Eco Guerilla me të fakte të reja: Pas mbylljes së Jugohromit ulet ndotja e ajrit!

Pas mbylljes së Jugohromit më 31 Dhjetor 2015 Eco Guerilla ka analizuar të dhënat për ndotjen e ajrit të muajit Janar 2016 (kur nuk punon Jugohrom) dhe të njëjtat t’i krahasojë me të dhënat e muajit Janar 2015 (kur ka punuar Jugohrom), raporton Portalb.

Në Tetovë, Janari i vitit 2016 rezulton të jetë për afër 40% më i pastër nga Janari i vitit 2015. Për të parë nëse ky është një trend pozitiv në gjithë vendin apo ka të bëjë vetëm me Tetovën, kemi bërë të njëjtën analizë edhe për komunën Qendër në Shkup. Edhe në komunën Qendër të Shkupit, Janari i vitit 2016 rezulton të jetë për vetëm 7% më i pastër nga Janari i vitit 2015.

“Të dhëna tregojnë se ajri i Tetovës pa Jugohromin është për afër 40% më i pastër, por kjo nuk do të thotë se duhet të bëhemi rehat dhe ta lëmë me kaq”, tha Arianit Xhaferi nga Eco Guerilla.

Sipas tij, edhe pse pak më i pastër, ajri jonë nuk është akoma në nivelin e lejuar.

Prandaj, gjatë periudhës që pason Eco Guerilla zotohen se do të fokusohen në realizimin e planeve dhe kërkesave tjera, të cilat përfshijnë:

  1. Kontroll më të rreptë të të gjitha kapaciteteve industriale, të mesme ose të vogla nga ana e inspektoratëve ekologjike
  2. Zgjidhje e përhershme e problemit të deponisë në Tetovë
  3. Pastrimin dhe larjen e rregullt të rrugëve të Tetovës nga pluhuri i madh që poashtu ngrit nivelin e grimcave PM10 në ajër
  4. Aplikimin e masave adekuate për veturat që nuk plotësojnë standardet ekologjike
  5. Organizimin e transportit publik me autobusë me standarde të larta ekologjike
  6. Të investohet në ndërtimin e rrjetit të gazit natyror në rajonin e Pollogut
  7. Vënien nën kontroll të invazionit ndërtimor sidomos gjatë kohës së ndotjes më të lartë
  8. Shtimin dhe zgjerimin e hapësirave të gjelbërta në qytet

“Presim nga Qeveria dhe Institucionet Shtetërore të respektojnë Kushtetutën e vendit si dhe konventat ndërkombëtare. Nuk duhet të lejohet as në Tetovë e as në ndonjë qytet tjetër në Maqedoni që çfarëdo fabrike të punojë në kundërshtim me ligjet dhe në dëm të shëndetit të qindra mijëra qytetarëve të asaj zone. Presim nga Komuna e Tetovës që të ndërmarrë sa më shpejtë hapa për zgjidhjen e problemeve që janë nën kompetenca të tyre. Si është e mundur që në mënyrë aksidentale apo incidentale në mes të ditës së djeshme, në lagje të banuar ku gjenden disa shkolla publike, qendra tregtare dhe çerdhe fëmijësh të digjen mbeturina? A thua sa herë gjatë natës përsëritet ky krim me çka vjen deri tek rritja e përnjëhershme e ndotjes, dhe rënia frapante pas vetëm gjysëm ore apo një ore?”- potencoi mes tjerash Xhaferi./Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button