Poeti, ky fëmijë i rritur

Psikanalisti i njohur Zigmund Frojd, në studimin “Poeti dhe fantazia” (1908) gjykon se “çdo njeri, në thellësi, është poet dhe se poeti i fundit do të vdesë me njeriun e fundit”. Sipas botëshikimit të tij, poeti është si fëmija, sepse çdo “fëmijë, duke luajtur, sillet si poet, në çastin kur e krijon një botë të veten”, të cilën e “rregullon në një mënyrë të re, sipas shijes së vet”. Poeti i ngjan fëmijës që luan sepse “e krijon një botë fantazie, të cilën e merr seriozisht”, kurse në këtë botë “investon një ngarkesë të madhe emotive dhe e ndan qartësisht nga realiteti”.

Ne që shkruajmë shpesh i konsiderojmë librat si lodrat tona. Çartemi e çirremi si fëmija kur na pengojnë në lojën tonë.

Ndoshta shumëkujt nuk i pëlqen krahasimi me fëmijën. E marrin si përçmim. Shprehja “je bërë si fëmijë” nuk e lëndon një poet, madje e pëlqejnë krahasimin. Së pari: fëmija është i çiltër. Është shenjt në naivitetin e tij. Së dyti: ne vazhdimisht rendim drejt botës së fëmijërisë pasi e kemi humbur. Dikush këtë botë e ka quajtur “parajsë e humbur”, vend paqeje, pafajësie, ishull ëndrrash, dëshirash e iluzionesh. Kthimi i mundshëm në atë botë do të thotë tentim për ta gjetur të humburën e bukur…

Poeti, sikurse fëmija, është i çiltër dhe shpalon shumëçka që të tjerët e fshehin. Gjithashtu ka nevojë për njëfarë përkujdesjeje. Duke u marrë me botën e tij iluzore duket naiv, si i krisur dhe mospërfillës ndaj shumë gjërave që për të tjerët kanë vlerë madhore. U dhimbset bota nga e cila nuk kanë kurrfarë përfitimi material. Kanti e përkufizon të bukurën si diçka që shijohet pa interes…

Tek ne mungon respekti për poetin, këtë “fëmijë të rritur”. Nuk flas për ndonjë respekt popullor. Për këtë shkak ai ndjehet i pakënaqur, i braktisur.

Nga ata presim befasi të ndryshme dhe të këndshme, por atyre u ndodh rrallë që të befasohen për të mirë. Janë mësuar të përjetojnë të kundërtën. Sikundër e thamë, shpesh vihet shenjë barazimi ndërmjet poetit dhe të çmendurit, që sikur nuk jeton në këtë botë.

Poetët kanë konflikt me botën, atë që nuk e kanë sajuar, por nga ajo kanë huazuar shumëçka për ta ndërtuar botën e tyre simbolike. Por ata nuk e kanë braktisur botën, të cilën duan ta bëjmë më të bukur. E duan edhe kur e shajnë…

Ndonjëherë ndodh ajo që nuk e pret dhe as nuk shpreson se do të ndodhë.

Disa krijues letrarë nga Maqedonia, para disa kohe, u befasuan këndshëm. Në mesin e tyre edhe autori i këtij teksti. Shtëpia botuese “Logos – A”, botoi edicionin e veçantë të letërsisë shqipe që krijohet në Maqedoni. Një botim luksi. Ishte një respekt për punën artistike të autorëve shqiptarë në Maqedoni, të cilët kanë shumë arsye të ndjehen të braktisur. Këtij kompleti mund t’i shtohen edhe autorë të tjerë, që besoj se do të ndodh së shpejti.

Personalisht i jam mirënjohës drejtuesit të kësaj shtëpie botuese, Adnan Ismailit dhe bashkëpunëtorëve të tij profesionistë, përfshirë miqtë e mi: poetin e mrekullueshëm Shkëlzen Halimin dhe studiuesin Zekirja Ibrahimin, të cilët e dizajnuan projektin.

Kjo shtëpi botuese, me botimin e dymbëdhjetë librave, e shënoi një përvjetor të rëndësishëm për të. Drejtuesit e saj nuk pritën dhurata, si e do zakoni, por shpërndanë dhurata. Shpërndanë libra. Kjo është madhështore. Duke i gëzuar “fëmijët e rritur” ata e respektuan punën e lodhshme, sikurse është krijimtaria letrare. E nderuan autorin.

Artisti krijon edhe pa këtë nderim, sepse arti për të është mënyrë jetese, madje krijojnë edhe kur dënohen, por ky nderim është pjekuri.

Ne që shkruajmë mund të dukemi si fëmijë, por më thoni a erdhi diçka e ligë prej fëmijëve?

E liga vjen kur nuk e dëgjojmë fëmijën brenda nesh. Kur e zhdukim brenda nesh. Kur e humbim lidhjen me botën madhështore të fëmijërisë, me këtë ishull ku banon pafajësia.

Duhet t’i jemi mirënjohës secilit që na jep këtë ndjesi.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Komentet

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button