Mirësevini vëllezër kinezë!

1. Në një vend të botës ka një bankë e cila jep kredi të volitshme, por vetëm nëse pranoni do kushte të caktuara. Në krahasim me bankat tjera ajo mund edhe t’u ofrojë kredi me interes më të vogël, por paratë që do ju jepen duhet t’i harxhoni vetëm në shitoret që do ju caktojë banka. Përveç kësaj duhet të shtoni edhe 10% nga xhepi juaj dhe t’i harxhoni në po ato shitore. Nëse për shembull merrni 10.000 euro kredi, në shitoret e bankës duhet të harxhoni 11.000 euro dhe në fund natyrisht bankës duhet t’ia ktheni 10.000 eurot e kredisë.

Me gjithë këto kushtëzime, nuk besoj se ka njeri racional i cili do të hynte në borxh në këtë bankë. Megjithatë një bankë e tillë dhe një myshteri i tillë vërtetë ekzistojnë. Banka në fjalë është banka kineze Eksim, ndërsa idioti që dje morri kredi prej saj është qeveria e Maqedonisë. Sipas marrëveshjes së nënshkruar qeveria siguron mjete prej 580 milionë eurosh për ndërtim të autostradave Miladinovc-Shtip dhe Kërçovë-Ohër, 90% e të cilave merren borxh nga banka, ndërsa 10% vijnë nga buxheti i Ndërmarrjes Publike të Rrugëve. Kusht i kredisë është që punët t’i kryejë një kompani kineze. Në esencë pra një bankë kineze na dha borxh prej 522 milionë eurosh, që ne të harxhojmë 580 milionë euro te një kompani ndërtimi kineze. Përndryshe si banka, ashtu edhe kompania e ndërtimit, janë kompani shtetërore kineze. Qeveria kineze pra fitoi një biznes marramendës për kushtet tona, pa qenë fare nevoja të licitojë në tender. Pasi të 580 milionë eurot dalin nga xhepat e qytetarëve, lirisht mund të thuhet se në këtë kohë krize ne i kemi hapur punë biznesit kinez dhe i kemi dalë në ndihmë qeverisë kineze.

2. Duhet thënë se firma Sinohydro, që do të ndërtojë autostradat, nuk është ndonjë kompani anonime. Ajo ka ndërtuar “Pendën e tri grykave” në lumin Jangce, që sot është penda më e madhe në botë. Si “frontman” e qeverisë kineze ajo ka ndërtuar edhe plot penda e rrugë edhe nëpër vende tjera të botës, kryesisht në Afrikë, Azinë juglindore dhe Amerikën Latine. Skema përherë ka qenë e njëjtë. Ndonjë bankë shtetërore kineze ka ofruar kredi, e mjetet e asaj kredie qeveria kineze i ka kthyer mbrapshtë nëpërmjet kompanisë së saj Sinohydro. Përveç fitimit material kinezët poashtu kanë tentuar që me këso projektesh të ngrejnë imazhin e vet, duke i reklamuar ato si investime apo ndihmë kineze, gjithsesi për naivët që ju besojnë këtyre përrallave. Ashtu siç beson edhe shumëkush në Maqedoni.

Reputacioni global i Sinohydros megjithatë është tejet i përlyer, si për kualitetin e punëve, ashtu edhe për korrupsionin e standardet tjera etike e ekologjike. Në pendën Bakun në Malezi ajo për shembull kishte përzier më tepër ujë se ç‘duhet në çimento. Në Bocuana është akuzuar se me korruptim të zyrtarë të lartë faturon mbi 20 milionë dollarë më tepër se shuma e paraparë me kontratë. Dyshime të ngjashme ka edhe në Ekuador, Honduras, Peru e vende tjera. Në Kongo, pas revidimit të kushteve të një kontrate “pendë-për-miniera”, Sinohydro pranoi të reduktojë borxhin nga 9 në 6 miliardë dollarë, duke pranuar kështu mashtrim fillestar prej plot 3 miliardë dollarësh. Në një rast tjetër, nga pakënaqësia me Sinohydron, Irani anuloi një projekt pende me vlerë 2 miliardë dollarë. Rrëfim në vete janë problemet ekologjike që shkakton firma me pakujdesinë e vet totale. Gjatë ndërtimit të pendës së tri grykave ajo ka shkatërruar ekosisteme të tëra dhe ka zhvendosur nga banesat e veta mbi 1 milionë njerëz, gjë që në atë kohë shkaktoi trazira të gjëra në Kinë. Kur bën kështu në vendin e vet, mund t’a paramendojmë se si sillet Sinohydro në vende të huaja.

Çdokund në botë kompania fiton punë në mënyrë të njëjtë: me marrëveshje direkte, pa procedura tenderimi, që qeveritë përkatëse e arsyetojnë me borxhin e volitshëm fillestar që jep banka kineze. Mu për këtë mënyrë funksionimi ajo shpesh përballet me akuza për kolonializëm modern, e në këtë drejtim shumë domethënës është deklarata e sekretarit të bordit të firmës dhënë gazetës Financial Times, që tha: “S’jemi kolonialistë, ne nuk i vrasim vendasit”. Më tepër se të mohojë, deklarata cinike shfaq më së miri qasjen e kësaj kompanie ndaj vendit ku punon. Poashtu mbetet fakt i pamohueshëm se ajo punon pikërisht në asi vendesh, kryesisht afrikane, që kanë probleme të qeverisen vetë. Këtyre prej dje ju bashkangjitet edhe Maqedonia. Megjithëse kompani globale, Sinohydro nuk ka arritur të depërtojë në vende tjera europiane ose në Amerikën Veriore. Ndoshta mu për këtë selinë europiane ajo e ka në Beograd. Thjeshtë që të jetë më afër viseve ku punët e mëdha bëhen jashtë ligjeve e procedurave.

3. Sipas qeverisë nga realizimi i kontratës me kinezët do të përfitojnë edhe bizneset vendase. Kjo sepse kontrata parasheh që për minimum 49% të punëve dhe materialeve ndërtimore, Sinohydro duhet të angazhojë nënkontraktorë vendas. Çudi e madhe. Për punë që do të kryhen këtu, me paratë tona, duheshka të jemi të kënaqur që do të përdoret edhe diçka nga Maqedonia. Qeveria pra na garanton e lavdërohet se të paktën ujin e gurët për autostradën nuk do t’i sjellin nga Kina!

Edhe më shqetësues është pjesa tjetër e këtij kushti, që thotë se të paktën 51% e punëtorëve që do të angazhojë kompania duhet të jenë nga Maqedonia. Përsëri, për një gjë që ndërtohet plotësisht me para të qytetarëve dhe plotësisht brenda territorit të vendit, duhet të jemi të kënaqur që gjysma e punëtorëve do të jenë vendas. Por shtrohet pyetja se pse kontrata duhej të ketë një klauzolë të këtillë? Pasi bëhet fjalë për veprimtari që kërkon shumë punë krahu, a nuk është normale që pjesa më e madhe e punëtorëve edhe ashtu të jenë nga vendi? Apo në fakt klauzola duhet të lexohet si leje që Sinohydro të sjellë 49% të punëtorëve nga vende tjera, t’a zëmë nga Kina apo Serbia, sepse prej atje udhëheq punët për Europë. Për firmat kineze kjo nuk është asgjë e re; nëpër botë ato kanë famë të keqe për mosrespektim dhe shkelje totale të ligjeve vendore të punës. Një firmë tjetër ndërtimore kineze për shembull është përzënë nga Polonia pasi ka sjellë aty punëtorë krahu kinezë. Raste të ngjashme ka patur shpesh edhe në vende tjera, kryesisht afrikane. Prandaj mos habitemi nëse një ditë prej ditëve rrugës për Ohër shohim kinezë me kazma e çekana nëpër duar. Çdo gjë është paraparë në kontratë.

4. Në vetvete ndërtimi i autostradave, sidomos ajo Kërçovë-Ohër që është pjesë e korridorit 8, është punë e mirë dhe në fakt është dashur të bëhet qysh moti. Por përveç vonesës (guri i fundit në korridorin 8 është shtruar në vitin 2002), mënyra e këtillë e ndërtimit hap plot dilema tjera. Pse për shembull janë injoruar të gjitha studimet paraprake të fizibilitetit, disa prej të cilave tregonin se rrugët mund të ndërtohen shumë më lirë se shifrat që kontraktohen tash? Pse nuk është shkuar me tenderim ndërkombëtar, siç bëhet zakonisht për projekte të mëdha dhe siç është paraparë edhe me ligj? A do të përfundojë i gjithë projekti me rrugë me cilësi të dobët, të paguara shumë më shtrenjtë se vlera reale? Përvoja paraprake e kompanisë Sinohydro dhe kyçja e marrëveshjes “në katër sy” thotë se po. E faturën do t’a paguajmë të gjithë ne së bashku.

Vitin e ardhshëm vendin e presin zgjedhje presidenciale dhe sipas të gjitha gjasave edhe të parakohshme parlamentare. Jorastësisht edhe punët e ndërtimit të autostradës duhet të fillojnë në mot. Prandaj qysh tash mund të jemi të sigurtë se diku kah marsi politikanët do të dalin të presin shirita për inaugurim të rrugës, duke i thurur lavde vetvetes për të mirat që po na i sjellin. Por atëherë assesi nuk duhet të tregohemi syleshë dhe të harrojmë esencën e kësaj marrëveshje të mbrapshtë. Shkurt e shqip, një kompani kineze, me seli europiane në Beograd, po fiton biznes prej 580 milionë eurove, pa kaluar nëpër procedurat normale të furnizimit, pa garanca për çmim real dhe kualitet të mirë, për të cilën me siguri do të përdorë plot mallra e punëtorë kinezë. Në mars me siguri do na thonë se bëhet fjalë për investim dhe ndihmë kineze, por në të vërtetë kjo më tepër është dhuratë që ju japim ne kinezëve. Si shenjë e marrëdhënieve të reja të shoqëruara me takime bilaterale, e alternative anti-perëndimore, si epokë e re vëllazërimi me Kinën. E gjitha kjo për disa interesa personale, e pse jo edhe për inat të Perëndimit. E gjitha kjo me paratë tona!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button