Çfarë duhet të bëjë Maqedonia për të ecur përpara

Globalizmi, rëndësia në rritje e dijes dhe revolucioni informativ dhe i komunikimit janë faktorët kryesorë që ndikojnë në mobilitetin intelektual. Po cka është mobiliteti intelektual, si ndikon ai në botën e sotme dhe anasjelltas dhe cilat mund të jenë pritshmëritë lidhur me ardhmërinë e tregut të punës në shtetet e zhvilluara.

Në një botë ku disponueshmëria e informacionit është baza e revolucionit të katërt industrial – atij informativ, lëvizja e lirë e njerëzve, aty ku univerzitetet online po marrin hov dhe janë bërë mjet për potencimin e këtij mobiliteti intelektual, dhe ku një porcion i madh i ofertës së tregut të punës mundëson punën online, atëherë është e lehtë të mendohet një botë ku, si infomacioni ashtu edhe njerëzit vërshojnë nga një shtet në një tjetër në kërkim të një ardhmërie personale më të mirë, një zhvillimi intelektual më të vlerësuar dhe rivlerësimi ekonomik të familjeve të tyre. Në një botë të globalizuar dhe të ndërlidhur, një bote të cilës e ardhmja i parashikohet akoma më e ndërlidhur dhe më e globalizuar – pa pyetur fare për politikanët që janë një e keqe e domosdoshme, ky mobilitet intelektual, lëvizja e lirë e profesionistëve në tregun global të punës është një fakt i pamohueshëm dhe një ide e paevitueshme. Në një botë të tillë, janë tregjet e vogla dhe të pazhvilluara ato që do të pësojnë dëmin.

Vlerësimi i dhënë nga Banka Botërore për mbi 600.000 emigrantë nga Maqedonia në 25 vitet e fundit tregon që shteti jonë po derdh ngadalë kapacitetin e vet intelektual dhe po humb potencialin ekonomik. Mobiliteti intelektual luan rol qendror duke i ribalansuar tregjet e punës pas shokut ekonomik, dhe janë pikërisht lëvizjet e këtilla ato që e përmirësojnë efikasitetin e tregut të punës. Por në një shtet të vogël prej 2 milion banorë, ikja e çerekut të popullsisë së saj është tragjike në suaza ekonomike dhe humane.

Është problemi kryesor të cilit duhet t’i adresohemi sot, dhe është problem për të cilin shumë pak po flitet, për të cilin shumë pak po debatohet dhe mendohet. Në Maqedoni politikanët janë e keqe e pashmangshme sepse kanë uzurpuar të gjithë vëmendjen tonë, dhe kanë çrregulluar rrjedhën e drejtë të zhvillimit ekonomik dhe intelektual të shtetit tonë. Duke shkatërruar ekonominë me krijimin e monopoleve kapitaliste të ngjashme me ato të shekujve të kaluar, duke “reformuar” vazhdimisht sistemin arsimor në një abominim, në një amebë strukturore të pakuptueshme dhe të dëmshme, me punësimet dhe privilegjet që ju takojnë ekskluzivisht partiakëve në vend të njerëzve të aftë dhe profesionistë, dhe duke u zhvatur të eliminojnë konkurrencën e drejtë të shqiptarëve në tregun e punës kanë krijuar bazën për këtë shtrydhje intelektuale që po i ndodh shtetit.

Në një botë të globalizuar, derdhja e kapacitetit intelektual human nga një shtet në një tjetër më të zhvilluar është fakt i pashmangshëm. Mobiliteti intelektual është ndër rregullatorët më të rëndësishëm të ekonomisë, faktor i cili nën hijen e gjithë zhurmës që krijon lëvizja e kapitalit është i vetmi që krijon potencial të ri ekonomik dhe zhvillimor. Zhvillimi ekonomik ju përket njerëzve dhe jo kapitalit, sepse janë njerëzit ato që e vënë paranë në lëvizje. Përfundimisht është faktor i cili zakonisht i dobëson shtetet e dobëta dhe i përforcon ato më të fortat, për arsye se derdhja e kapitalit intelektual human është proces i njëkahshëm.
Rrjedhimisht shteti jonë duhet të krijojë kapacitete për të mbajtur brenda kapitalin human, dhe duke punuar për të ardhmën të mos druajmë për një krizë gjeneracionale. Këto lëvizje duhet të jenë në drejtim të krijimit të mundësive të barabarta për të gjithë qytetarët në të drejtën e tyre për t’u arsimuar dhe për t’u zhvilluar profesionalisht dhe në lirinë e tyre krijuese dhe avancuese. Të rrënojmë realitetin e privilegjeve jo intelektuale në tregun e punës, të zhvillojmë idenë e ndarjes meritore të të mirave dhe të krijojmë mitifikimin e të aftëve në vend të dajrexhinjve. Kjo është baza e shëndoshë në të cilën duhet të zhvillohet ky shtet, në të mirën e qytetarëve të vet.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button