Për herë të parë falsifikohet frangu zviceran – në Gjilan

Kishin gjetur mënyrën më të lehtë për t’u pasuruar shpejt. Thjesht, kanë hapur një ‘fabrikë” parash dhe “biznesi” nuk është që nisi keq, por nuk zgjati edhe aq shumë.

Dy të rinjtë me inicialet L. S. (1991) e F. O. (1990) punonin bashkërisht. Njëri prodhonte franga zvicerane të falsifikuara e tjetri i vinte ato në qarkullim, por të dytë, njeri nga komuna e Gjilanit e tjetri nga ajo e Vitisë, janë arrestuar dhe tashti pritet të dalin para drejtësisë.

Ideja nuk ishte aq origjinale sepse këso “fabrikash” për falsifikim parash janë hapur shumë kohë më parë, edhe në vende tjera, por origjinaliteti i tyre ishte se ndryshe nga të tjerët që zakonisht falsifikojnë monedhat euro e USA dollarë, këta ishin përcaktuar për të falsifikuar m’u frangun zviceran, që dallohet me shenjat e sigurisë që e bëjnë gati të pamundshëm falsifikimin e tij.

Megjithatë, nuk shkoi shumë dhe biznesi i tyre me paratë false ra në sy të Policisë menjëherë pas paraqitjes së rasteve të para të frangave false në treg, që ishte befasi jo vetëm për viktimat, në këtë rast qytetarët, por edhe për hetuesit policorë që u angazhuan në identifikimin dhe kapjen e personave që i shpërndanin ato.

Pas një hetimi intensiv dhe efikas të udhëhequr nga Njësiti Kundër Krimeve Ekonomike nga Shtabi Qendror i Policisë së Kosovës, i cili vepron në Gjilan, janë identifikuar dhe një ditë më parë, në një shtëpi në rrugën “Adem Jashari” në qendër të qytetit, janë arrestuar dy të dyshimtit. Ata janë L.S., i lindur më 1991 nga Livoçi i Epërm i Gjilanit dhe, F. O., i lindur më 1990 nga Sadovina e komunës së Vitisë, të cilët dyshohet se kanë falsifikuar kartëmonedha të frangave zvicerane.

Siç ka theksuar togeri Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë së Kosovës për Rajonin e Gjilanit, dy të dyshimtit janë shoqëruar në stacionin policor dhe janë marrë në pyetje, në prani të avokatit mbrojtës, lidhur me dyshimet e bazuara se në bashkëveprim kanë kryer veprën, prodhimin dhe vënien në qarkullim të parave të falsifikuara. Pasi është hapur lënda e cila ndërkohë do të plotësohet me gjetje tjera gjatë hetimit të këtij rasti, me vendim të Prokurorit të Shtetit që të dy janë ndalur në mbajtje në afat prej 48 orësh, ndërkohë që rasti mbetet nën hetime të mëtejshme për mundësinë e përfshirjes edhe të personave tjerë në këtë rast.

Sipas policisë, kjo është hera e parë që dikush kapet sepse dyshohet të ketë falsifikuar franga zvicerane. Togeri Hashani ka thënë se në të kaluarën ka pasur raste kur janë kapur persona që falsifikuan dollarë amerikanë por edhe euro, kurse një rast i tillë si ky më i riu me frangat e Zvicrës, është ndër të rrallët.

“Te të dyshimtit janë zënë mjete konkrete që janë konfiskuar si dëshmi materiale, por nuk ka shënime se sa është shuma që u është zënë, apo dhe vendi se ku janë prodhuar ato”, ka thënë togeri Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë së Kosovës për Rajonin e Gjilanit. Sipas tij, të dyshimtit po merren në pyetja dhe hetimet shumëçka do të qesin në pah dhe besohet se që të dy janë përgjegjës për veprat që i kanë kryer.

Në bazë të hetimeve të deritashme, është mësuar se njëri nga të dyshimtit ishte “prodhuesi”, përkatësisht falsifikatori i parave, derisa tjetri ka qenë i angazhuar që ato para t’i vërë në qarkullim.

I pyetur për rastet e falsifikimit të kartëmonedhave, togeri Hashani ka thënë se shumë nga këto raste ia kanë dalë që t’i izolojnë dhe, sipas tij, ndonëse janë izoluar në masë të madhe, kohë pas kohe ka raste kur raportohet për para të falsifikuara, të cilat nuk do të thotë se prodhohen në Kosovë, sepse rrjeti i falsifikatorëve është shumë më i gjerë, me shtrirje rajonale dhe më tej.

Zëdhënësi Hashani ka kërkuar nga qytetarët që të jenë të kujdesshëm dhe që të mos bien pre e mashtruesve të tillë. Sidomos të jenë të kujdesshëm kur bëhet fjalë për shuma të mëdha të të hollave, pa marrë parasysh, janë euro, USA dollarë apo edhe franga të Zvicrës që, siç u pa, megjithatë mund të falsifikohen.

Lajme të ngjashme

Back to top button