Centralet me erë, së shpejti në Maqedoni

Parku i centraleve me erë (PCE), Bogdanci hyn në fazën e tij finale nga ndërtimi, pasi që dje nga porti në Selanik përmes vendkalimit kufitar Bogorodicë ka filluar transporti i komponentëve, nga të cilët do të ndërtohen turbinat me erë.

Në ELEM thonë se bëhet fjalë për operacion kryesisht të ndërlikuar për shkak se për transport të një turbine me erë, komponentet janë të sistemuara në dhjetë kamionë të mëdhenj, që formojnë karvan më të gjatë se një kilometër. Pesha e të gjitha komponenteve të sistemuara në kamionë tejkalon 330 tonë.

“Në ditët në vijim do të fillojë edhe montimi i turbinave me erë, ndërsa paralelisht do të vazhdojnë të arrijnë dhe të montohen turbinat e tjera në lokalitetet Ranavec afër Bogdancit. Konform dinamikës së vendosur do të transportohen nga dy turbina me erë në javë, që si operacion do të vijojë në dy muajt e ardhshëm, ndërsa parku me erë pritet të vendoset në funksion gjatë tremujorit të parë të vitit të ardhshëm”, deklaroi Dejan Boshkovski, drejtor i përgjithshëm i SHA ELEM.

Turbinat, prodhim i Simens – Danimarkë, janë mes më të mirave në klasën e tyre. Fuqia e instaluar e secilës prej tyre është 2,3 megavatë, lartësia e shtyllës arrin 84 metra, ndërsa diametri i helikës 93 metra.

Ky projekt është me vlerë prej 55,5 milionë euro, SHA ELEM merr pjesë me 7,6 milionë euro mjete vetjake, ndërsa 47,9 milionë euro janë siguruar me hua nga Qeveria e Republikës Federale të Gjermanisë përmes Bankës KFV.

Lajme të ngjashme

Back to top button