Qeveria anti-njeri

Maqedonia pyllëzohet me pesë milionë fidanë në ditën e drurit (që përkthehet në dhjetëra milionë euro). Çfare lajmi! Qeveria e Maqedonisë e shpall një ditë të tërë pushim në shtet për të mbjellë fidanë ndërkohë që çdo ditë tjetër politika e saj po i shkul njerëzit nga ky truall dhe po e shpyllëzon shtetin nga qytetarët e vet!

Shifrat për njerëzit që e lëshojnë çdo ditë vendin janë të frikshme. E frikshme është bërë jeta në këtë shtet. Çdo ditë mësojmë për fëmijët që rrihen brenda mjeteve të transportit publik, dëgjojmë për gazetarë të arrestuar, gjobitemi me gjoba më të larta se rrogat tona mujore, çdo ditë dëgjojmë për bllokim nga shtetet fqinje dhe rrezik destabilizimi të vendit. Rezultat i kësaj politike, që e drejton këtë Republikë, është se çdo ditë dëgjojmë për të afërm, shokë, miq që e lëshojnë shtëpinë dhe nisen ta gjejnë një jetë më të sigurt gjetiu.

E sigurt dhe e mirë, jeta në këtë vend tashmë është vetëm për njerezit e afërm me pushtetin dhe për vetë majën e piramidës. Ata kanë krijuar sistemin e privilegjeve dhe sigurisë për veten përkundër sistemit të demagogjisë dhe represionit për popullin. Ata kanë kijuar një krizë morale kombëtare më të egër sesa kriza ekonomike botërore. Ata diktojnë ligje çnjerëzore për popullin ndërkohë që vetë kanë shkelur edhe ligjet e natyrës!

Qeveria jonë nuk është më e jona! Ajo është qeveri vetëm e saja, ndërsa për ne është kthyer në rregjim ushtarako-policor. Për ne, qeveria mendon si të na e shypë kokën, si të na e mbyllë gojën, si të na e marrë edhe kafshatën e fundit, si të na izolojë nga Evropa. I trembet Evropës sepse ajo ka sistem transparent qeverisjeje e kësaj qeverie transparenca nuk i duhet. Kjo qeveri punon veçse të sigurojë jetë sa më të gjatë për sistemin e sundimit absolut që e ka ndëruar tashmë në mënyrë të përkryer. Ajo e ka neutralizuar opozitën, ka mbyllur median opozitare dhe ka frikësuar popullin. Evropën e mban larg : kinse dëshiron të integrohet por Greqia e bllokoka. Në fakt me gjithë mënyrat e provokon Greqinë që ajo të mos pranojë kompromis për emrin dhe faji ti mbetet asaj për ngecjen e procesit të integrimit të Maqedonië, në opinionin kombëtar e ndërkombëtar. 

Kjo qeveri na detyron të mos punojmë dhjetëra ditë në vit për festat fetare ortodokse, festën e drurit, festën e themelimit të VMRO-së, dhe na gjobisin nëse na gjejnë në punë, ndërsa ne shqiptarët nuk mundemi të festojmë më shumë se dy ditë në vit për festa të rëndësishme kombëtare tonat, por duhet të punojmë e të paguajmë haraç tek sundimtari që ai ti përdorë paratë tona si të dojë. Dhjetëra milionë euro faturohen për fidanë, dekore e luks të panevojshëm, qindra milionë euro faturohen për monumente që e varfërojnë çdo ditë njeriun e ndershëm dhe e pasurojnë rregjimin, që dobësojnë reagimin qytetar dhe që forcojnë sundimin e pushtetit absolut. Çdo ditë e më pak shpresë, çdo ditë e më pak siguri, çdo ditë e më pak njerëz: kjo është ajo çka vërtet po mbillet në këtë vend. 

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button