Debi i suksesshëm i Blerim Yseni për KF Shkupi

Klubi i futbollit Shkupi nga Çairi ka pas paraqitje të mira kohëve të fundit edhe përkundër faktit se është ballafaquar me një numër të madh të futbollistëve të lënduar. Por gjithsesi nga kjo fazë e vështirë, Shkupi ka përfituar pasi që me sukses për ekipin ka debutuar futbollist i ri, Blerim Yseni, nga i cili pritet që në të ardhmen të jetë lojtar shumë i vyer i skuadrës.

Pikërisht në ndeshjen kundër Rrufeja nga Miletina, ku Shkupi shënoi fitore të lartë me 3:0, trajneri Nexhat Shabani i ka dhënë besimin 19-të vjeçarit Blerim Yseni i cili për minutat që luajti e arsyetoi dhe besimin e marrë nga trajneri Shabani.
Pikërisht goli i tretë kundër Rrufesë kishte nismën nga Yseni, i cili pas rivënies nga këndi gjeti për mrekulli Kallabën, që ky i fundit ti asiston Seferit.

“Dueli me Rrufenë ishte ndeshja e parë ku unë debutova. Kam qenë në 18-shen e parë edhe kundër Sileksit në Kratovë edhe kundër Pobedës, por nuk isha aktivizuar në lojë. Mendoj se ishte një debutim i mirë dhe do të pres secilën shans që do të më jep trajneri për ta shfrytëzuar në mënyrën më të mirë”, ka thënë Blerim Yseni për “portalb.mk”.

Blerim Yseni është nga Shkupit dhe sapo ka mbushur të 19-tat. Ai futbollin e ka filluar që në moshën 10 vjeçare me klubin Beshiktash Çair, me të cilët luajti plot 7 vite, ndërsa më vonë për një sezonë ishte pjesë e të rinjëve të Rabotniçkit. Më pas Blerimi vendos që përsëri të kthehet te KF Shkupi. Me paraqitjet e mira që kishte te ekipi i të rinjve, Blerimi bie në sy të menaxherëve të cilët e dërgojnë atë në testime te gjiganti kroat, ekipi i Hajdukut nga Spliti ku qëndroi për dy javë. Blermi në këtë periudhë dy javore ka ushtruar me ekipin e dytë të Hajdukut, po për shkaqe fizike ai është detyruar të kthehet përsëri në Shkup, ku ka vazhduar të jetë pjesë e ekipit të KF Shkupit. 

Edhe Blerimi me vëmendje përcjellë futbollin evropian dhe ai është një fans i ekipi të Barcelonës në Spanjë dhe Interit në Itali, ndërsa si futbollistë pëlqen lojën e futbollistit më të mirë në Botë, Lionel Messi dhe njëkohësisht mbrojtësit legjendar të Interit Havier Zanetti.

Blerimi luan në pozitën mesfushor defanziv, mirëpo me kërkesë të trajnerit ai luan edhe në rolin e gjysmësulmuesit. Ndeshjen e radhës Shkupi do ta luajë në fushën e saj në Çair, ndërsa Blerimi shpreson që edhe në këtë ndeshje të jetë pjesë e skuadrës për të dëshmuar kualitetet e tija. / Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button