të mëdha, kanë edhe zvogëlim më të madh sa i përket publikimit të informatave të plota.

“Ministria për Bujqësi, Pylltari dhe Ekonomizim me ujërat dhe Agjencia për mbështetje financiare të bujqësisë dhe zhvillimit rajonal, në asnjërën nga shpalljet e tyre nuk kanë përfshirë të dhëna financiare, informata dhe analitikë për aktivitetet e publikuara. Ndërsa, Ministria për Punë dhe Politikë Sociale dhe Ministria për Transport dhe Lidhje, madje në 80% të shpalljeve nuk kanë dhënë konstruksion financiar dhe të dhëna të tjera kuantitative dhe kualitative për aktivitetet e paralajmëruara”, thonë nga QAE dhe Transparency international.

Këto dy institucione paralajmëruan se në këtë periudhë të zgjedhjeve, në bazë të metodologjisë do t’i ndjekin shpenzimet nga buxheti shtetëror, nga ana e autoriteteve lokale dhe ndërmarrjeve publike.

“Në qoftë se ka rritje të subvencionimit të kamatave, subvencionimit të kategorive të prekshme të qytetarëve, qëndrimit falas në banja, etj. nuk do të futemi në pjesën e legjitimitetit për vendosjen e politikës së tillë, por fokusi ynë do të jetë në atë se a është planifikuar kjo në buxhetin e RM-së, apo është zgjidhje “ad-hoc”, e cila më tutje do të çojë në zvogëlimin e diciplinës financiare”, deklaroi Marjan Nikollov, nga Qendra për analiza ekonomike.

Në ciklet e deritanishme zgjedhore, sipas Sllagjana Tasevës, nga TI, kemi pasur shembuj të shumtë kur janë konstatuar parregullsi, veçanërisht në pjesën e financimit të partive politike, mirëpo këto raste nuk ka përfunduar me zgjidhje përfundimtare.

“Nga përvoja e deritanishme tashmë e pamë se raportet e partive politike gjithmonë janë në pëputhje me ligjin. Kanë shpenzuar aq sa ka qenë e paraparë, ndërsa mbikëqyrjet tona tregojnë se ato shpenzojnë më shumë dhe se shpesh herë paraqiten financime nga burimet e paparaqitura ose donacionet që nuk paraqiten si të tilla”, vlerëson Sllagjana Taseva, kryetare e Transparency international Maqedoni.

Praktika e deritanishme tregon se në çdo vit zgjedhor rritet edhe ngarkesa me borxh, gjegjësisht deficiti i planifikuar buxhetor nuk arrin ta durojë presionin nga procesi zgjedhor, kur ka rritje të shpenzimeve. Në bazë të të dhënave të fundit që i publikoi zëvendës-ministri plotësues për financa, Kire Naumov, në periudhën prej janarit deri në mes të shkurtit, deficiti buxhetor është afruar në 30% të deficitit të planifikuar për këtë vit. /Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button