3 kundërargumente – pse JO armëve kimike në Shqipëri

Pas lajmeve që Shqipëria mund të jetë një prej shteteve ku mund të shkatërrohen armët kimike siriane, në qëndrimet e pakta zyrtare vijëzohen tre teza mbi të cilat tentohet të gjendet arsyetimi për pranimin e armëve. Në vijim trajtohet çdonjëra ndaras, duke dëshmuar se ka fakte të bollshme për t’i thënë JO armëve kimike në Shqipëri.

Teza 1: Partneriteti ndaj NATO-së dhe roli në arenën ndërkombëtare

Ndërkohë që nuk ka asnjë vendim zyrtar që i obligon anëtarët e NATO-së ta realizojnë shkatërrimin e armëve kimike në territorin e tyre, është e paqartë nëse i është kërkuar vetëm Shqipërisë që ta bëjë këtë dhe mbi çfarë baza. Edhe po të ishte kështu, është krejtësisht e pabazë që kjo të arsyetohet me dëshmimin e qëndrimit pro-perëndimor, meqë kjo është treguar edhe atëherë kur shumë aleatë në NATO kanë heshtur.
Që nga shtatori i vitit 1996 deri sot, sipas të dhënave të Ministrisë së Mbrojtjes, Shqipëria ka dërguar 6,033 ushtarakë në misionet ndërkombëtare të udhëhequra nga NATO, OKB, si dhe BE.
Konkretisht, në kuadër të NATO misioneve, raportet e Ministrisë së Mbrojtjes thonë që në Afganistan kanë marrë pjesë 2.944 pjesëtarë të Forcave të Armatosura. Anash kësaj, në operacionet e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët në Irak, Shqipëria ka kontribuar me gjithsej 1.343 ushtarakë. Për krahasim, duhet llogaritur që ushtria shqiptare ka rreth 12.000 pjesëtarë, që e radhit vendin mes shteteve që kanë dhënë kontribut më të lartë në raport me forcat në dispozicion.
Më tej, Shqipëria strehon 8 ish të burgosur të kampit Guantanamo, të cilët nuk mund të kthehen në vendlindje. Në vitin 2006, Shqipëria ishte e vetmja që e pranoi strehimin e 5 ujgurëve etnikë që janë shtetas të Kinës, pavarësisht kundërshtimeve kineze e cila i trajton ata si terroristë. Sipas New York Times, në vazhdën e presioneve nga autoritetet kineze kundër strehimit që është ushtruar ndaj të gjitha shteteve – pranuese potenciale, Ambasadori kinez e ka takuar Kryeministrin Sali Berisha tre herë. Prej gjithsej 22 ujgurëve të Guantanamos, pjesa tjetër janë strehuar në Bermudë, Palau, Zvicër dhe El Salvador. Deri sot, Shqipëria është vendi i vetëm i NATO-së që i ka pranuar ata.
Me kërkesë të Shteteve të Bashkuara, në maj Shqipëria i ofroi azil 210 muxhahedinëve iranianë, pjesëtarë të grupit majtist Mujahedin-e-Khalq (MEK), që deri në shtator të vitit të kaluar trajtohej si organizatë terroriste nga Departamenti i Shtetit. Pas heqjes nga kjo listë, Shtetet e Bashkuara e kanë filluar procesin e sistemimit të rreth 3.000 pjesëtarëve të MEK-ut, që ende nuk mund të kthehen në Iran në frikë nga përndjekja, meqë vepron si organizatë opozitare e pushtetit revolucionar atje. Shqipëria është përgëzuar nga autoritetet amerikane si shteti i parë që e ka pranuar këtë grup.
Këto tre argumente, ndonëse të pakta në numër por me një domethënie të jashtëzakonshme që nuk është treguar as nga shumë shtete më të pasura dhe më të fuqishme, e dëshmojnë rolin e Shqipërisë në hartën globale. Ata që ende e kontestojnë këtë rol, nuk do të qetësohen pa dallim armëve kimike. Roli thelbësor amerikan në formimin e Shqipërisë dhe çlirimin e Kosovës është dritë mbi qenien tonë dhe kjo asnjëherë nuk do të jetë temë bisede. Por, pushtetet nuk duhet ta shfrytëzojë lidhjen njerëzore dhe emocionale shqiptare ndaj perëndimit për t’i shitur politikat e veta me çdo çmim.

Teza 2: Përfitimi ekonomik i vendit nga shkatërrimi i armëve

Nuk ka as edhe një argument sa dhe si do të përfitojë ekonomia shqiptare. Pajisja e nevojshme do të blihet nga vendet me zhvillim të lartë teknologjik dhe këtu Shqipëria nuk mund të ofrojë asgjë. Eventualisht, mund të flitet për ndonjë kompensim për shërbimin e kryer, shuma e të cilit mbetet e panjohur, si që nuk dihet kush do ta paguajë faturën e sirianëve që dëshirojnë t’i heqin qafe armët.
Nëse për shkatërrimin e rreth 18 tonelatave gaz Iprit (Mustard gas) janë shpenzuar $45 milionë para Uashingtoni, për 1.300 tonelata siriane mund të llogaritet me hamendje që flasim për $3.25 miliardë, (1/4 e GDP-së shqiptare) që megjithatë nuk janë përfitim direkt për ekonominë meqë shuma më e madhe i dedikohet pajisjes, transportit dhe materialeve. Çmimin e saktë nuk dihet dhe për momentin, Reuters raporton që Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike disponon me vetëm €4 milionë euro.
Ka shumë mënyra tjera për ta siguruar zhvillimin ekonomik të Shqipërisë, duke filluar me luftimin e ekonomisë joformale, e cila llogaritet të jetë 1/3 e bruto prodhimit vendor të Shqipërisë. Sipas Bankës Botërore, GDP shqiptar në vitin 2012 ka qenë $13.12 miliardë. Së këndejmi, llogaritet lehtë që përfitimi i supozuar ekonomik mund të kompensohet brenda shumë pak vitesh me një politikë dhe qeverisje më të mirë ekonomike, pa importin e armëve kimike siriane.

Teza 3: Përvoja në shkatërrimin e armëve dhe afërsia gjeografike

Nëse thuhet që Shqipëria është shteti i vetëm i cili i ka shkatërruar armët e veta kimike, kjo nuk do të thotë se shtetet tjera nuk kanë përvojë për një pjesë të arsenalit të tyre. Sipas të dhënave të Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike, deri në dhjetor 2011, në botë janë shkatërruar 72.8% e municioneve kimike të kategorisë 1 dhe 52% e kategorisë 2. Kjo flet që në shumë vende tjera kanë përvojë me shkatërrimin e armëve kimike, mbase jo në masën totale shkaku i vëllimit të madh.
Afërsia gjeografike gjithashtu është një argument i thyeshëm. Si që mund të arrijnë armët nga Siria në Shqipëri përmes territoreve detare ndërkombëtare, ashtu mund të dërgohen edhe kudo tjetër në botë. Për shembull, në operacionin Steel Box në vitin 1990, rreth 100.000 copë municioni kimik amerikan janë zhvendosur nga bazat ushtarake në Gjermaninë perëndimore, drejt ishullit të pabanuar Johnston Atoll që gjendet në jugperëndim të ishujve Havai  dhe që ka shërbyer si bazë ushtarake amerikane.

Burimi: gjakushkabashi.wordpress.com

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button