Industria e miellit dhe bukës në Maqedoni rrezikohet nga importi i lirë

Përfaqësuesi i OEM-së, Vasko Ristovski tha se rreziku më i madh për prodhuesit e miellit në Maqedoni vjen nga çmimet jo konkurruese, më konkretisht, për të konkurruar me çmimet e miellit të importuar.

Situata në industrinë e miellit dhe të bukës nuk është e kënaqshme pasi ekziston një luftë mes prodhuesve dhe importuesve vendor,  ky është konstatimi i Odës Ekonomike të Maqedonisë, e cila në një konferencë për mediat shpalosi sfidat për vitin 2016 në këtë sektor, raporton Anadolu Agency (AA).

Përfaqësuesi i OEM-së, Vasko Ristovski tha se rreziku më i madh për prodhuesit e miellit në Maqedoni vjen nga çmimet jo konkurruese, më konkretisht, për të konkurruar me çmimet e miellit të importuar. Shumë prodhues sipas tij kanë paralajmëruar mbyllje të reparteve që nënkupton largime nga puna.

“Arsyet për këtë janë çmimet jo konkurruese të grurit vendor në kohën e grumbullimit, si dhe cilësia e tij gjithashtu. Në periudha të caktuara të vitit çmimi i grurit të importuar është shumë afër çmimit të miellit të importuar gjë e cila shkakton probleme për industrinë e miellit në përgjithësi” -tha Ristovski.

Ai sqaroi se përfaqësuesit e industrisë së miellit dhe bukës kanë pasur takime me ministrinë përkatëse në të cilën u dakorduan për importin e kushtëzuar 3 me 1 ose 4 me 1, që në fund rezultoi me miell vendor të shtrenjtë dhe jo cilësorë.

Një çështje tjetër e cila sipas tij ka ndikuar tek kjo situatë është rregullorja e CEFTA-s e cila këto masa i përkufizon në 90 ditë.

Ristovski tha se cilësia e grurit në Maqedoni është relativisht e keqe dhe vetëm fusha e Pellagonisë mund të krahasohet me nivel evropian, por siç sqaroi, çmimi i miellit të importuar nga Serbia është gati i njëjtë me çmimin e grurit të importuar dhe kjo në masë të madhe paraqet problem për industrinë në vend.
Ai foli edhe për rregulloren e vitit 2010 për kontrollin e cilësisë së miellit në treg e cila sipas tij nuk po zbatohet tërësisht pasi mielli i importuar nuk i nënshtrohet analizave të laboratorëve të akredituara.

“Te ne problem ishte mungesa e laboratorëve të akredituara. Në fillim të viti të kaluar u akreditua laboratori i parë dhe në vjeshtë u akreditua edhe një tjetër”- deklaroi Ristovski sipas të cilit OEM ka parashtruar një propozim qe të gjithë prodhuesit vendor të miellit të lëshuar në treg ti nënshtrohen kontrollit për cilësinë e produktit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button