Turqia arreston tre rusë për lidhjet e tyre me IS

Raportet nga Turqia bëjnë me dije se tre shtetas rusë janë arrestuar nën dyshimin se kanë lidhje me grupin militant Shteti Islamik, njofton REL.

Të dyshuarit janë arrestuar për gjoja se ishin në kontakt me militantët e IS-it në zonat e konfliktit dhe se iu kanë ndihmuar atyre me pajisje logjistike.

Konsullata ruse në Antalya e ka konfirmuar arrestimin e tre shtetasve, ndërsa ka thënë se arsyet për arrestimin e tyre pritet të sqarohen.

Arrestimi vjen një ditë pas një sulmi në Stamboll që dyshohet se është kryer nga Shteti Islamik.

Nga sulmi që ka ngjarë në zonën turistike të Stambollit, Sultanahmet, janë vrarë dhjetë persona, shumica nga të cilët gjermanë. Pesëmbëdhjetë persona të tjerë janë plagosur.

Ministria e Jashtme ruse ka njoftuar në muajin nëntor se më shumë se 2 mijë e 700 rusë kanë shkuar në Siri dhe janë bashkuar me grupin Shteti Islamik. 160 prej tyre janë vrarë, 73 të tjerë janë kthyer dhe 36 janë arrestuar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button