Armët siriane dhe kurrizi i shqiptarëve

Kushdo që e merr detyrën e përditësimit të fjalorit të gjuhës shqipe, do të duhet t’i gjejë një përkufizim tjetër fjalëve “vetëdije” dhe “atdhedashuri”. Alternativa e kësaj, është që të jemi të sinqertë ndaj vetes dhe të pranojmë se nuk e kemi kuptuar domethënien e tyre, ose që jemi aq pa kurriz sa nuk çajmë kokën as për qenien tonë. Pavarësisht nëse realizohet plani për sjelljen e armëve kimike siriane në Shqipëri, kjo duhet bërë sa më parë.

Si mund të shpjegohet ndryshe heshtja totale për rrezikun e shndërrimit të Shqipërisë në një vend plehrash? Ku janë alamet profesorët, këshilltarët rajonalë dhe OJQ-istët e pafund që nuk thonë një fjalë goje? Për përgjegjësinë e politikanëve të Shqipërisë dhe rajonit nuk diskutohet, meqë shumica e tyre tashmë kanë dëshmuar që nuk kanë asnjë ndjenjë të përgjegjësisë dhe atdhedashurisë. Po të ishte ndryshe, nuk do të ishim këtu ku jemi.
Kur i japim vetes gajret të tipit “çka di populli, ai nuk ka faj”, logjikisht pason pyetja se kush na paska faj? Arushat polare duhen fajësuar që pjesa dërmuese e autoriteteve të vetë-shpallura dhe zyrtarët nuk bëjnë zë për një çështje kaq qenësore? Apo sërish do t’ia hedhim përgjegjësinë armiqve për t’ia lehtësuar vetes? Kuptohet, lirimi nga përgjegjësia e ndihmon gjumin e rehatshëm, por kjo vetëm flet për mentalitetin e të nënshtruarit që e kemi të ngulitur pavarësisht legjendave xhamadani vija vija. Thellë në vete, ne presim që dikush tjetër të kujdeset për të mirën tonë. Kështu, dëshmojmë që jemi të paaftë për ta marrë në dorë edhe jetën që e kemi, se për tjetër as që bëhet fjalë.

Po, këto rreshta mund ta provokojnë eksplodimin e ndjenjave hiper-patriotike dhe sipas traditës, dyshimi lehtësisht të hidhet mbi autorin dhe jo problemin e trajtuar. Duke vepruar kështu gjithmonë kur trajtohen çështjet që i kontestojnë përrallat dhe legjendat gojore në të cilat besojmë, ne harrojmë të pyetemi se çka bëjmë ne për mirëqenien tonë dhe si e shprehim përgjegjësinë për jetën dhe botën në të cilën jetojmë.

Tani është e parëndësishme nëse armët kimike që i heq qafe Siria do të zbarkojnë në Shqipëri. Heshtja kompakte e shumicës është simbolikë e fortë. Mos mbani dert se ata lartë e dinë, nuk mund të jetë keq. Me një mentalitet të këtillë, ne dëshmojmë që jemi popull pa kurriz, që nuk prononcohet as edhe atëherë kur rreziku për vetë-shkatërrim është tepër i prekshëm. Në ardhmëri, gjatë çdo vlerësimi për ne do të shtrohet pyetja se për çka brengosen këta njerëz, kur kalojnë heshtur para një vendimi që prek secilin, me gjasë që t’ia shkatërrojnë jetën edhe gjeneratave të ardhshme.    

Ne as që jemi të vetëdijshëm sa qesharakë dukemi kur flasim për ideale, demokraci, Evropë, synime dhe standarde. Është marrëzi të pritet që nesër të na kuptojnë seriozisht për çfarëdo teme, kur dihet që pjesa dërmuese ka heshtur për një çështje që prek absolutisht çdonjërin, në rajon dhe më gjerë.

Tashmë e kemi humbur të drejtën morale për çfarëdo kërkesë për ndreqje të padrejtësive historike, kthimit të pronave ose votave të vjedhura. Protestat për këto kauza vetëm do ta dëshmojnë se ne i vlerësojmë ato më tepër se shëndetin tonë. Për më tepër, kjo shihet edhe në argumentin kyç të atyre që nuk kanë problem ta shndërrojnë atdheun për të cilin rrahin gjoks në depo globale të armëve që nuk i do askush. Në momentin kur gjuha së pari flet për profitin potencial – politik ose ekonomik – tregohet qartë se ku dhemb dhëmbi. Për këtë ka fjalë tjetër në fjalor. Materializmi nuk duhet përzier me përgjegjësinë dhe patriotizmin.

Meqë si popull merremi me çështje madhore dhe jo me imtësi si efektet e armëve kimike mbi shëndetin, tash lirisht mund t’i kthehemi temave qenësore, si rrënjët iliro-pellazge, gjuha shqipe në autobusët e Shkupit, orientimi me lindjen ose perëndimi… Në ndërkohë mund të pyetemi çka do të thotë kur prej potuajse 200 shteteve në botë, është pikërisht Shqipëria që trajtohet si vend për deponimin e plehut. Nëse ende nuk qartësohen gjërat, duhet rikujtuar që zona e trajtuar për këtë operacion është në distancë prej 100 kilometrave vijë ajrore nga Shkupi. Ata që e mbajnë mend tërmetin e shkaktuar nga Gërdeci, e dinë çka do të thotë kjo. 

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button