ANALIZË: 90% e qytetarëve me borxhe kanë marrë kredi për të mbijetuar!

Vetëm për pesë vjet, numri i qytetarëve dhe i firmave me llogari të bllokuara u rrit për 77.000. Аnaliza e të dhënave që e bëri “Portalb”-i tregon se prej vitit 2010, numri i qytetarëve me llogari të bllokuara është rritur për 63.000, ndërsa te firmat ky numër është rritur për 13.500. Аnalistët për analizën javore ekonomike të Portalb-it, thonë se këto të dhëna tregojnë se gjendja financiare e popullatës dhe e biznesit përkeqësohet. Sipas një pjese të ekonomistëve, nëntë kredi të qytetarëve janë për të mbijetuar, gjegjësisht për t’i plotësuar nevojat themelore jetësore.

Borxhe për të mbijetuar – sektori privat jolikuid…

Gjithsej 121.547 qytetarë dhe firma kanë pasur xhiro-llogari të bllokuara në fund të vitit 2015. Kjo do të thotë se pothuajse çdo firmë e dytë është e ballafaquar me bllokadë, ndërsa trend në rritje është regjistruar edhe te popullata. Kështu, në fund të dhjetorit, të bllokuar kanë qenë 77.005 qytetarë dhe 44.542 firma.

“Bllokimi i llogarive të qytetarëve tregon se të ardhurat e popullatës nuk mjaftojnë që t’i mbulojnë shpenzimet mujore, më së shumti për shkak të nivelit të ulët të rrogave, pastaj rrogave të parregullta ose mbijetimit pa asnjë të ardhur. Nga ana tjetër, niveli i ulët i rrogave ose rrogat jo të rregullta janë tregues se ekonomia ballafaqohet me gjendje të jolikuiditetit”, thotë për Portalb, profesori universitar, Sami Bislimi.

Para do kohësh, hulumtimi i fundit të cilin e publikoi “Bussines Insider” e futi Maqedoninë në grupin e 15 vendeve me indeks të më thellë të mjerimit.

“Ajo që brengos është dimensioni kualitativ i Indeksit të mjerimit. Pikërisht njëri nga faktorët janë borxhet në banka. Dhe ky nuk është problem në vete, mirëpo te ne 90% e popullatës, gjegjësisht nëntë nga dhjetë hua të qytetarëve janë si rezultat i kredive konsumatore, veçanërisht me kartelat kreditore. Kjo do të thotë se njerëzit marrin hua për të ngrënë, për të mbijetuar, për nevojat themelore. Kjo tregon se Maqedonia është një vend seriozisht i varfër, ku qytetarët marrin hua për nevojat themelore jetësore. Ngarkesa me borxh e personave fizikë nëpërmjet kartelave kreditore dhe kredive të padedikuara, është në rritje enorme dhe kjo ndikon edhe në Indeksin e mjerimit, i cili na betonon në fund”, thotë për Portalb, ekonomisti Zoran Vitanov.

Në vitin 2015, numri i llogarive të bllokuara te qytetarët është rritur për 34.106, ndërsa te firmat për 3.154. Nga ana e DHP-së, vetëm si rezultat i borxheve për shkak të taksës radiodifuzive u bllokuan 27.000 llogari në vitin 2015. Mirëpo, sipas ekonomistëve, megjithatë problemi kyç me jolikuiditetin duhet të shihet në ekonomi.

“Problemi më i madh është problemi me jolikuiditetin me të cilin ballafaqohet ekonomia. Jolikuiditeti i ekonomisë në rastin tonë është si pasojë e mundësive të kufizuara prodhuese të ekonomisë së vendit, realizimit të pamjaftueshëm për shkak të kërkesës së pamjaftueshme, për shkak të fuqisë së zvogëluar blerëse dhe masave restriktive të politikës fiskale, veçanërisht në fushën e politikës ndëshkuese, korrupsionit dhe klientelizmit. Dalja nga kjo gjendje është e mundur në qoftë se investohet në zgjerimin e mundësive prodhuese të ekonomisë vendore, modernizimit të procesit prodhues dhe shfrytëzimit më racional të resurseve që janë në dispozicion”, thotë profesori Bislimi.

Në pako me rritjen e borxheve të ekonomisë dhe të qytetarëve, ekspertët theksojnë se rriten edhe borxhet e vendit.

“Shumë para hynë në vend, mirëpo konsideroj se Maqedonia në mënyrë serioze shkon drejt varfërimit dhe konsideroj se nëse tani nuk ndryshojmë diçka në mënyrë dramatike, pas katër vitesh, pa marrë parasysh se cila garniturë politike do të jetë në pushtet, madje edhe sikur të vijë një magjistar, gjendja do të jetë e vështirë”, thotë për Portalb,  analisti Vitanov.

Në mesin e borxhlinjve janë edhe një pjesë e ndërmarrjeve publike.

“Me problemin e jolikuiditietit ballafaqohen edhe disa subjekte të caktuara të sektorit publik, kryesisht si pasojë e rritjes enorme të shpenzimeve për rroga dhe kompensime, mirëpo edhe për shkak të vëllimit të shtuar të furnizimeve publike, që e tejkalon kapacitetin e tyre për financim. Prandaj, çdo vit rritet nevoja për burime plotësuese të mjeteve nëpërmjet transfereve nga buxheti qendror, ose nëpërmjet huazimeve. Mirëpo, qasja e tillë është e mundur deri atëherë kur mund të llogaritet në servisimin e rregullt të borxhit, mirëpo në qoftë se borxhet e vjetra mbulohen nëpërmjet huave të reja, atëherë kjo është shenjë se, efektet kthyese nga politika e deritanishme e marrjes së huave janë të pamjaftueshme”, thotë për Portalb, profesori Bislimi.

Pikërisht një pjesë e ndërmarrjeve publike u gjendën në “listën e zezë të borxhlinjve”, të cilën e publikoi DHP-ja, me borxhe në baza të ndryshme ndaj shtetit. Në mesin e tyre janë Pyjet e Maqedonisë, Rrugët e Maqedonisë dhe shërbimi publik RTM. /Portalb.mk.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button