Fundi i një asimilimi, sfidat e shqiptarëve ortodoksë në Maqedoni

Kohë më parë Bashkësia Ortodokse e Shqiptarëve të Maqedonisë (BOSHM) u pranua si komunitet fetarë më vete. Me këtë iu dha fund përpjekjeve shekullore për sllavizimin e shqiptarëve të krishterë të krahinës së Rekës së Epërme.
Për t’u njohur më afër me këtë ngjarje të madhe, Portalb bisedoi me Prof. Dr. Branisllav Sinadinovskin – shqiptarin e Rekës, i cili, bashkë me kushëririn e tij Branko Manajllovskin dhe me disa rekalinjë të tjerë, mbartën mbi supet e tyre gjithë peshën e pranimit të BOSHM  si etnitet të mëvetësishëm religjioz.

Prof. Sinadinovski për Portalb tha: “Pranimi i Bashkësisë Ortodokse e Shqiptarëve të Maqedonisë paraqet fitore të madhe për të gjithë kombin shqiptar, veçmas për shqiptarët e Maqedonisë. Pesha e kësaj fitoreje do të ndihet sidomos në kohërat që vijnë dhe do të jenë gjeneratat e reja ato që do ta çmojnë mundin dhe djersën tonë”.
Sinadinovksi më tej thotë: “Legalizimi i Bashkësisë Ortodokse të Shqiptarëve të Maqedonisë dhe e drejta e tyre ligjore për t’ju lutur Zotit në kishat dhe në gjuhën e tyre amtare nuk e pengon askënd. Ajo është një e drejtë elementare që do të duhej ta gëzonim gjithnjë, sepse numri i shqiptarëve ortodoks në Maqedoni është i lartë dhe sipas llogaritjes sonë arrin deri në 100 mijë frymë”.

Për të njëtën çështje biseduam edhe me profesorin universitar Xhelil Rufatin, të lindur dhe të rritur në fshatin Zhuzhnjë të Rekës, me çrast na tha: “Pa dyshim se lajmi për zyrtarizimin e BOSHM është fitore e të vërtetës mbi gënjeshtrën. Me këtë i jepet fund tjetërsimit të popullatës ortodokse të Rekës dhe përvetësimit të kishës ortodokse shqiptare, fillimisht nga ana e serbëve e më pas edhe nga ana e maqedonasve. Kjo gjithsesi është në të mirë të demokratizimit të mirëfilltë të shoqërisë së vendit tonë”.

Lidhur me asimilimin e popullatës shqiptare të Rekës flet me kompetencë edhe shqiptaro-amerikani Branko Manajllovski, i cili është i pari që e bëri publike këtë gjë. Në librin e kushëririt të tij Prof. dr. Branisllav Sinadinovskit “Shqiptarët ortodoksë në Republikën e Maqedonisë”, ai thotë: “Vitet e para të fillores i kam kryer në Beliçicë, duke qëndruar në familjen e dajës Pavle Gojçinovskit – Lluces. Të daja Lluce nuk ankohesha kur mësuesi Mitko më rrihte për shkak se nuk mundja aq shpejt ta mësoj maqedonishten. Mësuesi i rrihte edhe të gjithë nxënësit tjerë, sepse edhe ata, njësoj si unë, ishin Shqiptarë që nuk dinin gjuhë tjetër përveç gjuhës amtare shqipe”.

I ngjashëm është edhe rrëfimi i Urosh Xhukovskit, i lindur në fshatin Bibaj dhe i shpërngulur më pas në Draçevë të Shkupit: “Mbështetur në kujtesën e fëmijërisë së hershme, si dhe në rrëfimet e nënës sime Sllavkës, unë kam nisur të flas shumë herët ashtu si më kanë mësuar prindërit e mi, gjuha amtare e të cilëve ishte gjuha shqipe… Më vonë, kur u rritëm dhe nisëm të martohemi, për shkak të nuseve dhe dhëndorrëve, gjuha jonë shqipe u shua në komunikimet tona të ndërsjella. Përse ndodhi kjo gjë? Të jem i sinqertë, kjo ndodhi sepse pjesa më e madhe jona që erdhëm nga Reka e Epërme, me përjashtim të një pakice, turpëroheshim nga gjuha jonë amtare, nga prejardhja jonë, të cilën prindërit tanë, por edhe më të rinjtë, e fshihnim me shkathtësi prej fqinjëve tanë dhe miqve të rinj maqedonas. Shtrohet pyetja: përse turpëroheshim shkaku i gjuhës sonë? Ndoshta për shkak se te maqedonasit ekzistonin paragjykime dhe mosdurim ndaj Shqiptarëve (Shiptarite), por ,ndoshta edhe për shkak të faktit se Maqedonasit i identifikonin Shqiptarët me muslimanët, kështu që nuk mund ta kuptonin se kishte edhe njerëz të tjerë që nuk ishin Shqiptarë muslimanë, po ortodoksë. Shtypje dhe dyshime të tilla përjetova edhe personalisht gjatë shkollimit në fillore, kur njëri prej mësuesve më pyeste përherë: “Po ju si flisni në shtëpi?”

Ndryshe, shpërthimi i të vërtetës së hidhur të krahinës së Rekës është pritur me entuziazëm prej të gjithë shqiptarëve, pavarësisht përkatësisë së tyre ideologjike, relegjioze e krahinore.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button