Përfundon pa marrëveshje takimi i liderëve me presidenten Jahjaga, ja deklaratat pas takimit

Ka përfunduar pa marrëveshje takimi i thirrur nga presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga në lidhje me tejkalimin e krizës politike.

Në këtë takim, kanë marrë pjesë kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, njëherit kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hashim Thaçi, zëvendëskryeministër dhe kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, lideri nga partia opozitar Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj si dhe përfaqësuesit e komuniteteve pakicë.

Ftesës së presidentes Jahjaga nuk i janë përgjigjur kryetarët e dy partive tjera opozitare, Visar Ymeri nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Fatmir Limaj nga partia Nisma.

Kryeministri Isa Mustafa është përqëndruar më shumë në çështjet tjera, sesa ato që kanë të bëjnë me gjetjen e ndonjë zgjidhje politike.

Ai ka ftuar opozitën që të ndalë dhunën në mënyrë që vendi të mund të ecë përpara me zbatimin e rekomandimeve evropiane në lidhje me liberalizimin e vizave dhe implementimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit.

Në asnjë rast, Mustafa nuk ka folur për ndonjë ofertë që mund t’i bëhet opozitës në lidhje me tejkalimin e gjendjes së krijuar.

Ndërkaq, kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi ka thënë pas takimit se forcat politike në pozitë dhe opozitë duhet t’i tejkalojnë dallimet që i kanë për hir të interesit shtetëror të Kosovës.

Sipas liderit të PDK-së, përfaqësuesi i opozitës në këtë takim, Ramush Haradinaj, nuk i ka ngritur fare si shqetësim temat që më së shumti përplasën skenën politike muajt e fundit, siç është çështja e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe ajo e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.

Thaçi ka thënë se Haradinaj më shumë ishte i përqendruar në çështjen e marrjes së pushtetit.

“I kemi ofruar AAK-së që të merr pjesë në komisionet e përbashkëta në hartimin e statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe të jap ekspertët e vet në komisionin vendor-ndërkombëtar në lidhje me demarkacionin me Malin e Zi”, ka theksuar Thaçi.

Sa i përket zgjedhjes së presidentit,Thaçi ka ripërsëritur se do të respektohet afati ligjor dhe procedurat kushtetuese.

Kjo ka lënë të nënkuptohet që koalicioni qeverisës ka mbetur tek qëndrimi i mëhershëm që për këtë post, kandidat i vetëm të mbetet vet Hashim Thaçi, përkundër kundërshtimeve nga opozita.

Ndërkohë që kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili doli i pari nga takimi, ka thënë se ka kërkuar që Kuvendi i Kosovës të shpërndahet dhe rrjedhimisht të shpallet edhe data e zgjedhjeve.

Po ashtu, ai ka kërkuar që presidenti i Kosovës të zgjedhet me votë të drejtpërdrejtë nga populli. Së fundit, Haradinaj është zotuar se opozita do të mbetet e bashkuar duke thënë nuk ka ndryshime.

“Mirë u pafshim më 17 shkurt”, ka thënë Haradinaj, duke iu referuar datës së caktuar nga opozita për protestën e ardhshme në të cilën do të kërkohet dorëheqja e qeverisë aktuale.

Që nga 25 gushti i vitit të kaluar, kur opozita ishte marrë vesh që veprimet e saja t’i ketë të koordinuara dhe unike, kjo është hera e parë që njëri prej liderëve nga ky taborr, në këtë rast, Ramush Haradinaj (AAK), vendos të shkojë vet në një takim të tillë me përfaqësuesit e partive në pushtet.

Takimi i thirrur nga presidentja është thëne se ka si qëllim gjetjen e një zgjidhje politike në mënyrë që Kuvendi, sidomos t’i kthehet normalitetit pas bllokimit të punës nga ana e opozitës.

Po ashtu, funksionalizimi i plotë i Kuvendit në këtë fazë, shihet si jetik për Kosovën, ngaqë brenda një muaji, ky institucion duhet të zgjedh presidentin e ri të Kosovës. Në të kundërtën, vendi do të zhytej në një krizë të thellë institucionale e politike.

Në takimin e sotëm në Zyrën e Presidentes, kanë marrë pjesë edhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delawie.

Roli i faktorit ndërkombëtar, sidomos atij amerikan, ishte përcaktues edhe në momentin e lidhjes së koalicionit aktual qeverisës ndërmjet PDK-së dhe LDK-së.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button