Revolta e profesorëve dhe punëtorëve të kulturës, ligji i shndërron në “ofrues të shërbimeve publike”

Pas të punësuarve në institucionet e kulturës, reagime dhe revoltë edhe në mesin e profesorëve. Në fakt, sipas zgjidhjeve të reja ligjore për administratën dhe të punësuarit në sektorin publik, të gjithë ata që marrin rrogë nga buxheti do të bëhen “ofrues të shërbimeve publike”, njofton analiza ekonomike javore e Portalb.mk. Sindikata e kulturës (SKRM) dhe Sindikata e punëtorëve të administratës, organeve të gjyqësisë (AOGJSH) urgjentisht kërkojnë tërheqjen dhe ndryshimin e disa ligjeve. Pakënaqësi ka edhe te të punësuarit në gjyqësi, të cilët tashmë dolën në grevë paralajmëruese.

Arsimi, gjyqësia, kultura, administrata – në shportën e njëjtë…

“Sipas zgjidhjeve të reja ligjore ne do të bëhemi “ofrues të shërbimeve publike”. Në fakultete, bëhet sistematizimi i ri dhe mblidhen të dhëna për çdo profesor, dhe në mes tjerash kërkohet prej nesh që të deklarohemi për përkatësinë kombëtare dhe atë fetare. Jemi të obliguar që këto të dhëna t’i plotësojmë në mënyrë elektronike, e nëse refuzojmë, është paraparë gjobë, gjegjësisht dënim”, thotë një profesor në njërin nga universitetet shtetërore, njofton Portalb.mk.

Institucionet e arsimit të lartë përgatisin sistematizim të ri, profesorët do të bëhen “ofrues të shërbimeve publike”, mirëpo përgatitet edhe regjistri elektronik. Këto ndryshime në nivel të fakulteteve janë pasojë e zgjidhjeve të reja ligjore për administratën dhe të punësuarit në sektorin publik, të cilat tashmë shkaktuan revolt edhe te të punësuarit në gjyqësi, në administratën publike dhe në kulturë.

“Ligji për administratë dhe Ligji për të punësuarit në sektorin publik janë dy zgjidhje të cila praktikisht janë si një pako. I paralajmëruan si reformuese, mirëpo qëllimi i tyre është që të gjithë të punësuarit në shërbimin publik, në administratën shtetërore dhe gjithçka që nënkupton punëtor që merr rrogë nga buxheti, të futen nën një ombrellë, d.m.th. të gjithë ata që marrin rrogë nga buxheti të jenë punëtorë administrativë. Tashmë i pamë edhe reagimet e para, ja të punësuarit në kulturë nuk duan dhe nuk duhet të jenë punëtorë administrativë”, thotë Peco Grujovski, kryetar i AOGJSH-it, njofton Portalb.mk.

Ndaj këtyre zgjidhjeve ligjore, duke e përfshirë edhe Ligjin për kulturë, reagoi edhe Sindikata e kulturës.

“Tashmë dy vite flasim për pakënaqësinë tonë nga ndryshimet në Ligjin për kulturë, ku të punësuarit në kulturë janë të barazuar me administratën publike dhe në të cilin ata në mënyrë nënçmuese janë quajtur si “ofrues të shërbimeve publike”. Tani në praktikë shihet dhe dëshmohet se këto ndryshime në ligj kushtëzojnë një sërë situatash të pazgjidhshme dhe restriksionesh për të punësuarit, dhe me këtë rast nuk ofrojnë ndonjë përmirësim dhe efikasitet në punë. Prandaj, përsëri në mënyrë kategorike insistojmë: Të përgatitet ligj krejtësisht i ri për kulturë në të cilin do të hiqen të gjitha ndryshimet jokushtetuese për barazim të punëtorëve të kulturës me administratën publike – thonë nga Sindikati i kulturës.

Të punësuarit në kulturë, gjyqësi, administratë ballafaqohen me zgjidhje të ngjashme ligjore, të cilat, sipas Grujovskit, janë të paqarta dhe rigoroze.

“Njëra nga zgjidhjet më problematike është vlerësimi. Në fakt, me një vlerësim negativ mund të humbet vendi i punës, ndërsa nëse dy vite me radhë i punësuari merr notë dysh, përsëri ballafaqohet me humbjen e punës. Në vlerësim, kolegët marrin pjesë me 40%, ndërsa vota e udhëheqësit me 60%, në notën e përgjithshme”, thonë nga AOGJSH-ja dhe sqarojnë se në “pakon e ligjeve evropiane” është edhe Ligji për nëpunësit gjyqësorë.

“Jo vetëm ligjet për administratë dhe për sektorin publik, por problematik është edhe Ligji për nëpunësit gjyqësorë, për të cilin tashmë kërkuam që të tërhiqet. Në fakt, ne si sindikata deri te Ministria për Drejtësi dorëzuam propozim-ligj të ri, mirëpo deri tani nuk kemi përgjigje”, thotë për Portalb.mk sindikalisti Grujovski.

Ndryshime të zgjdhjes ligjore kërkojnë edhe të punësuarit në kulturë. Ata kanë ofruar të ndihmojnë në përgatitjen e një ligji të ri, siç thonë, bashkëkohor, të harmonizuar me legjislacionin evropian, i cili do të paraqesë bazë juridike për funksionimin normal dhe avancimin e sferës kulturore.

“Vlerësojmë se zgjidhja aktuale ligjore është vetëm vegël për sanksionim dhe vlerësim josubjektiv. Kultura (madje edhe në kuptimin e ngushtë të termit) është një fenomen tepër i gjerë që të mund të përfshihet me një ligj të vetëm. Në të duhet të hiqen të gjitha nenet të cilat çdokund në botë zgjidhen në ligjet për marrëdhëniet e punës, si dhe në marrëveshjet kolektive, mirëpo assesi në Ligjin për kulturë, si për shembull çështjet nga fusha e të drejtave nga marrëdhënia e punës, klasifikimi i vendeve të punës – nivelet dhe kategoritë; vlerësimi i punëtorëve, zvogëlimi i rrogave dhe shpërndarja në vende më të ulëta të punës, masat diciplinore, kushtet e veçanta për njohjen e gjuhëve të huaja dhe certifikatet për punë me programet kompjuterike për punë zyre, mënyrat e plotësimit të vendeve të punës në kulturë; procedurat për zgjedhjen e kandidatëve gjatë punësimeve, procedurat për avancim etj. Ligji për kulturë nuk guxon të formësohet si mjet për kontroll të institucioneve dhe të punësuarve dhe si mënyrë për vënien e kulturës në korniza të ngushta burokratike me qëllim të manipulimit dhe udhëheqjes më të lehtë me të punësuarit në këtë sektor”, thonë punëtorët e kulturës.

Nga radhët e profesorëve vijnë informata iniciale se disa nga nenet e zgjidhjeve aktuale ligjore mund të përfundojnë në Gjykatën Kushtetuese, njofton Portalb.mk.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button