Mavraj: Ja përse qëndrova te Kolni, mendoj për Europianin

Mërgim Mavraj është rikthyer në fushë si titullar me Këlnin në Bundesligë pas 260 ditësh. Duhet të rikthehesh pas në ndeshjen e 16 majit, kur Këln është mundur me rezultatin 2-0 nga Mainz, për të gjetur mbrojtësin me minutazh të plotë në një sfidë në kategorinë më të lartë të futbollit gjerman.

Pas shumë diskutimesh dhe aludimesh edhe për largim, mbrojtësi i Kombëtares ka arritur të gjejë një vend në formacionin titullar në ndeshjen ku skuadra e tij ka barazuar 1-1 me Volfsburgun. Janë dashur më shumë se tetë muaj e gjysmë që futbollisti 29-vjeçar të rikthehet në Bundesligë si titullar për shkak të dëmtimit që e detyroi të kryejë operacion në gju më 13 qershor 2015, shkruan PanoramaSport.

Mavraj rrëfen për “Panorama Sport” bisedën me trajnerin, kërkesat për drejtuesit e klubit dhe sfidën që e pret deri në fund të sezonit.

Cili ishte mendimi dhe ndjesia e parë që ju erdhi në mendje sapo u futët në fushë?

Nuk kisha emocione të veçanta. Vetëm isha i fokusuar te ndeshja dhe fakti që ky ishte hapi i radhës drejt Francës. Sepse ky është synimi im tani për tani, deri në momentin që do të fillojë kampionati europian. Deri atëherë, në çdo gjë do t’i kushtohem përgatitjes për të qenë gati për sfidat në Francë. 90 minuta lojë pas disa muajsh larg fushës.

A është tashmë gati edhe gjuri juaj për sfidat në Bundesligë?

E falënderoj Zotin që më forcoi zemrën dhe këmbët. Nuk kisha aspak problem gjatë ndeshjes dhe nuk ndjeva asnjë lloj shqetësimi. Keni pasur një takim me trajnerin pas stërvitjes përpara dy ditësh.

Cilat ishin kërkesat reciproke mes jush?

Po, kam komunikuar me të dhe më bëri të ditur që nuk do të më lejojë të largohem nga skuadra.

Përse, dëshira juaj ishte për të ikur?

Pas ndeshjes së parë që nuk luajta, po! Kam dashur të iki dhe këtë ia kam komunikuar trajnerit, ashtu si edhe drejtuesve të klubit.

A morët garanci nga trajneri që do të keni minuta të mjaftueshme deri në fund të këtij sezoni?

Nuk ka garanci në këtë jetë…

A mendoni se mund ta fitoni shpejt vendin e titullarit?

Do mundohem! Me shumë stërvitje dhe vullnet, shpresoj t’ia arrij. Por e përsëris që garanci nuk ka asnjëherë.

A duhet të shqetësohen tifozët kuqezi, që ju, Cana, Kukeli, Basha, Kaçe, Gashi dhe Rama nuk po luani rregullisht me skuadrat tuaja? A do të ndikojë kjo në rendimentin e Europianit?

Këto gjëra duhet të vlerësohen nga trajneri, pasi ai e ka në dorë këtë pjesë. Por, di të them se të gjithë ne kemi treguar vlerat tona në secilën sfidë me Kombëtaren dhe çdokush e di se çfarë i kemi dhënë ne asaj. Këto kualitete nuk humbasin edhe nëse trajneri i skuadrës së secilit nuk i aktivizon në kampionatet respektive.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button