Jahjaga: Kosova, në dy dekada ka përjetuar ndryshime tektonike

Presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga në konferencën “Sfidat e Qeverisjes 2013”, të mbajtur në Shkollën Blavatnik të Universitetit të Oxfordit theksoi se qytetarët e Kosovës, në një kohëzgjatje prej dy dekadash, përjetuan ndryshime tektonike, nga lufta në paqe, nga diktatura në demokraci, nga ekonomia shoqërore në kapitalizëm dhe treg të lirë.

Ajo theksoi se Kosova, shteti më i ri i Evropës, ka kaluar një periudhë të rëndë në historinë e tij të vonshme, e cila periudhë përfshin luftën e viteve 1998-1999 si dhe pastrimin etnik të gjysmës së popullatës së shtetit, intervenimin humanitar të NATO-s, themelimin e protektoratit të KB dhe NATO-s që zgjati pothuajse një dekadë si dhe deklarimin e pavarësisë dhe sovranitetit të saj, vetëm 5 vite më parë, në vitin 2008.

“Në të kaluarën, qytetarët e Kosovës kanë jetuar nën një represion të paimagjinueshëm të ushtruar nga aparati shtetëror i Serbisë, që përfshinte një forcë shumë të politizuar dhe brutale të policisë e cila i persekutonte në bazë të përkatësisë së tyre etnike dhe pikëpamjeve të tyre politike. Në të ardhmen, si një shtet i pavarur, Kosova do të kërkojë anëtarësim në Unionin Evropian dhe udhëheqja e të gjitha niveleve ka shprehur qartazi dedikimin e vet për arritjen e parakushteve të lidhura e procesin e anëtarësimit”, u shpreh Jahjaga.

Ajo më tej tha se gjatë rindërtimit të institucioneve të Kosovës “ne po ashtu rindërtonim dhe besimin e njerëzve në këto institucione. Ne e dinim se do ta fitonim këtë besim vetëm me ofrimin e sigurisë dhe mundësive të barabarta, pa marrë parasysh etnicitetin dhe gjininë e tyre”.

Duke folur për Policinë e Kosovës, ajo tha se si në shumë shoqëri të dala nga konflikti, forca policore u shndërrua në institucionin kyç për absorbimin e ish luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët kishin luftuar për pavarësinë e Kosovës, një proces kyç i cili siguroi demilitarizimin e forcave guerile dhe riintegrimin e anëtarëve të saj në jetën civile.

Ajo tha se Kosova është e vendosur të qëndrojë fuqishëm mbi këto parime të përfshirjes.

“Ne jemi të dedikuar ta mbrojmë traditën tonë të gjatë të multikulturalizmit dhe tolerancës fetare. Jemi të palëkundshëm në dhënien e të drejtave, mundësive dhe përgjegjësive të barabarta secilit qytetar. Dhe jemi të vendosur që të krijojmë një shtet në të cilin meshkujt dhe femrat kanë mundësi që ta realizojnë potencialin e tyre të plotë. Vetëm atëherë mund të jemi të sigurt se e kemi vendosur Kosovën-e kjo vlen për secilin shtet-në rrugë të mbarë të zhvillimit dhe përparimit”, u shpreh ndër të tjera, presidentja e vendit, Atifete Jahjaga.

Lajme të ngjashme

Back to top button