Lushtaku nuk lirohet

Gjyqtari i EULEX-it e ka refuzuar përfundimisht të hënën kërkesën e Sami Lushtakut për ta dhënë betimin e tij si kryetar i Komunës së Skenderajt.

Kërkesa e Lushtakut e parashtruar nga mbrojtësi i tij, Arianit Koci, është refuzuar sikurse është refuzuar ditë më parë e njëjta kërkesë e parashtruar nga dega e Partisë Demokratike në Skenderaj.

“Kërkesa ime është refuzuar. Unë gjatë ditës së nesërme do të vizitoj z. Lushtakun, në burg në mënyrë që të bisedojmë për procedura të mëtutjeshme”, ka thënë shkurt mbrojtësi i Sami Lushtakut, avokati Arianit Koci.

Vendimi për Lushtakun është marrë të hënën në mbrëmje dhe për këtë arsye zyrtarë për informim të misionit EULEX nuk kanë qenë në gjendje që të komentojnë rreth vendimit të Gjykatës. “Vendimi është marrë, por nuk mund ta komunikojmë për publik para se të njoftohen palët rreth këtij vendimi”, ka thënë zëdhënësi i misionit EULEX, Blerim Krasniqi.

Fadil Nura, nënkryetar i komunës së Skenderaj, ka thënë, ndërkaq, se pavarësisht vendimit të gjykatës, rasti i Lushtakut është precedent ligjor. Ai ka ripërsëritur se edhe pa praninë e Sami Lushtakut asambleja do të mblidhet dhe betimi i kryetarit do të lexohet para asamblistëve.

“Ne si subjekt ia kemi bërë kërkesën trupit gjykues që kryetari Lushtaku të vijë nga burgu dhe për dhjetë minuta të japë betimin. Kjo konsiderojmë se nuk e pengon procesin që po zhvillohet ndaj tij”, ka thënë për “Zërin”, nënkryetari i komunës së Skenderajt, njëherazi sekretari i degës së PDK-së në Skenderaj, Fadil Nura.
Por betimi i Lushtakut para asamblistëve të Skenderajt është i obliguar konform nenit 57 të Ligjit për Qeverisje Lokale dhe në rast se një gjë të tillë nuk e bën një muaj pas zgjedhjes ai ka gjasë që mund ta humbë mandatin.

Përndryshe, Lushtaku fitoi mbi 88 për qind të votave më 3 nëntor në garën për kryetar të komunës, por nëse nuk e bën betimin sipas ligjit, kjo komunë mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

Lushtaku gjendet në paraburgim nga qershori i këtij viti kur ndaj tij janë zyrtarizuar hetimet për krime luftë të kryera në një shtëpi të ndalimit në fshatin Likovc të Drenicës në vitin 1998.

Ai bashkë me ambasadorin e Kosovës në Shqipëri, Sylejman Selimin, si dhe 13 ish-bashkëluftëtarë janë të përfshirë në aktakuzën që e ka ngritur prokurori special i EULEX-it, Maurizio Salustro.

Lajme të ngjashme

Back to top button