Analizë: Vetëm korrier; asnjë pyetje, asnjë mendim!

Shkruan: ?urora Karametidoktore e shkencave të informatikës dhe të komunikimit

Profesioni i gazetarit dhe vetë mediat informative jo vetëm që nuk do të zhduken por ato do transformohen për të marrë forma edhe më të sofistikuara dhe për ti shërbyer më mirë informimit të thellë, sepse atë të cektin, kalimtarin, audienca e sotme e realizon vetë nëpërmjet internetit ku tashmë gjenden të gjitha mediat relevante dhe pothuajse gjithë institucionet shtetërore, theksojnë studiuesit dhe njerëzit e gazetarisë dhe medias. Kjo lloj gazetarie, do t’ia dalë mbanë të ruajë nevojën e publikut për median informative. Përndryshe, publiku i sotëm që nuk ka më nevojë për lajme që mund ti gjejë edhe në faqet e internetit por edhe për lajme që nuk i thonë asgjë më hapur e më drejt se zyrtarët qeveritarë, do ndihet i trajtuar nga media ashtu sikurse ndihet nga qeveria.

Informacioni siç hyn, ashtu del nga filtri i mediumit

Shembull i kësaj procedure është rasti i një lajmi mbi konferencën për shtyp të ministrit të financave të Maqedonise, i cili shpalos, sipas mediumit që e ka publikuar lajmin, suksesin e madh ekonomik të qeverisë. Shkrimi mban titullin afirmativ “Maqedonia do të ketë rritje më të madhe ekonomike”. Të lexosh këtë titull në një medium, të pa futur në thonjza për të treguar se është citim, mendon se ky lajm “i mirë” është nxjerrë si konkluzion nga vetë mediumi dhe është një lloj deklarimi i “së vërtetës”.

Krejt ndryshe nga titulli tregohet historia në brendësi të shkrimit. Lajmi qenka jo një “lajm i mire” i konstatuar nga mediumi, por pjesë e deklaratës së ministrit të financave, dhënë gjatë një konference shtypi. Kreu i lajmit bën një përmbledhje të idesë që shpjegon në njëfarë mënyre këtë titull, duke treguar se në fakt, rritja më e madhe se ajo e parashikuar për ekonominë, është pritshmëri e qeverisë dhe parashikim i disa institucioneve ndërkombëtare, dhe jo një fakt i kryer, siç deklarohet në titull. Pra, nga gjendja “në pritje”  e rritjes ekonomike sipas ministrit, gazetari ka kaluar në gjendjen e “kryer” me titullin që ka shkruar. Ky transformim i fakteve, ka prodhuar një diskurs abuziv që i servir lexuesit si të kryer, një ngjarje që ende nuk ka ndodhur. 

Vetëm në paragrafin e tretë të shkrimit, më në fund tregohet burimi këtyre informatave që është deklarata e bërë nga zv/kryeministri dhe ministri i financave në një konferencë për shtyp. Madje edhe në këtë pjesë të lajmit, krijohet mjegull duke mos dhënë informacion të saktë mbi kontekstin e deklaratës; në fund të saj tregohet se kjo paska qenë një përgjigje për “pyetjen e gazetarëve” por pa treguar se cila ishte pyetja që mori këtë përgjigje nga ministri.

Nga gjithsej pesë paragrafët e lajmit, katër prej tyre janë pjesët e deklaratës së zyrtarit të lartë. Përveç paragrafit të parë, që nga fillimi i lajmit deri në fund, në të katër paragrafët, mund të lexohen vetëm këto fjalë si ndërhyrje të gazetarit/redaktorit në tekstin e lajmit (deklaratës së ministrit):

  1. “Sipas zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Financave Zoran Stavreski…”,
  2. “…deklaroi ministri Stavreski duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve  në konferencën e sotme për shtyp.”,
  3. “Ai thekson se …”,
  4. “…deklaroi ministri Stavreski.”.

Edhe në rrafshin sasior deklarata zyrtare shfaqet pa ndërhyrje nga ana e mediumit: nga 380 fjalë që përmban gjithsej teksti, 269 fjalë janë të ministrit dhe vetëm 111 fjalë janë të gazetarit, të cituara më sipër.

Për t’u bërë edhe më i plotë diskursi mbi “rritjen më të madhe ekonomike që do të ketë Maqedonia”, shkrimi shoqërohet edhe me një foto që bën vizualisht të njëjtën deklaratë zyrtare. Në foto duket një tregues grafik në ngritje në një sfond me të dhëna statistikore.

Për çfarë ka shërbyer mediumi?

Diskursi i artikullit është kryekëput vetë diskursi i zyrtarit qeveritar gjatë konferencës së shtypit. I përgatitur ose jo për tematikën e konferencës së ministrit, gazetari nuk ka nxjerrë asgjë më tepër nga deklaratat zyrtare seç’i kanë ofruar ato vetë. Autori i shkrimit është mjaftuar me transportimin e informatave të ministrit nga salla e konferencës së shtypit në redaksinë e lajmeve dhe nuk ka marrë në rishqyrtim deklaratat e ministrit për sukses duke bërë korrelacione të mundshme me të dhënat e tjera ekonomike si shkallën e borxhit shtetëror dhe kreditimet e huajainvestimet publike të diskutuara si jo-transparente dhe jo-rentabëlsistemin e gjobave etj., për të ekzaminuar bazën reale për optimizëm nga qeveria. Brenda këtij lajmi, gazetari ndihet që është jashtë loje. Ai nuk ka bërë pyetje (kjo mund të jetë me ose pa qëllim) të cilat do të synonin nxjerrjen e informatave të tjera për publikun, përveç atyre që ministri i ka pasur të planifikuara. Gazetari nuk shfaq asnjë tendencë për filtrim kritik të informacionit qeveritar por bëhet vetëm korrier i tij, duke e transportuar, pa i shtuar asnjë vlerë informative përmbajtjes.

Gjithashtu gazetari nuk ka bërë përpjekje që përballë deklaratës së ministrit të vërë deklarata analitike dhe/ose kritike të ekspertëve të tjerë ekonomikë me pikëpamje të ndryshme nga ato qeveritare. Një përballje e tillë ekspertize profesionale do mbushte zbrazëtinë e shoshitjes kritike të deklaratave zyrtare nga vetë gazetari, që ai nuk e ka bërë ose nga papërgatitja, ose nga padituria mbi temën, ose nga pamundësia e krijuar prej mungesës së lirisë profesionale. Një përballje ekspertize do krijonte balancën e duhur për një diskurs të denjë ekonomik të cilin mund ta kuptojë edhe  ajo pjesë e publikut që nga gjithë analizat ekonomike, dëshiron të kuptojë vetëm nëse ekonomia do ketë vërtet rritje apo rënie.

Lajmi nuk ka nënshkrim autorial. Në këtë rast, mediumi e ka lënë të padiskutuar deklaratën e funksionarit të lartë shtetëror, por e ka humbur rolin e vetë në ruajtje të interesit publik. Mediumi, cilido qoftë statusi i tij, në raste të tilla shkel e shkon jo vetëm mbi audiencën por edhe mbi gjithë ekipin e vetë. Mediumi mund edhe të shuhet një ditë por gazetarët lidhin me të emrat e tyre, të cilët publiku i njeh dhe i mban në mendje pikërisht nga ajo që këta bëjnë çdo ditë për të mbrojtur interesin publik, qoftë në diskutim ai ekonomik, social, shëndetësor, siguria etj. Mbrojtja e interesit publik qëndron në themelet e arsyeve të ekzistencës së gazetarisë dhe në nevojën e shoqërisë demokratike për të.

Si do funksiononte shoqëria vetëm me qeveri dhe internet, pa gazetarë…!

* * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * 

Kjo analizë është përgatitur nga kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis.. Analiza është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e analizës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: (http://macedonia.usaid.gov) dhe faqen e USAID-it në Facebook: (www.facebook.com/USAIDMacedonia).

Lajme të ngjashme

Back to top button