Italia mbështet planin për “rrethimin” e Lazaratit

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi, zhvilloi një takim me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë Italiane, Alessandro Pansa dhe delegacionin e kryesuar prej tij. Në këtë takim mori pjesë dhe Ambasadori i Italisë në Shqipëri, Massimo Gaiani. Po ashtu të pranishëm ishin dhe drejtues të tjerë të Policisë së Shtetit.

Në qendër të këtij takimi, ishte fuqizimi i mëtejshëm i bashkëpunimit ekzistues ndërmjet policive të të dy vendeve, si dhe mbështetja e mëtejshme përmes projektesh konkrete nga Policia Italiane për Policinë Shqiptare.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, duke falënderuar Policinë Italiane për mbështetjen e vazhdueshme dhënë Policisë së Shtetit, evidentoi dhe kontributin e çmuar, të Policisë Italiane që prej viti 1991, si në drejtim të forcimit të kapaciteteve të strukturave policore, në mbështetjen me logjistikë, në realizimin e një sërë trajnimesh për personelin policor të shërbimeve të ndryshme, si dhe në fushën operacionale.

Po ashtu Didi evidentoi dhe prioritetet e Policisë së Shtetit për këtë periudhë si: lufta kundër krimit të organizuar, lufta kundër krimit ekonomiko-financiar, si dhe lufta kundër korrupsionit, ku në fokus të kësaj veprimtarie është dhe goditja e korrupsionit brenda radhëve të policisë.
“Synimi është përmirësimi i shërbimit të ofruar ndaj qytetarëve, duke ngritur një shërbim policor që mendon për to dhe prioritare të punës së saj ka qytetarët”, u shpreh Didi.

Ndërkohë Pansa, garantoi mbështetjen e Policisë Italiane për Policinë Shqiptare, duke realizuar dhe projekte konkrete në fushat prioritare për Policinë Shqiptare, të cilat u evidentuan gjatë këtij takimi si: forcimi i kapaciteteve në luftën kundër krimit të organizuar, pastrimit të parave, krimit ekonomiko-financiar, kontrollin e kufirit, si dhe sigurinë rrugore.

Në përfundim të takimit Didi dhe Pansa dhanë një prononcim për mediat ku evidentuan qëllimin e vizitës së delegacionit të Policisë Italiane në Tiranë, rezultatet e bashkëpunimit mes dy policive dhe fushat ku do të intensifikohet bashkëpunimi dhe më tej në të ardhmen.

Lidhur me interesimin e gazetarit, mbi misionin Pameca IV, qëllimin e takimit, punën e bërë nga policia për goditjen e trafikut të narkotikëve, si dhe planet e policisë për Lazaratin, Didi thekso se “Pameca 4 është një mision i Bashkimit Europian, një mision që monitoron dhe mbështet policinë shqiptare sidomos në fushën e infrastrukturës ligjore, por edhe në mbështetjen e saj në trajnimet e ndryshme që do të zhvillojë, në mbështetje me logjistikë dhe me ekspertizë në fusha të ndryshme të policisë”.

“Në kuadër të vizitës së Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë Italiane, i cili erdhi për shkak të ceremonisë të PAMECA IV, gjetëm kohën që të diskutojmë edhe në bashkëpunimin dypalësh. Konfirmuam edhe njëherë që ky bashkëpunim ka qenë i shkëlqyer dhe është nga bashkëpunimet më të hershme, që ka filluar që në vitin 1991 dhe që do të vazhdojë me intensitet më të lartë, sidomos në forcimin e luftës kundër krimit të organizuar dhe trafikut të lëndëve narkotike. Patjetër që në këtë sfond, në këtë tematikë, Lazarati është gjithmonë i përmendur dhe i trajtuar. Planet po bëhen, janë në zhvillim e sipër, dhe aktualisht në zonën e Gjirokastrës, apo edhe në zona të tjera të Shqipërisë, këtë po e provojnë rezultatet e larta, që janë në bllokimin e lëndëve narkotike. Pothuajse në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, patjetër dhe në Lazarat, janë duke u forcuar masat e policisë për ta kufizuar këtë trafik dhe më pas do të shikojmë masa më të thella”, tha Didi.

Lajme të ngjashme

Back to top button