Çfarë thonë për korrupsionin në komuna, Mexhiti, Bejta dhe Arifi?

Në Ditën Ndërkombëtare kundër korrupsionit, 9 dhjetor, konstatohet se në Maqedoni korrupsioni vazhdon të jetë njollë e zezë dhe dukuri prezente në të gjitha institucionet shtetërore, edhe përkundër deklaratave të tyre se po luftohet në maksimum.

Sipas Transparency International, Maqedonia është në vendin 67 sipas indeksit të perceptimit të korrupsionit në vitin 2013. Nga viti i kaluar ka progres shumë të ulët, vetëm për dy vende theksojnë nga kjo organizatë.

Qytetarët në Maqedoni theksojnë se korrupsioni është i pranishëm edhe në komunat e vendit. Sipas një sondazhi të realizuar muajin e kaluar nga agjencia për hulumtim të opinionit “Rejting”, mbi 45,1 për qind e qytetarëve vlerësojnë se korrupsioni në pushtetin lokal apo komuna është më i theksuar gjatë punësimeve.

Si e luftojnë korrupsionin kryetarët e komunave shqiptare?

Komuna Çair, Izet Mexhiti:
 “Kjo dukuri në Komunën e Çairit po luftohet me forcën më të madhe pa marr parasysh se çfarë shtrirje ka. Në funksionojmë mbi parimin ‘Nga qytetarët dhe për qytetarët’, mundohemi të jemi sa më të drejtë në ofrimin e shërbimeve , punë transparente mbi parime demokratike. Komuna e Çairit disponon edhe me mekanizma preventiv dhe mbrojtës ndaj këtij fenomeni. Duke ofruar kështu për qytetarët mundësi të paraqesin çdo parregullsi , mito ose korrupsion duke e informuar personelin përkatës në Komunën e Çairit. Unë si kryetar komune ju ftoj për një zotim të përbashkët fisnik për të ndërtuar një shoqëri bashkëkohore, pa vese e ku llogaridhënia është përgjegjësia e të gjithëve, duke filluar nga unë e ju. Lus gjithë administratën komunale të bëjnë përpjekjet për luftimin e gjithë dukurive negative, të hapen dyert për të gjithë qytetarët e Çairit dhe të garantohet funksionim i mirëfilltë institucional”, tha për Portalb kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti.

Kryetarja e  Komunës  së Tetovës, Teuta Arifi:
“Komuna e Tetovës planifikon vendosjen e sistemit të integritetit  dhe zbatimin e politikave anti- korrupsion që tashmë janë promovuar dhe zbatohen në disa komuna në bashkëpunim me UNDP-në. Forcimi i mekanizmave për kontroll dhe llogaridhënie si dhe  transparenca e  punës së organeve komunale dhe vendimeve të cilat sillen nga to  me theks të veçantë në transparencën gjatë procedurës së prokurimit publik dhe dhënien e lejeve dhe dokumenteve tjera do të ndikojë dukshëm në parandalimin e fenomeneve korruptive në komunën e Tetovës”, thonë për Portalb nga kjo komunë.

Kryetari i komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta deklaron se ai vetë është të krye të luftimit të korrupsionit në këtë institucion.

“Ka organizata dhe institucione ndërkombëtare që i vëzhgojnë. Unë vij për së dyti, deri tas çdo punë e kontrolloj vetë. Unë vetëm kam i hapur me qytetarët dhe nuk lejoj korrupsion sepse drejtpërdrejtë me qytetarët me përfaqësuesit e kompanive nuk mund të ketë korrupsion, ne jemi shumë transparent. Qytetaret kanë të drejtë të takohen me mua kur shohin korrupsion”, tha për Portalb, Bejta.

Megjithatë, të dhëna dëshpëruese nga organizatat që luftojnë korrupsionin:

Kryetarja e organizatës Transparency International në Maqedoni, Sllagjana Taseva thekson se korrupsioni akoma është shqetësues në Maqedoni dhe se të korruptuarit janë të paprekshëm. 

“Fatkeqësisht nuk mund të themi se diçka është përmirësuar apo se Maqedoni po tregon sukses në luftën kundër korrupsionit. Është e qartë se korrupsioni edhe më tej paraqet problem që në të gjitha raportet e Komisionit Evropian dhe raportet e tjera është problem me prioritet të lartë”, deklaroi Taseva. Sipas saj, Maqedonia është në vendin e parë sa i përket korrupsionit në gjyqësor dhe politikë.  /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button