Кu po shpie ky shteg

Po bëhet I mërzitshëm angazhimi verbal dhe vetëm verbal për paqe, tolerancë dhe dialog. Nevojitet aksion, shembuj personal, konkretizim i gjërave të cilat aq bukur i thurim e i themi.

Para disa ditësh isha i ftuar në një diskutim në të cilin flitej për rrugën që kemi përpara, për sfidat dhe pengesat e vendosura në atë rrugë. Temë globale të cilën duhet , pa dyshim, diskutuar dhe analizuar vazhdimisht edhe në suaza lokale. Duhet, sepse, po ndodhi që ne të vegjlit të deshifrojmë dilemën dhe të qëllojmë drejtimin e rrugës që duhet ecur, do quhet bingo. E pse jo, formulat lokale për sukses kanë gjasa të përdoren edhe globalisht. Na mbetet vetëm edhe të gjejmë formulën.

Shih çudinë, në atë panel, sërish më përfshiu përshtypja se të gjithë ne, shumë lehtë dhe shumë bukur dimë të thurim fjalime me të cilat do të prezantohemi si njerëz të paqes dhe progresit, si njerëz që jemi të angazhuar për dialog mes popujve, kulturave, civilizimeve. Po, këto gjëra të bukura shumë lehtë mund t’i thurim e t’i themi.

Por, vetëm një xixë nevojitet, vetëm një fjalë e pa matur që të përballemi me realitetin dhe të kuptojmë sa pakë po bëjmë për jetësimin e tolerancës. Me lehtësi të padurueshme, një popull të tërë e shpallim për popull gënjeshtar, kërkojmë dhoma gazi për fqinjët tanë, vetëm fqinjët e vdekur i konsiderojmë për fqinjë të mirë. Për më tepër, këto gjëra i themi publikisht, pa e lëvizur qerpikun. Të mos flas për diskriminimin fetar, në veçanti të bashkësive më të vogla, gjithnjë me tendencë për të dëshmuar superioritetin tonë, primatin të cilin njëra palë duhet pasur mbi palën tjetër.

Po e them me vështirësi por, miq, në mesin tonë po jetojnë edhe urrejtja, edhe ekstremizmi, edhe diskriminimi dhe jotoleranca, po e urrejmë njëri tjetrin në nivel lokal dhe po ndikojmë në rritjen e nivelit të urrejtjes globale që po sundon gjithandej. Dhe, si kurnacë të dëshmuar që jemi, po mburremi me kinse angazhimet tona se “ Çdo njeri duhet të jetë i lirë, askush nuk duhet të jetë i diskriminuar pse është musliman, i krishterë apo ateist, i zi a o bardhë, pse i përket njërit apo civilizimit tjetër, kësaj apo asaj kulture, njerëzit duhet të jenë të barabartë në nduarnduarshmërinë e tyre sepse vetëm ashtu njeriu do luaj rolin e vetë të vërtetë, atë të përfaqësuesit të Zotit në Tokë…”

Po bëhet i mërzitshëm angazhimi verbal dhe vetëm verbal për paqe, tolerancë dhe dialog. Miq, nevojitet aksion, shembuj personal, konkretizim i gjërave të cilat aq bukur i thurim e i themi. Që të bëhemi pjesë e korpusit që po përpiqet nga bota të bën një vend më të bukur për të jetuar duhet ngadhënjyer mbi demonët e jotolerancës, radikalizmit dhe ekstremizmit që po qëndrojnë fshehur te ne, në mjediset tona, në bashkësitë, grupet, partitë. Pra, duhet të pranojmë përfundimisht se po gënjejmë kur në prapaskenë po e përhapim përrallën e stërpërdorur në të cilën ne gjithmonë jemi “engjëj” e të tjerët gjithmonë janë “djaj”. Ky do të ishte një fillim, po shpresoj.

Po, ama kjo është shumë e vështirë për realizim, i ngjason fantazisë, do të thoni. E, po, është vështirë të realizohet, i ngjason fantazisë. Por, bile edhe të dërguarin e Allahut, Pejgamberin Muhamed a.s. njerëzit e kanë ofenduar dhe e kanë quajtur fantazer kur i ka ftuar të bashkohen në besimin te një Zot. Edhe Jeffersonin e kanë tallur kur e ka propozuar Ligjin për të drejta fetare, por ja ku e keni sot atë ligj në Kushtetutën amerikane. Edhe Mahatma Gandhi ju është dukur qesharak njerëzve kur e ka propaguar revolucion e tij paqësor por, ai ia ka sjellë pavarësinë Indisë.

E di, do thoni se njerëzit e përmendur dhe shumë të tjerë të cilët kanë lënë gjurmë të përhershme në histori, s’kanë qenë të detyruar të grinden për listat zgjedhore dhe për mediat, atëherë nuk kanë ekzistuar VMRO dhe LSDM me përplasjet e tyre, nuk ka ekzistuar armiqësia mes BDI dhe PDSH, nuk kanë ekzistuar atëbotë as Marrëveshja e Ohrit, as Përzhino, Katica Janeva , Fatime Fetai… Po, nuk kanë ekzistuar, por kanë ekzistuar problem dhe mosmarrëveshje shumë më të mëdha.

Dhe, e di edhe një gjë. Do thoni: Ani çka bre Reis efendi, nuk po e urrejmë njëri tjetrin vetëm ne , urrejtja po sundon nëpër tërë botën.

Tamam, por jo që Reisi nuk di për atë urrejtje dhe po përpiqet tani këtu të na mbajë ligjërata moralizuese. E kam të njohur përçarjen mes muslimanëve dhe të krishterëve, mes muslimanëve dhe hebrenjve, mes hebrenjve dhe të krishterëve si edhe mes katolikëve dhe ortodoksëve, protestantëve dhe katolikëve, mes sunitëve dhe shiitëve, mes Hindusëve, Sikëve, Tamilëve, Hutu dhe Tutu… I kam të njohura edhe të gjitha mosmarrëveshjet ideologjike, ndërnacionale e ndërshtetërore, kontestet për një grimcë tokë, për një kodër a për një fushë, bile di edhe për armiqësi që janë shkaktuar për shkak të futbollit.

Pikërisht për shkak se edhe nga afër jam njohur me esencën e një sërë problemeve botërore që i përmenda këtu dhe kam marrë pjesë në forume të ndryshme në të cilat janë kërkuar mundësitë për tejkalimin e atyre konflikteve dhe mosmarrëveshjeve, kujtoj se kam të drejtë të them:

Maqedonia, ani pse disa dëshirojnë ta paraqesin shumë të madhe, në fakt është shumë e vogël dhe problemet e sajë baraspeshohen me madhësinë reale që ka. Po të largonim demonët tanë, do të kuptonim se për çka dhe pse e paskemi çuar kohën dëm dhe kot duke luajtur me fatin e popullit. E aq pak qenka dashur të bëjmë për të gjetur formulën për të cilën fola në fillim të këtij teksti.

Edhe diçka. Është mjerim nëse kemi ardhur në situatë në të cilën askush nuk kupton se sa është e rëndësishme të dëgjosh tjetrin. Për një botë dhe për një jetë asisoji nuk ia vlen të përpiqesh e të luftosh sepse ai shteg nuk të shpie askund.

Kur mendja mbisundon, llafet pakësohen.

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. Thjesht dyshoj në shkrimet e këtij autori, pasi shkrimet e tij nuk korrespondojnë me punët që bënë institucioni që ai udhëheq. Duke e ditur se Sulejman Rerxhepi udhëheq një institucion mjaftë të rëndësishëm – BIM dhe siç duket qartë, këto shkrime janë të nivelit standard, kurse, nga ana tjetër, institucioni i tij punët i ka për askund. Nëse ky personalitet do ishte vërtet ashtu edhe siç shkruan, atëherë institucioni do lulëzonte ndryshe, e jo të bëhet gazi i botës, i cili vazhdimisht ( me dekada) është në kundërshtim me vlerat e përgjithshme të ISLAMIT dhe atyre njerëzore në përgjithësi. Nëse do ishte i vërteti ky shkrim, atëherë rrethi i tij veprues në Bashkësinë Islame të Maqedonisë qenka në gjendje të mjerueshme dhe duheshka të na vijë keq për Sulejman Rexhepin, se sa forcë i e madhe duhet për ta përballuar këtë injorancë anti ISLAMIT, kulturës, ndërgjegjes që veprojaka aty ku nuk e ka vendin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button