Një popull i përçarë është një popull i humbur

Janë do personalitete me emër dhe vepër të pavdekshme. Të tillët janë imazhe qytetërimesh, diej orientues drejt së ardhmes, shembuj që duhet ndjekur. Ata janë meteorë të rrallë edhe për etnitë e mëdha, po ne jemi me fat dhe i kemi me shumicë në raport me përmasat e shtatit të tkurrur me meritën e tjetrit dhe me fajin tonë. I kemi, pra, po a jemi të vetëdijshëm për këtë, a i çmojmë në shkallën e duhur, a i bëjmë model urtësie, atdhetarie, njerzillëku…, a u japim të paktën varr për hor…

Një emblemë e tillë është Anton Harapi – mendimtari e atdhetari me emër e mbiemër të përveçëm, që ringjallet si Feniksi, sa herë na merr gjumi dhe qenia jonë bëhet therrë në sy askushësh.

Ta dëgjojmë:

Atdhetarizëm do të thotë dashuri për njerëz, dashuri e sinqertë, dashuri vepruese, dashuri ideale…

Atdhetarizëm nuk do me thënë ideal në tym, fjalë të mëdha kumbuese. Jo. Faktorët e idesë “atdhetarizëm” janë cilësitë e shpirtit tonë për therori, për detyrë, për vepra dhe bashkëpunim kundrejt atij vendi, kundrejt atij grupi njerëzish që quhet Shqipëri dhe shqiptarë…

Atdhetarizëm nuk do me thënë interes dhe egoizëm, por do të thotë altruizëm, madhështi shpirtërore, fisnikëri ndjenjash, kontribut nderi, morali, kulture, diturie, arti, qytetërimi, duke filluar nga vetja dhe duke e shtënë dhe përhapur në jetë dhe në mendësi të gjithë atyrevet me të cilët e kemi të njëjtë thesarin e gjuhës e të shpirtit dhe lumturinë e jetës.

Zotërinj, njerëzit e bëjnë Shqipërinë dhe jo sendet; virtyti dhe zotësija janë dinamoja e atdheut dhe jo motorat e makinat; fuqia dhe madhështia e atdheut nuk maten me barometrin e pasurisë, as me kompasin e dobisë, por me sasinë e njerëzve krijues në dituri e në art, të plotësuar edhe me karakterin moral në jetën private e publike…

Këtu unë me ballin hapur ju dal përpara dhe ju them: këto na detyron feja të bëjmë në shërbim të atdheut.

Dëgjoni ç’na thotë neve feja: Shqiptar, ti ke detyrë kundrejt atdheut, sikurse ke detyrë kundrejt prindërve dhe familjes sate; mosplotësimi i detyrave kundrejt atdheut është njësoj si mosplotësimi i detyrave kundrejt nënës e babës, si e shkelura e një detyre të domosdoshme.

Nënshtetas shqiptar, as Zoti, as njeriu, asnjë autoritet nuk të liron prej kësaj detyre. Po u bëre fajtor me përtesën dhe dobësinë tënde, shih se je i dënuar përpara Zotit dhe përpara njeriut. Edhe po t’u shpëtosh njerëzve, nuk ke si t’i shpëtosh Perëndisë.

Çfarë detyre kemi ne sot kundrejt njëri-tjetrit dhe atdheut? Të vëmë gurin e themelit të kulturës kombëtare! Të bëjmë bashkimin me të vëtretë vëllazëror të shqiptarëve!

Vëreni re. Shikojeni me dhembshuri, qajeni me lot gjaku përçarjen e kobshme midis nesh.

Nuk jemi lindur të këqij, as nuk u bëmë ne vet të këqij. Fati i lig dhe duart armike na kanë lënë të prishur, të armiqësuar, të ndarë njëri me tjetrin. Na dhemb shpirti, por do ta rrëfejmë: Shqipëria dhe shqiptarët sot nuk e kanë unitetin dhe vëllazërimin e dashur.

Ndryshimet në besim, antagonizmat krahinore, mungesa e përpjekjeve shoqërore, mendësitë e kundërta, orientimet politike dhe ajo çka është më e keqe armiqësitë e përparshme dhe të tashme, të ushqyera me antipati dhe inate vetjake, na bëjnë të jetojmë të përçarë pikërisht ndër ato pika dhe ndër ato punë ku duhet të ishim më të bashkuar për të bërë një Shqipëri të fortë, të lumtur, të pasur dhe të përmendur.

Të ngadhnjejë harmonia me të vërtetë vëllazërore kundrejt gjithë këtyre ndryshimeve. Kjo është detyra, ky është misioni i brezit të sotëm! Sepse, duhet ta dini mirë: një popull i përçarë është një popull i humbur.

Kështu flet e kështu fliste Anton Harapi sa herë i jepej mundësia t’u drejtohet vëllezërve, pa dallim feje, krahine e dielekti.

Ai edhe para pushkatimit (1946) pati kurajo të ruajë shpirtin dhe t’na lë amanetin e dhimbshëm: “A e dini se çdo ndertese i vihen temelet n’dhe? Edhe pse n’varr, na hijshem duhet t’jemi gurt e temelit t’njiasaj binaje t’cillin sot e quejm Shqypni”. 

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Një koment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button