Salep

Ditë, javë dhe muaj të caktuara të vitit ndodhë që provokojnë dilema. Kjo ndodhë edhe me stinët. Ato ndonëse janë gjithmonë katër dhe gjithmonë janë të njëjtat stinë për secilin vit, ato prapë, në çdo ardhje të tyre provokojnë dilema dhe përkujtojnë pyetjet, që çdoherë, mund që të lënë pa përgjigje. Ashtu prej stinëve ndodh edhe me dimrin ndonëse duket më i rrafshi prej stinëve. Pranvera trazon, vera të gatuan, vjeshta të rrëzon, por dimri vetëm mbulon. Duke lënë të pambuluar vetëm një pyetje dhe dilemë: kush nisë i pari, dimri apo salepi?

Njerëzit kanë bërë ditë dhe orare, disa edhe i kanë llogaritur ato mirë për atë se kur nis dimri në të vërtetë. Po nisja e vërtetë e dimrit është në atë ditë të ftohtë pas të cilës do vijnë vetëm ditë tjera të ftohta, e kjo është vetëm atë ditë kur më gjendet salepi për të pirë. Kjo shenjë e dimrit mbetet për shumë qytete në botë ende shenjë e vërtetë e fillimit edhe e dimrit edhe e të ftohtit, pasi në periudha të ndryshme historike njerëzit shpesh kanë patë dimër pa patë ftohtë, dhe ftohtë pa u ardhur ende dimri.

Kjo është kështu edhe në qytetet tona ku pasi të kenë rënë mirë gjethet dhe të kenë shtegtuar shpezët, njerëzit rrinë e presin atë ditën F. Atë ditën e ftohtit prej kur ndërrohen teshat, ndizen vatrat dhe disi shtanget qyteti. Kurse se ka ardhur kjo ditë, kuptohet në një qytet vetëm atëherë kur mund të gjesh salep në çdo cep.

Me botën globale njerëzve u është shtuar oferta dhe ata tani kanë për çdo ditë gjëra më të llojllojshme për të mirë. Llojllojtë dhe gjëra shumë, deri edhe makiato, me shkumë e pa shkumë?! Por, krejt këto janë pije për gjithë vitin dhe ndonëse në ushqime dhe fruta ende ruhen stinët në pije ka mbetur salepi, prej pijeve të rralla që ende ruan sezonin, stinën dhe konsumohet vetëm në dimër. Ndoshta ka edhe aso që edhe salepin, vakt e pa vakt, e pinë në çdo stinë, por nuk janë për në shkrim, pasi mund që e kanë për medicinë. Të tillëve ju lejohet edhe të ftohtë ta pinë.

Kjo pasi salepi është ilaç dhe bimë që ndonëse me qumësht e pimë edhe esencën nuk ia dimë. Këtë e mbulojnë ende më shumë ata që kanellë, bollshëm, i hedhin sipër. Aq sa ndonjëherë aspak nuk dihet se salepi është orkide. Sipas fjalorit mu: “Bimë barishtore shumëvjeçare me gjethe të gjata, të mbështjella rreth kërcellit, me lule të mbledhura si kalli dhe me zhardhok të nëndheshëm, që përdoret për të përgatitur një pije dhe në mjekësi.”

Salepi, si bimë dhe si pije, tani është trashëgimi botërore ndonëse njerëzve ju duket se vetëm është tharë në Arabi, zier në Turqi e që ne këtu e pimë. Në gjithë botën, në versione të ndryshme të përgatitjes, në çdo cep ka salep. Por, përkundër kësaj pranie, çdo vend dhe qytet, ka vendin dhe ritualin se ku pi salep. Në qytetet tona, gati në secilin ka ndonjë vend apo lokal që salepi dihet si i tyri dhe ku njerëzit aty shkojnë që salepin ta pinë. Që ashtu, në vend dhe në kohë, të kuptojnë se në dimër kanë hyrë. 

Kaq për dilemën dhe pyetjen që do mbetet pa përgjigje: cila vjen e para dimri apo salepi? Ka edhe shumë gjëra rreth salepit, që dihen dhe nuk dihen, fjalë dhe histori, por mjafton fjala: pijet pihen dhe me shkrim nuk rrëfehen.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk
Të drejtat e publikimit i kanë vetëm © Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button