АNALIZË: Ku u zvogëluan e ku u rritën rrogat në vitin 2015?

Punëdhënësit i bëjnë llogaritë përfundimtare. Prej 1 janarit hyri në fuqi rritja ligjore e rrogës minimale për 490 denarë ose në nivel të 10.080 denarëve. Në industrinë e tekstilit dhe të lëkurës, rroga minimale u rrit në 9.000 denarë. Edhe me këtë rritje, rroga minimale e Maqedonisë në krahasim me mesataren evropiane është për 12 herë me vogël, njofton analiza ekonomike javore e Portalb.mk. Nga ana tjetër, të dhënat e fundit të Entit për statistikë tregojnë se në nëntor në krahasim me tetorin e vitit të kaluar, rroga mesatare neto është zvogëluar për 1,1 për qind. Ku janë rritur, e ku janë zvogëluar rrogat?

Rrogat më të ulëta zvogëlohen, më të lartat rriten…

Në nivel mujor, zvogëlohet rroga neto mujore. Të dhënat e fundit tregojnë se në nëntor mesatarja e rrogës së paguar neto ka qenë 357 еuro, që është për pothuajse 4 еuro, ose 1,1% më pak në krahasim me rrogën e paguar në tetor. Në nivel mujor, rënie të rrogave është regjistruar edhe në sektorin e industrisë dhe në sektorin e shërbimeve.

Analiza e të dhënave që e bëri “Portalb”-i, tregon se në nëntor rrogat janë zvogëluar në këto sektorë: në bujqësi për 1,5%, në industrinë ushqimore ka rënie të rrogave prej 0,8%, në ndërtimtari për 2,6%, në furnizimin me energjinë elektrike 0,8%, pastaj zvogëlim ka edhe në sektorin e xehetarisë prej 7%, në tregti për 2% dhe në transport ka rënie të rrogës mujore për 1,5% në krahasim me muajin tetor. Nga ana tjetër, rritje e rrogave është regjistruar në sektorin informatik për 1,2%, në veprimtaritë financiare ka rritje prej 4%, në veprimtaritë profesionale dhe shkencore ka rritje prej 2%, ndërsa në arsim për 0,4%.

Sa i përket lartësisë së të ardhurave mujore, më të paguar janë të punësuarit në veprimtaritë financiare, informatikanët, shërbimet profesionale dhe shkencore.

Ja se në cilët sektorë, sa është rroga mesatare: në bujqësi 16.058 denarë, në xehetari 16.783 denarë, në ndërtimtari 19.737 denarë, në tregti me shumicë 19.705 denarë, në transport 22.356 denarë, në informatikë 35.924 denarë, në veprimtaritë financiare 41.407, ndërsa në veprimtaritë e tjera profesionale dhe shkencore, rroga mesatare mujore është 28.035 denarë. Në arsim, në nëntor rroga mesatare ka qenë 22.304 ndërsa në administratën publike 26.368 denarë. Nëse këto rroga krahasohen me mesataren në muajin tetor, mund të përfundohet se ato që janë ndër më të ulëtat, zvogëlohen edhe më tepër, ndërsa te ato më të lartat është regjistruar rritje, njofton Portalb.mk.

Përderisa statistika shtetërore në nivel mujor shënon rënie të rrogës mesatare mujore, ndërsa në nivel vjetor rritje, sektori privat bën llogaritje të reja. Prej fillimit të vitit, rroga minimale u rrit në 10.080 denarë ose për 490 denarë më tepër në krahasim me rrogën minimale që është paguar në vitin 2015. Industria tekstile dhe ajo e lëkurës edhe më tej ngecin në krahasim me lartësinë e rrogës minimale. Në fakt, në këto sektorë rroga minimale u rrit në 9.000 denarë, ndërsa barazimi në nivel shtetëror duhet të arrihet në vitin 2017.

Edhe me këtë rritje të rrogës minimale, vendi në krahasim me një pjesë të vendeve të rajonit dhe të ekonomive evropiane ngec mjaft. Sipas statistikës evropiane, Kosova ka rrogë më të ulët minimale nga vendet e Ballkanit Perëndimor prej 130 еurosh, ndërsa rroga minimale në Shqipëri është rreth 150 еuro. Më të mirë se ne janë edhe Mali i Zi me 193 еuro dhe Bosnja dhe Hercegovina me 191 euro, ndërsa rroga minimale në Serbi është 174 еuro.

Маqedonia ishte njëra nga vendet e fundit të rajonit dhe të Evropës, e cila me ligj e përcaktoi lartësinë e rrogës minimale, e cila duhet ta mbrojë standardin e punëtorëve, mirëpo edhe të drejtat e tyre.

Jo vetëm sa i përket rrogës minimale, Maqedonia bën pjesë në grupin e vendeve me rrogë më të ulët mesatare. Аnaliza e të dhënave zyrtare, deri te të cilat erdhi “Portalb”-i, tregon se vendi në krahasim me një pjesë të ekonomive rajonale, ngec edhe sipas këtij parametri.

                           Rroga mujore neto:

 

Tabela e rrogave1

Nën mesataren shtetërore janë edhe rrogat që paguhen në fabrikat e investitorëve të huaj. Para do kohësh, nga Këshilli për investitorët e huaj publikuan se rroga mesatare në zonat e lira ekonomike është 262 еuro dhe se ajo qenka afër mesatares që e paguajnë kompanitë vendore në industri.

“Dallimi në rroga është minimal. Pagesa e rrogës bruto në zonat teknologjike nuk dallon nga rroga bruto në gjithë territorin e vendit dhe ajo është proporcionale me pozitat dhe detyrat e punës së të punësuarve. Personat udhëheqës dhe menaxhmenti mesatar i kompanive është i paguar më mirë. Kompanitë e huaja plotësisht i paguajnë kontributet për sigurim social dhe pensional dhe të punësuarit paguhen në përputhje me rrogën minimale të garantuar me ligj – deklaroi për Portalb.mk, Vllatko Stojanovski nga Këshilli i investimeve të huaja në kuadër të Odës ekonomike.

Përndryshe, rrogat në kompanitë e huaja që punojnë në zonat e lira ekonomike janë të subvencionuara në baza të ndryshme, gjegjësisht, përveç lirimeve tatimore për rrogat, investitorët marrin edhe ndihmë shtetërore për trajnim dhe kualifikim të të punësuarve. Të dhënat më të reja nga shporta sindikale tregojnë se në nëntor, për të mbijetuar, një familjeje i janë nevojitur 32.279 denarë ose 525 еuro dhe nëse nevojat krahasohen me mesataren shtetërore të rrogës, nën supozimin se një familje jeton me një rrogë mesatare mujore, atëherë buxhetit familjar i mungojnë 168 еuro që të mund t’i mbulojë të gjitha shpenzimet dhe nevojat. /Portalb.mk

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button