Intermeco: Vdes pas gjërave të imta si ti..

Gjatë disponimin të veçantë këtyre ditëve, por edhe si ikje nga marritë e rradhës që disi u shpeshtuan , iu riktheva poezisë.

Poezia e bukur ka efektin sikur të jesh shtrirë në kauçin psikoanalitik.
Kërkon dhe gjen vetveten.
Kënaqësi e rendit superior, sa keq që s’gjejmë më shumë kohë për të.
Këto ditë iu riktheva poezisë të mikut, librit të parë dhe më të mirë të tij kur Vdiste pas gjërave të imta.

Shumë nga këto myxheverë i di përmendësh pasi më vlejnë ato këngë apo vetëm ato vargje që mbahen mend.

Në situatat jetësore, përfshirë dhe momentet kyçe, në raportet me njerëz, përfshirë dhe momentet kur diçka lind apo shuhet, në udhëkryet ku të duhet një busullë se mjegulla zbret gjithandej dhe vështirë gjen edhe rrugët ku saherë ke kaluar dhe ke menduar se i di mirë, këngët e Salajdin Salihut vetvetiu më bien ndërmend…
Mendoj se ia kam thënë edhe atij, ose vetëm kam dashur t’ia them se një jetë njeriu vlen edhe sikur asgjë tjetër mos të shkruajë pas një botimi të tillë që arsyeton ekzistencën.

…gjithçka nis në dhomën e poetit
Mund të ketë një tavolinë pune ku shkruan poezi
Sirtarë me libra që kurrë s’i ka lexuar
Një filxhan me kafe të idhtë si dita
Një shpuzore plot cigare të djegura nga zhgënjimi
Fletë të shkaravitura ëndrra të zbehura
Krrokama që përplasen në qelq mendimi
Mund të ketë ditë të lodhura nga vetmia…

…për babain e poetit:
Hyn pa trokitur në dhomë
m’i numëron duqet e cigareve
ka frikë se vdes i ri
mallkon poezinë s’di të për satën herë
gjithnjë po shkruan bir e asgjë prej gjëje s’doli.

…sa kollaj e shembim shtëpinë e babës:
Herët në mëngjes me buldozer
rrënuam shtëpinë e vjetër
copa jete u derdhën si gurë
ëndrrat u thyen si tjegulla
fëmijëria hyri në dhomën e pritjes
u fsheh bashkë me të thellë në mua
im gjysh qau

…ngushëllim kur ndjen sall pikëllim:
Jemi udhëtar të përhershëm
E në këtë botë jemi përkohësisht, e dashur
Në këtë botë të madhe sa trishtimi
Në këtë botë të vogël sa ngazëllimi

…kur lufta fiton kuptim:
nuk pranova të luaj në çdo valle
nënshtrimin s’e pranova kurrë
kam veç një kitarë të arnuar si jetën
kam aq sa dua asgjë më shumë

…dhe kuptohet, dashuria:
Ajo kolonel, eh! Ajo… është e bukur shumë e bukur
ka sy ulliri
lëkurë të brishtë
krahë prej ere ka kur supeve m’i derdh
çapkëne është kolonel…

T’i s’je në dhomë të më pyesësh
se ç’yll më digjet në qiell mendimi
të të pyes
pse i mungon secilës natë
pse nuk jemi akrepa të gjallë
në një orë të pakurdisur…

Vdes pas gjërave të imëta si ti
e thjeshta ime madhështore..

vdes për një natë
me një krevat
ku rri shtrirë cullak
dhe pret
të më mbulosh me trupin tënd fluid

Ti ke jetën tënde
dhe zotin tënd që i falesh
unë kam jetën time
dhe zotin tim që s’i përkulem
ne kemi diçka në mes
që na largon,
na afron
diç tjetër kërkoj te ti
diç tjetër tek unë kërkon

jemi dy luftëtarë rebel
plot luftëra në mes
paqja na vret tmerrësisht
kur hyn mes nesh
ti ke jetën tënde e dashur
dhe zotin tënd që i falesh
unë kam jetën time
dhe zotin tim që s’i përkulem

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autorja, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button