Plagosen tre turistë në Egjipt
Dy sulmues i kanë therrur më thikë dhe i kanë plagosur tre turistë të huaj në vendpushimin egjiptian të Detit të Kuq, Hurghada, njofton REL.
Ministria e Brendshme tha se dy sulmues, të pajisur me thika, kishin hyrë të premten në hotelin Bella Vista dhe i kanë sulmuar turistët.
Forcat e sigurisë kanë hapur zjarr ndaj sulmuesve duke e vrarë njërin dhe tjetrin e kanë plagosur rëndë.
Tre turistët, dy nga Austria dhe një nga Suedia, janë plagosur nga thika, por plagët e tyre nuk janë serioze.
Deri më tani asnjë grup nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin.
Në Egjipt ka pasur valë të sulmeve terroriste që nga rrëzimi i presidentit Muhammad Morsi, në korrik të vitit 2013.