Dorëheqja e Gruevskit, shpresë apo zhgënjim për Maqedoninë?

Sipas Marrëveshjes së Përzhinos afati i fundit që të dorëhiqet kryeministri aktual, Nikolla Gruevski është 15 janari. Në ndërkohë në opinion spekulohen shumë emra që mund ta zëvendësojnë Gruevskin, por asgjë nuk është definitive. Analistët nuk presin ndryshime në qeverisjen e Qeverisë edhe përkundër tërheqjes së Gruevskit. Sipas tyre, agresiviteti i fushatës me akuza dhe kundër akuza do ta karakterizojë tremujorshin e Qeverisë së përkohshme. Prezenca e faktorit ndrkombëtarë nuk e shuan shpresën për zgjedhjen e një Qeverie demokratike, thonë ata.

Pas dorëheqjes së Guevskit do të ashpërsohet fushata

Analisti Ibrahim Mehmeti për Portalb thotë se ndryshim i vogël në kursin e qeverisë gjithsesi mund të pritet, mirëpo ky ndryshim do të jetë simbolik.

Sipas tij, ndryshimi mund të jetë në qasjen dhe në tonin e kryeministrit të përkohshëm, mirëpo jo edhe në politikat e qeverisë ose të VMRO-së.

“Ndryshime esenciale në VMRO-DPMNE mund të priten varësisht nga rezultati i zgjedhjeve dhe nuk duhet të përjashtohet mundësia për paraqitjen e ndonjë rryme të re në këtë parti e ngjashme sikurse ajo që ndodhi me ardhjen e Gruevskit në krye të kësaj partie, por e gjithë kjo do të varet nga epilogu i zgjedhjeve. Deri atëherë, mendoj se të gjithë do të jenë të kujdesshëm dhe do të presin “rregullimin” e figurave të reja të shahut politik”, theksoi për Portalb Mehmeti.

Analisti tjetër Selim Ibraimi vlerëson se fushata parazgjedhore pas ikjes së kryeministrit mund të bëhet e ashpër, me akuza dhe kundërakuza.

“Të dy rivalët e skenës politike maqedonase do të synojnë ta ndikojnë masën me programe dhe projekte të sferës sociale dhe ekonomike. Duke u nisur nga këto dy pika më senzitive, atëherë edhe kundërshtimet do të jenë më të mëdha gjatë pranverës. Këtu nuk duhet harruar edhe sferën e sigurisë dhe të marrëdhënieve ndëretnike, ku të dy partitë më të mëdha maqedonase kanë interesat e tyre specifike para dhe pas përfundimit të zgjedhjeve. Mospajtimet në palën maqedonase si politika për të ndikuar në elektorat, mund ti nxisin edhe partitë shqiptare për formatime para zgjedhore. BDI dhe PDSH si parti politike me ”oreks të madh” kanë kapacitete mediatike ti ofrojnë anëtarëve çudira ekonomike. Partitë tjera opozitare të fragmentuara ose mund të forcohen ose rrezikojnë të dalin të dështuara në prill. Kompozimi aktual politik pas MP-së nuk lë shumë hapësirë se partitë politike në Maqedoni nuk do ti ashpërsojnë raportet ndërpartiake”, theksoi për Portalb Selimi.

Me eurokomisarin Johanes Han vjen edhe “presioni”

Dje, Komisioni Evropian konfirmoi vizitën e eurokomisarit Johanes Han, por pa precizuar datën e ardhjes. Ndërkaq, kujtojmë se Han në bllogun e tij shprehu optimizëm për zgjidhjen e krizës.

Sipas analistit Selim Ibraimi presioni amerikan dhe evropian mund të japë efekte pozitive për Maqedoninë. Sidomos Uashingtoni mund ta përdorë karotën dhe shkopin për VMRO-DPMNE dhe BDI-apo edhe për partitë tjera me ndikim.

“Pra ashtu si më parë, në Maqedoni nuk duhet të presim një proces të lehtë tranzitorë, pasi me vite korrupsioni dhe mbi ligji ka qenë bazë e funksionimit të shtetit. Së këndejmi shpresat për një qeveri demokratike e dalë nga vota e pa manipuluar me ndihmën e vëzhguesve ndërkombëtarë nuk janë shuar. Me rëndësi është të funksionojë shteti juridik. Përndryshe tre mujori i qeverisë teknike do të ishte i pakuptimtë, nëse partitë nënshkruese të marrëveshjeve nuk do ti zbatonin. Largimi i Gruevskit pritet me padurim nga opozita dhe atmosfera pas ikjes lë vend për interpretime politike dhe rritje të dozës së mosbesimit. Nuk kemi raporte se si do të duket për shqiptarët një Maqedoni pa Gruevskin, pasi deklarimet e BDI-së dhe PDSH-së janë të pafiltruara dhe të çastit”, sqaroi Selimi./Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button