Çka thonë anketat e fundit?

1. Javën e kaluar opinioni në Maqedoni ishte dëshmitar i një rasti të rrallë, kur të njëjtën ditë u botuan dy anketa. Javorja Fokus që më herët kishte paralajmëruar se në bashkëpunim me agjensionin Rejting do të bëjë matje të rejtingut të partive politike çdo dy muaj dhe në kuadër të kësaj ditën e premte botoi anketën e rradhës. Gjithsesi i pakënaqur nga këto rezultate dhe me qëllim që të mohojë gjetjet e Fokus-Rejting, me anketë reagoi menjëherë instituti proqeveritar “Dimitrija Çupovski”. Anketa e këtij instituti doli po të njëjtën ditë dhe natyrisht paraqiti rezultate krejtësisht të ndryshme. 

Që më mirë të kuptohet ajo që thonë këto anketa është me rëndësi që së pari të rikujtohemi se çfarë parashikimesh bënë këta institute para zgjedhjeve parlamentare 2011 dhe cilat ishin rezultatet e atyre zgjedhjeve. Kështu në 2011 VMRO-DPMNE arriti të marrë 24,1% nga numri i përgjithshëm i votuesve, ndërsa LSDM 20,2%, që do të thotë se dallimi mes dy partive më të mëdha në zgjedhje ishte 3,8%. Nga partitë shqiptare BDI mblodhi 6,3% dhe PDSH 3,6%, pra dallimi BDI-PDSH në zgjedhjet e vitit 2011 ka qenë 2,7% nga numri i përgjithshëm i votuesve në listat zgjedhore.

2. Në anketën e fundit të bërë para zgjedhjeve 2011, atëbotë në bashkëpunim me gazetën “Dnevnik”, agjensioni Rejting parashihte rezultat 26,9%-19,6% në favor të VMRO-së. Siç mund të shihet dallimi i parashikuar ishte 7,3%, pra dy herë më i madh nga rezultati i vërtetë që doli në zgjedhje. Anketa e tanishme e Rejting i jep VMRO-së mbështetje 27,4%, përkundër 23,5% të LSDM-së, përparësi prej 4%. Kështu, nëse nisemi nga gabimi që ka bërë Rejting në vitin 2011, dallimi i vërtetë në mes pushtetit dhe opozitës maqedonase sot nuk është 4%, por vetëm rreth 2%. Rezultat përafërsisht të njëjtë japin edhe korigjimet sipas metodave tjera statistikore.

Te partitë shqiptare gabimi në vitin 2011 ishte më i vogël. Atëherë Rejting parashihte se dallimi në mes BDI dhe PDSH do të jetë 3,4%, ndërsa tani thotë se mbështetja e tyre është 7,3%-4,9% në favor të BDI. Sipas kësaj avantazhi i BDI është ulur në 2,4%, që pas korigjimit adekuat duhet të lexohet si 1,8%. Thënë me shifra konkrete, nëse zgjedhjet do të mbaheshin nesër, VMRO ka përparësi prej rreth 35.000 votash ndaj LSDM-së, ndërsa BDI rreth 30.000 vota më tepër se PDSH. Gjithnjë sipas anketës së Rejtingut dhe korigjimit të saj statistikor.

3. Rrëfim në vete janë anketat që na shfaq instituti “Dimitrija Çupovski”. Para zgjedhjeve të vitit 2011 ai parashihte se rezultati do të ishte 28,4%-11,7% në favor të VMRO-së, dallim prej plot 16,7% që ishte katër herë e gjysmë më i madh se rezultati real, apo thënë ndryshe gabim prej plot 13 pikë përqindjesh. Anketa e së premtes ndërkaq tregon epërsi të VMRO-së në përmasa 24,8%-14,7%. Është për t’u shënuar fakti se dallimi i tanishëm prej 10% është shumë më i vogël se ai që parashihte instituti në 2011. Pas një korigjimi të thjeshtë të gabimit, pra me faktor katër herë e gjysmë, epërsia del të jetë vetëm 2%, saktësisht i njëjtë me anketën e Rejtingut pas korigjimit. Me metoda disi më të komplikuara statistikore, del se sipas “Dimitrija Çupovski” LSDM madje ka një avantazh të vogël, por sidoqoftë mjafton të thuhet se edhe sipas këtij instituti VMRO ka maksimum 35.000 vota përparësi nëse zgjedhjet do të mbaheshin nesër.
Edhe në bllokun shqiptar “Dimitrija Çupovski” gabon në favor të pushtetit, gjegjësisht BDI-së. Në 2011 ai parashihte fitore prej 3,6%, një herë e gjysmë më e madhe se realja. Shifra të ngjashme ai jep edhe tash: 8% për BDI dhe 4,3% për PDSH. Në këtë rast, sipas “Dimitrija Çupovski”, te blloku shqiptar nuk është vërejtur asnjë ndryshim në mbështetje, edhe atë nga zgjedhjet e vitit 2011.

4. Nëse këto anketa analizohen pak më thellë, mund të vërehet një fenomen interesant te përqindja e votuesve të papërcaktuar dhe atyre që thonë se nuk do të dalin fare në zgjedhje. Të dy anketarët thonë se gjatë anketimit kanë respektuar përbërjen etnike të popullsisë, që do të thotë se 25% të të anketuarve kanë qenë shqiptarë. Pasi në Maqedoni votohet vetëm në vija etnike, nga kjo e dhënë mund të nxjerrim strukturën etnike të të papërcaktuarve.
Kështu, sipas Rejting partitë shqiptare të marra së bashku kanë 13% të votave, që do të thotë se shqiptarët tjerë të anketuar gjenden te grupi i të papërcaktuarve. Kalkuluar në përqindje del se nga të papërcaktuarit 40% janë shqiptarë. Kalkulimi i ngjashëm te “Dimitrija Çupovski” thotë se aty shqiptarë janë 31% të të papërcaktuarve. Në të dy rastet del se një numër disproporcionalisht i madh i shqiptarëve nuk janë përcaktuar për asnjërën parti, ose nuk do të dalin fare në zgjedhje. Qartë, qytetarët shqiptarë janë më të demotivuar dhe politikisht më të paanimuar se bashkëqytetarët e tyre maqedonas.

5. Numri disproporcionalisht më i madh i të papërcaktuarve shqiptarë e bën rezultatin e partive shqiptare tejet të paparashikueshëm. Nëse ata dalin në zgjedhje, është e mundshme që opozita shqiptare t’a përmirësojë dukshëm rezultatin e saj, por nëse vendosin të qëndrojnë në shtëpi kjo do të ndikojë edhe te rezultati i partive maqedonase. Në atë rast jo vetëm që numri i deputetëve shqiptarë do të jetë më i vogël, por kjo mund të luajë rol kyç edhe për raportin e forcave te blloku maqedonas.

Epërsia e ngushtë e VMRO-së, me simulim të metodës së Dontit për ndarje të mandateve, tregon se VMRO merr deputetin e fundit në çdo njësi zgjedhore. Prandaj dalja e shqiptarëve në zgjedhje do të përcaktojë edhe rezultatin e partive maqedonase në njësitë e përziera; për shembull nëse rezultati te njëshi do të jetë 9-8 apo 8-8, te dyshi 8-7 ose 8-8, te pesësha 9-8 ose 9-9 dhe te gjashtësha 3-2 apo 2-2. Fitoren përfundimtare te maqedonasit do t’a përcaktojnë njësitë tre dhe katër, por megjithatë dalja e shqiptarëve do të përcaktojë nëse VMRO do të ketë për shembull 5 ose 10 deputetë më tepër se LSDM. Sado që votojmë në vija etnike, rezultati zgjedhor varet shumë edhe nga vota e etnitetit tjetër. Sado që politika të bëhet me çelës etnik, fati politik megjithatë është i përbashkët.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button