Në vend të urimit

Brenda gëzimit që më solli sms-i  i saj nga larg se posa ka doktoruar m’u përvijua keqardhja pse s’arrita ta befasoj ashtu siq e kisha bërë nijet: të ulem në sallën ndoshta të zbrazët të Universitetit të Nicës, atje në jug të Francës,  ku ajo do mbronte disertacionin e vet të dytë dhe t’më shihte apansëz kur të hynte aty me komisionin. 
E paramendoja saktësisht habinë që do i vizatohej në fytyrë,  performansë që  do justifikonte plotësisht kilometrat deri atje në ditë të ftohta…
Sa keq më vjen që s’u bë si e mendova, Mirushe.

…njihemi prej vitesh, por disi përherë të shkurtra kanë qenë takimet, si pauzë frymëzuese ndërmjet punëve. Pas tyre çdoherë më ngelnin si motivim ca tangjenta të reja të të menduarit bazuar në ndërlidhjen e fenomeneve që vetëm në shikim të parë duken sikur s’kanë link me njëri-tjetrin, por kur i nënshtrohen një dioptrie të veçantë siq është ajo e mikes sime krijojnë bashkëdyzime për të cilët mandej habitesh si nuk i ke vënë re me herët. Ndjesinë që kam pasur pas bisedimeve me të, pavarësisht temës, e hasa më vonë në një intervistë të saj “…zëri i intelektualit është i vlefshëm për zhvillimin e debateve përderisa mëton të na orientojë drejt “të lexuarit ndërmjet rreshtave”… Fjala e tij është e vlefshme në rast se e shpalon formën përmes së cilës më lehtë duhet ti kuptojmë gjërat për të gjykuar mandej në mënyrë autonome”.

Ashtu takoheshim shkurt fare, kafe të nxituara pune, derisa para një viti nuk u ulëm siq kemi dashur përherë, pa shikuar asnjëra në orë. Shumë gjëra biseduam por po aq mbetën pa thënë, atë e priste udhëtimi në Francë. I thash t’më shkruajë prej atje, nëse gjen mundësinë dhe në moment mendova se në vlugun e obligimeve që e presin atje vështirë që do t’i kujtohem. Por ato ditë filloi korrespodenca më e bukur dhe më e gjatë që kam pasur me këdo qoftë. Të shkruarit u dëshmua të jetë formë çliruese për të dyja, vetilim përmes të të rrëfyerit pa atë drojën tipike që fjalët do marrin dhenë (e ka thënë Strinbergu se mënyra e sigurtë që femra të mbajë sekretin është  mos t’i tregoni sekrete, kurse mikja ime edhe në këtë pikë është e rrallë). 

Ka diçka teatrore që i jep ngjyrë specifike diskursit të saj në kuptimin e naracionit dhe ndërtimit të atmosferës, e që dallohet nga “teatralja” e cila zakonisht është vetëm paravan prapa të cilit fshihen ata që s’kanë shumë për të thënë, ata që kompikojnë pa nevojë me mendimin se ashtu dalin sikur më të ditur.  
Ka diçka thellësisht shprese ndjellëse në paraqitjet e saj mediale: saktësia me të cilën detekton mangësitë duke i vënë në kontekst më të gjerë, dhe mandej si një hedhja dritë mbi gjërat pozitive, si një lloj drejtëpeshimi. Më kujtohet kur në një intervistë fliste mbi shoqërinë në Maqedoni në sensin që ne fatmirësisht karakterizohemi me cilësi të cilat në shoqëritë e civilizuara bëhen gjithnjë e më tepër raritet…dhe si ilustrim: institucioni psikiatër tek ne akoma mund të vështrohet në aspektin jashtëklinik dhe të zëvendësohet me miqësinë e ngushtë apo relacionet farëfisërore; respekti ndaj prindërve të cilët akoma nuk i lëmë të jetojnë dhe vdesin vetë, akoma nuk i dërgojmë në ato shtëpitë e ftohta për pleq – stacion i fundit i pikëllueshëm ku të gjithë shkojnë vetëm në një drejtim…

Ajo duket më e re se sa mosha që ka, si gjithë njerëzitë që shpenzojnë bukur kohën e vet…

Ajo sillet dhe flet butë, si të gjitha femrat e fuqishme që s’kanë nevojë të shkëmbejnë rolet gjinore për të dëshmuar forcën e tyre…

Ajo jep më shumë se sa që pret t’i jepet…
…se kështu bëjnë ata që kanë shumë për të dhënë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autorja, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button