Agolli: Po erdhën armët kimike do të vdesim të tërë. Ngjela: Të gjithë në këmbë kundër

Armët kimike provokojnë reagime të ashpra edhe tek njerëzit publikë afër mazhorancës së Ramës. Shkrimtari i njohur, Dritëro Agolli, avokati Spartak Ngjela dhe ish-deputeti i PS-së, Marko Bello janë shprehur me forcë kundër planit të shkatërrimit të këtyre helmeve në territorin shqiptar.

“Po erdhën armët kimike në Shqipëri, do të vdesim të tërë”,- ishte përgjigja që Dritëro Agolli u dha gazetarëve, pas promovimit të librit të tij më të ri.

Një reagim i ngjashëm, jo më pak “apokaliptik” ka ardhur nga Ngjela, që qëndrimin e tij për këtë çështje e ka ndarë me miqtë e tij në Facebook. “Sot ndihet të ketë një tension të madh shoqëror në lidhje me çështjen e pranimit të çmontimit të armëve kimike në Shqipëri. Por ky tension ende mbetet i pashfaqur si forcë. Askush nuk duhet të mendojë se kjo është një çështje e lehtë; madje, përkundrazi, ky është një akt i papërgjegjshëm që e kthen Shqipërinë në një varrezë të mundshme”-shkruan Ngjela, i cili sheh një problem edhe në heshtjen e gjatë të Ramës për këtë çështje.

Avokat Ngjela e shikon si një mendim të keq heshtjen e kryeministrit, kur e gjithë Shqipëria është e përfshirë në këtë shqetësim. “Një kryeministër që nuk i përgjigjet shqetësimit shoqëror, dhe hesht kur duhet të flasë, nuk është më kryeministër i asaj shoqërie. Këtë duhet të kuptojnë shqiptarët sot. Prandaj, të gjithë duhet të ngrihen në këmbë, për të mbrojtur veten nga një agresion helmues”,-shton më tej avokati. Pyetjes së mbetur ende pa përgjigje se përse në Shqipëri, Ngjela i është përgjigjur se askush tjetër nuk i pranon këto armë për çmontim. As Italia, që është vendi më i afërt me Sirinë.

“Po ne shqiptarët, a s’jemi dhe ne të aftë që të shpëtojmë nga rreziku që po kërkon të na imponojë një qeveri profane që po tregon se nuk e ka forcën e përfaqësimit dinjitoz të popullit të vet”?”-e mbyll me pyetje këtë postim në Facebook Ngjela.

Marko Bello, ish-deputet dhe ministër i së majtës është ndalur tek spekulimi sipas tij me fjalën detyrim ndaj NATO-s, ndërsa shprehet qartazi kundër mbërritjes në Shqipëri të armëve kimike.

“Kjo është gënjeshtra më e madhe, pasi NATO nuk ka asnjë lidhje direkte dhe nuk duket e angazhuar për këtë çështje. Na servirin pastaj Rezolutën e OKB-së si detyrim për ne, kur ajo rezolutë nuk është fare detyruese”,-shton më tej Bello. E ndërsa i është referuar pretendimit se presioni vjen nga SHBA, e cila ka rënë në kurthin e Rusisë për çarmatosjen paqësore të regjimit sirian. “E vërteta është se SHBA, aleati ynë më i rëndësishëm dhe strategjik, nuk detyron askënd me pahir, por ka qenë zelli i tepruar i drejtuesve të shtetit shqiptar, ai që ia ka lehtësuar sikletin të gjithë atyre që u bënë pjesë e zgjidhjes së problemit sirian. Kam parasysh presidentin, kryeministrin, partitë politike parlamentare, përfshi edhe opozitën që fshihet si struci”,-shton më tej Bello. Sipas tij, populli shqiptar dhe e ardhmja e fëmijëve të tyre janë sot të rrezikuar nga veprimi absurd dhe foshnjarak i të votuarve për të qeverisur, e të fituarit e gjithë kësaj historie janë regjimi i Bashar al Asadit dhe Rusia që e armatosi me armë të shkatërrimit në masë. “Ata sot kanë rastin të zgërdhihen dhe tallen me shqiptarët, duke ia kaluar tokës së tyre helmet e tmerrshme kimike që kishin destinacion krejt tjetër! Shumë mirë na e bëjnë!”,- e mbyll reagimin në Facebook Bello.

Lajme të ngjashme

Back to top button