Ëndrra ime e trishtë dhe meleku i vdekjes!?

Gjatë jetës sime kam parë shumë ëndrra të mira e të këqija, por ëndrra që më ka lënë përshtypje e më ka trishtuar më së shumti është ajo e mbrëmshmja. Të shohësh ëndërr vetëtimë, të komunikosh, e mos të frikohesh është e pa mundur. Sa më shumë që më afrohej, aq më shumë më shtoheshin dridhjet e djersët; nga pamja më dukej si vetëtimë, por në formën e diellit të shkëlqyer; sa më shumë që zbriste teposhtëzë qiellit, aq më shumë shkëlqimi i këtij dielli zbehej nën ndriçimin e hënës. Për çudinë time pamja e mëparshme e vetëtimës, mori formën e diellit, më pas të hënës pesëmbëdhjetë. Mu duk aq e bukur sa që i thoja vetes , ose unë të shkoja termale drejt qiellit e të takohesha me te, ose ajo të zbriste teposhtëzë drejt tokës ku banoja unë!

Dhe ndodhi ajo që desha, hëna e buzëqeshur zbriste për të ma plotësuar dëshirën time, sa më shumë që më afrohej aq më shumë yjtë vepronin të kundërtën dukeshin shumë të shqetësuar, të frikësuar, të hutuar duke ikur prej saj. Vallë ç ’është ky trishtim i yjve, pse të gjithë iknin ç’ndodhte me ta, përkundër gëzimit tim për zbritjen, ardhjen e saj drejt meje!? Sa më shumë që më afrohej kjo vetëtimë në formë të diellit e në pamje të hënës, gëzimi im i mëparshëm kthehej në makth e pikëllim, dëgjoja zëra yjsh ”…Meleku i vdekjes…, Meleku i vdekjes me urdhrin e Zotit zbret teposhtëzë…,në tokën e mallkuar të Arbërit për ta dënuar e shkatërruar këtë popull.”

U shtanga, mbeta i ngujuar i nemitur, i vdekur para kësaj qenie të çuditshme misterioze, që nën sundimin e vet kishte marrë diellin dhe hënën; e cili do të ishte ai që nuk do dorëzohej para kësaj padukshmërie të rrezikshme, e cila që në sekondë të largon prej kësaj bote të lezetshme. Derisa prisja ç’do të ndodhte me mua para kësaj krijese të çuditshme e të pa pëlqyeshme; ajo me shikimin e saj rrufeje herë më vringëllinte ashpër e keq, herë më nënçmonte e më trishtonte,…por edhe sikur më mëshironte, i dhimbsesha, sikur s’donte t’ma merrte shpirtin pa dialoguar me mua!?
Ç’të bëj me ty dhe me popullin tënd, më tha Meleku i Vdekjes, s’ka diell të shkëlqyer e hënë të ndritur për ju, të pushtuara janë nga unë dhe yjet në hapësirën qiellore janë shuar për ju, kjo tregon zhdukjen tuaj. Derisa shumica e popujve në botë merren me të tashmen, e me të ardhmen, ju e keni humbur realitetin, arsyen e vetëdijen duke u marrë me historinë tuaj kombëtare. E di ç’janë historitë për qiellorët? Historitë njerëzore për ne janë paja të palosura të nuseve të vdekura, e ju merreni me pajën e kësaj nuseje të humbur. Një popull që e ka humbur vetveten, të kaluarën, merret me të humburën (me të kaluarën) që për të qenë i humbur, kurse një popull që e ka gjetur vetveten, merret me të gjeturën (të ardhmen) që për të qenë i gjetur.

Përveç kësaj, jeni popull i papjekur dhe jo serioz, shpejt m’plakeni e vonë piqeni mendërisht e shpirtërisht, historia juaj është e shkruar jo me stilograf, por me laps për ta fshirë e zhdukur shpejt, prandaj çdo herë ju përsëritet e njëjta tragjedi kombëtare, jeni popull që piqeni e vetëdijesoni dhjetë ditë para vdekjes suaj. Historikisht, udhëheqësit politikë luajnë me popullin tuaj si ujku me delet, e ju u besoni, se dinë të gjorët se së shpejti do t’i vdes të turpëruar para jush dhe para Zotit tim. 4000 mijë vjet jetuat në këtë vend të Ballkanit, 4000 mijë vjet të robëruar nga vetvetja. E keqja juaj është mbushur deri në kupë të qiellit, sa që është bërë e pa durueshme dhe për të Madhërishmin Zot, prandaj jam dërguar që juve, popullin e lashtë të Arbërit ta humbi nga faqja e këtij dheut ballkanik.
Në këtë çast një rrufe e llahtarshme m’u duk sikur ma dogji e ma shkriu zemrën time. Kjo frikë, ky trishtim i madh më zgjoi nga gjumi, shyqyr Zotit isha në ëndërr. Eh sikur koha e të këqijve politikanë, fetarë e letrarë të vdiste, e populli të ishte i lirë….

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button