Gjevgjeli, as dimri nuk i ndalon refugjatët për të vazhduar rrugën e shpresës

Në orët e djeshme të pasdites në vendkalimin kufitar ndërmjet Maqedonisë dhe Greqisë nuk ka pasur refugjatë, ndërsa aktivistët e pranishëm humanitar në terren kanë informuar se rreth 700 refugjatë gjatë ditës kanë hyrë në kamp, prej të cilëve 400 kanë udhëtuar me tren drejt vendkalimit kufitar Tabanoc në veri të vendit, raporton Anadolu Agency (AA).

“Numri i refugjatëve të cilët mbërrijnë në Maqedoni në krahasim me periudhën e kaluar është zvogëluar, mes tjerash edhe për shkak të detit të trazuar në Greqi, ndërsa ekipet e Kryqit të Kuq të Maqedonisë si dhe organizatat e tjera humanitare joqeveritare po tentojnë që t’u sigurojnë ndihmë humanitare dhe mjekësore”, thotë për AA përfaqësuesi i Kryqit të Kuq, Aleksandar Jonuzovski.

Ai tha se këtyre ditëve shifrat me te cilat ballafaqohet Kryqi i Kuq nga aspekti i ndihmës mjekësore varion rreth 200 njerëz të cilëve u ndihmohet. “Është zvogëluar numri i njerëzve të cilët momentalisht arrijnë në kamp për shkak të detit të trazuar në Greqi por vërehet se shumica nga ata që vijnë janë të prekur nga virozat, infektimeve të kanaleve të epërme respiratore por ka edhe një numër të madh të njerëzve që vijnë të mërdhirë dhe me raste të hipotermisë”, thotë Jonuzovski.

Kryqi i Kuq thotë se në bashkëpunim me UNHCR-në de Caritas-in maqedonas në kuadër të qendrës për pritjen e refugjatëve në Gjevgjeli, kanë siguruar kuzhinë në të cilën ndahet çaj i nxehtë dhe supë, si dhe ndihmë humanitare në pako me ushqime.

– Kushtet e dimrit pengesë për refugjatët në rrugën e tyre për shpëtim të jetës –

Në mesin e atyre që kanë arritur në qendrën e pritjes së refugjatëve në Gjevgjeli është Said Alia, një shofer nga Afganistani. Në bisedën për AA, ai thotë se ishte i vetëdijshëm për kushtet e vështira të dimrit dhe të gjitha vështirësitë e tjera që e presin në rrugën drejt vendeve të Evropës Perëndimore, megjithatë, vë në dukje se situata e përkeqësuar e sigurisë në vendin e tij është arsyeja e vetme që ai vendosi të marrë “rrugën drejt shpëtimit” .

“Në Afganistan ka luftë mes talebanëve dhe DAESH-it. Në qytetin tim të Kabulit, vazhdimisht ka vrasje. Është e rrezikshme. Për shkak të kësaj nuk mund të qëndrojë, kam ardhur këtu. Ishim në Pakistan, Iran, Turqi dhe tani këtu. Unë do të përpiqem të arrij në Gjermani”, thotë Said. Ai në këtë rrugë është nisur me gruan dhe djalin e tij, ndërsa në Gjermani, beson se do të ketë kushte për një jetë të denjë.

– MPB: Nga Viti i ri deri më tani janë regjistruar 17 mijë e 882 refugjatë

Ministria e Brendshme tha se rrjedha e refugjatëve nga Greqia në Maqedoni shkon pa probleme dhe gjatë ditës së djeshme ka regjistruar gjithsej 715 shtetas të huaj, nga të cilët 318 janë nga Afganistani, 304 nga Siria 93 nga Iraku.

Gjithashtu, MPB-ja njofton se që nga fillimi i vitit 2016, deri më 9 janar të këtij viti janë lëshuar 17 mijë e 882 vërtetime për shtetas të huaj. Sipas shtetësisë së personave për të cilët janë lëshuar certifikata, më të shumtë janë shtetasit e Sirisë, 7.584, Afganistanit 6.566 dhe Irakut 3.372.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button