Rama i tha JO Shqipërisë!

Ditë më parë premieri shqiptar Edi Rama e tha një JO shumë të madhe. Madje atë ia tha, hiç më pak se mikut shekullor të shqiptarëve. Atij mikut tanë strategjik që për ne gati një shekull bëri atë, që nga afro dy mijë popuj në botë, në gishta mund të numërohen ata popuj që gëzuan aso mbrojtje dhe përkëdhelje. Madje sikur edhe t’i lejmë ato benefite që shtetit i janë ofruar në shumë segmente – integruese, ekonomike e komerciale, shqiptarët nuk kanë guxuar të thonë jo. Përse përfundoi me këso epilogu? A nuk kishte forma dhe variante më fleksibile që megjithatë diçka të bëhej që të mund të kishim edhe ujkun e ngirë edhe delet në numër? Përse një lojë kaq e dobët e Ramës? Përse kaq manipulim nga “proamerikani” Berisha, i cili vazhdon Bashës t’i hyp mbi shpinë? A aq shpejtë u harrua se po të mos e kishim atë mikun tonë, sot Kosova do të ishte më tepër se Shumadi. Se Shqipëria ndoshta aspak nuk do të ishte shtet. Sot në botë kemi plotë kombe me dhjetëra e qindra milion banorë që nuk kanë shtete të tyre (Balluxhët 70 milion, Kurdët 30 milion banorë). 

Ndjehem i indinjuar, madje edhe i nënçmuar, pasi ndokush ma theu edhe ate pak krenari. Tani ndjehem jokrenarë. Aq më tepër i dëshpruar. Pasi prisit tanë bënë të ndjehem si një person aspak mirënjohës. Si bukëshkelës. Njësoj sikur dokend e keni rritur me shumë mundime, kurse në një moment ai ua këthen: “Unë shof punën time”. Por, ndonjëherë nuk jemi të vetëdijshëm se mu atëherë jemi totalisht të verbër ndaj punëve tona.
Ekspertët të cilët njohin mirë këtë materie, shprehin habi për reagimin tejet histerik të disa politikanëve, analistëve, gazetarëve, shoqatave. Pa e njohur aspak problematikën konkrete, të gjithë u shndërruan në Ajnshtajna të vërtetë. Kur qenkan aq të brengosur për ekologjinë vendase, atëherë përse rinë aq indiferent ndaj situatës alarmuese dhe tmerruese ambientale në Shqipëri? Oxhakët çdo ditë hedhin nga një bombë kimike ne ajrin shqiptar. Është fakt se për shumë parametra, ndotja në Shqipëri është dhjetëfish më tepër se sa e lejuara. Ujërat e zeza nga çdo anë derdhen në plazhet që të vetmin kualitet kanë atë që ua ka falë Zoti. E që ua prishë njeriu. Njeriu që aq zëshëm proteston. Aty lahen fëmijët tanë. Diçka që me mijëra herë është më e dëmshme se ndonjë pasojë simbolike që mund të ndodhte gjatë shkatërrimit të armatimit kimik sirian në masa totale të sigurisë dhe me teknologji të sofistikuar. Kjo njëherit do t’i ndihmonte shtetit shqiptarë që me zero pasoja të lirohej edhe nga potenciali i vjetërsuar dhe tejet i rrezikshëm i armëve kimike nga Kina e MaoCe Dunit. Ekspertët informojnë se vetëm një fazë e asgjësimit do të realizohej në Shqipëri, kurse mbeturinat që janë shumë më rrezikshme do të asgjësohen në Gjermani e Francë. Atje ku ekologjia ka kaluar gati në fanatizëm.

A kishte mundësi Rama të thoshte PO për asgjësim të pjesërishëm? Sigurisht se po. Por, ai bëri gabim të madh pasi priste që ndokush tjetër, e jo ai vet, do ta kryej punën rreth bindjes së opinionit, kurse ai vetëm të mund ta zbukurojë kolltukun qeveritar. Kështu që atë terren me shpejtësi të madhe e okupuan manipulantët politik e mediatik. Premieri duheshe që ditën e parë të hap debate publike kompetente dhe profesionale (të ekspertëve dhe profesionistëve të brendshëm dhe të jashtëm) për gjithë procesin. Përkundrazi, ai u mbyll në kodin e vet mental i bindur se fjala e popullit është baras me fjalën e Zotit. Apo nga frika se do ta akuzonin se kishte tradhtuar atë popull. Por, ai harroi se fjala e Zotit është shumë më tepër fjalë e arsyes se sa e zemrës apo frikës. Ai mbeti pas popullit, në vend që të jetë para tij. Ai u mbyllë në kafaz dhe në fund deklaroi se do ta ndjekë popullin. Do të shkojë pas tij, e jo para tij !!!

Diçka e ngjashme me Gruevski i këtuit për emrin. Por, ky i fundit atë problem e manipulon për interesa të ngushta personale e familjare. Por, çka e shtiu Ramën?!! Ai sikur nuk e di se vendimet politike merren me kokë e përgjegjësi, e jo me zemër e me frikë. Të gjithë liderët që kanë mbetur në histori kanë bërë atë që në start masa e ka pas vështirë t’i kuptoj, madje edhe e ka keqkuptuar. Po, koha ka dëshmuar për madhërinë e tyre dhe vendimeve të tyre. Tani mbetet të mbetemi në histori pasi gabimin që bëmë është historik. S’e di se a ka mbetur një grimcë shprese që diçka të përmirësohet nga ne shqiptarët ?! Rene jo rastësisht ka thëntë – nuk ka situata të mjerueshme, por ka lider të mjerueshëm. Neve sikur gjithherë na ndodhë që në mes të dy të këqijave t’i zgjedhim që të dyjat.  

Lajme të ngjashme

Back to top button