Maqedonia do të humb 8,2 milion euro, para evropiane!

Deri në fund të vitit 2013, Qeveria e Maqedonisë rrezikon të humbas 8,2 milion euro plotësuese nga komponenta e parë e fondeve IPA të vitit 2009. Kjo domethënë se së bashku me paratë e humbura vitin e kaluar bëhen gjithsejtë mbi 15, 5 milion euro të cilat janë në rrezik të madh për të qenë të humbura.

Këto të dhëna për Portalb i shpalosi Fani Karanfilova-Panovska nga Instituti Shoqëri e Hapur Maqedoni e cila thotë se nga paratë e humbura sivjet, më të rrezikuara janë paratë të dedikuara sektorit civil domethënë granti që është dedikuar organizatave qytetare prej 1,6 milion eurove.

“Me këtë Qeveria dërgon mesazh politik se nuk është në gjendje dhe nuk ka vullnet ti administrojë dhe ti shpërndajë mjetet e dedikuara shoqërisë civile” thotë Karanfilova-Panovska.
Sipas saj, arsyet pse Maqedonia po humb paratë evropiane janë se ka kapacitete të dobëta dhe të papërgatitura për ti plotësuar kushtet e marrjes së fondeve. 

“Qeveria nuk ka mekanizma adekuate institucionale me anë të cilave bëhet evaluimi i programeve, nuk ka mekanizma me anë të së cilave siguron raporte transparente për mënyrën e harxhimit të parave evropiane. Besoj që do të kemi dhe problem nga Gjykata evropiane e revizorëve e cila ka vërejtje serioze në evaluimin e tyre për mënyrën se si janë harxhuar paratë” thotë ajo.

Më tej si që shpjegon Karanfilova-Panovska, ne nuk kemi kapacitet për të përgatitur dokumentacionin e tenderimit.

“Ka vonesa në nominimin e anëtarëve nëpër komitete përkatëse për evaluim të projekteve. Ndërsa kemi dhe problem me ndryshimin e vazhdueshëm të personave që punojnë në ministri të detyruar për adiministrimin e këtyre fondeve”.

Me gjithë këto probleme ne nuk kemi vullnet për ti marrë paratë me atë të së cilave do të ri-formohemi, dhe këtë Komisioni Evropian e thekson në raportet e tyre.

“Mos përdorimi i fondeve të BE-së është një indikator që Maqedonia shkon pas në planin e reformave dhe në rrugën e euro-integrimeve në përgjithësi. Ne ende jemi duke u marrë me paratë e vitit 2009, tani jemi viti 2013 që domethënë katër vite na duhen për ti harxhuar paratë që janë planifikuar në atë kohë. Nëse shkojmë sipas kësaj logjike atëherë paratë që programohen tani do ti harxhojmë në vitin 2019!” përfundon Fani Karanfilova-Panovska.

Të kontaktuar nga Portalb për sqarim pse humbim një sasi jo aq të vogël parash, Sekretariati për çështje evropiane nuk e kishte idenë se për çfarë flasim.

“Akoma nuk ka shumë të caktuar të fondeve IPA që Maqedonia do ti humb, megjithatë kur do kemi informacion të saktë do t’ju kontaktojmë me të dhëna” thanë shkurt nga Sekretariati për çështje evropiane i udhëhequr nga Fatmir Besimi. Dhe deri më tani nuk na kanë kontaktuar.
 /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button