Zjarr, trimëri dhe skamje në Tetovë

Fatkeqësitë natyrore kanë atë veti që përnjëherësh të na rikujtojnë rreziqet me të cilat përballemi çdo ditë, e që zakonisht i harrojmë pasi na ndodhin rrallë. Një fatkeqësi e tillë ishte zjarri që javën e kaluar kaploi një ndërtesë shtatëkatëshe në Tetovë dhe që jo vetëm na rikujtoi se fatkeqësitë e tilla mund t’i ndodhin çdokujt në çdo moment, por edhe na detyroi të rivlerësojmë kapacitetin tonë për t’u përballur me to. Zjarri për fat të mirë u shua pa viktima njerëzore, e megjithatë kjo nuk është shkak për rehati.

Megjithë heroizmin dhe profesionalitetin që treguan kësaj rradhe pjesëtarët e njësitit zjarrfikës të Tetovës, gjendja e mjerë dhe e papërshtatshme e pajisjeve të tyre la plot dyshime se herën tjetër ndoshta nuk do të jemi aq me fat. Pra nga njëra anë zjarri ishte një nga ato rastet e rralla që na rikthejnë besimin te morali dhe humaniteti i të punësuarve në ndërmarrjet publike, besim pothuajse i humbur. Por nga ana tjetër rasti duhet të na bëjë të mendohemi mirë për mënyrën si menaxhohen resurset tona publike, e para së gjithash ato që shërbejnë për parandalim të rreziqeve nga katastrofat natyrore.

Pjesa më e madhe e popullatës me plot të drejtë nuk ka fort besim te institucionet publike dhe të punësuarit në to. Vite me rradhë punësimet në këto institucione bëhen në vija partiake, nuk merret shumë parasysh kualiteti e përvoja e kandidatëve, ndërsa ka plot edhe të tillë që marrin rrogë pa shkuar fare në punë. Mirëpo zjarri në Tetovë tregoi se të paktën zjarrfikësit e Tetovës kanë njëfarë rendi, profesionalizmi, ndershmërie, karakteri, e sidomos trimërie e humaniteti që janë mëse të rëndësishme në këtë profesion. Me ato pak pajisje që kishin, ata megjithatë ju sulën zjarrit, duke rrezikuar edhe jetën e vet për të shpëtuar të rrezikuarit. Në fund të ditës disa prej tyre mbetën të shtruar në spital, për fat të mirë pa lëndime e djegje më të mëdha. Ata pra i dolën ballë punës e detyrës së tyre duke vënë në vijë vetë jetën e shëndetin e vet. Nëse nga zjarri doli ndonjë mesazh e moral pozitiv, atë e dhanë zjarrfikësit e Tetovës. 

Lëvdata të posaçme meriton shefi i njësitit të zjarrfikësve, Ukë Aliti. Në një shoqëri si kjo e jona, ku nga shefi nuk pritet asgjë tjetër përveçse të “shefovatë”, pra vetëm të shfrytëzojë beneficione pa marrë asnjëherë përgjegjësi, Uka dha shembull diametralisht të kundërt. Ai nuk ndejti anash siç mund të kishte bërë ndonjë shef tjetër, por ishte ndër të parët që iu fut luftës me zjarrin e tymin, duke u bërë shembull për vartësit dhe kolegët e tij. Uka natën pas zjarrit e kaloi i shtrirë në spital, për fat të mirë pa pasoja afatgjate për shëndetin e tij.
Neve nuk na mbetet gjë tjetër veçse të falemnderojmë Ukën dhe zjarrfikësit tjerë që dhanë maksimumin në detyrë, pa menduar fare për veten dhe që sadopak na kthyen besimin se ende ekzistojnë punëtorë të ndershëm publik. Falemnderime meritojnë edhe firmat private që iu erdhën në ndihmë zjarrfikësve me automjetet e tyre. Të gjithë së bashku na ndihmuan të kthejmë besimin se njerzillëku dhe mirësia ende nuk janë shuar krejtësisht.

Sado që të ishin profesionalisht të aftësuar dhe moralisht të përgatitur për të bërë punën e tyre, zjarrfikësve ju duhej të përballen me zjarrin pa pajisje adekuate. Mungonin shkallë të larta, maska, doreza pune e pajisje të tjera të domosdoshme për njësi zjarrfikësish në qytet me plot ndërtesa të larta. Për të shuar plotësisht zjarrin në fund të ditës u desh ndihmë edhe nga firma private, zjarrfikës nga Gostivari dhe nga Qendra për Menaxhim me Kriza. Njësiti i Tetovës pra nuk është as i ekipuar, as i pajisur për të bërë si duhet punën e vet. 

Sqarimin më të mirë për gjendjen e këtillë e jep pasqyra e buxhetit të këtij viti, që këto ditë do të miratohet në parlament. Ndër të tjerat aty mund të shihen edhe dotacionet që ju ndahen komunave për njësitë e zjarrfikësve. Për këtë vit për shembull për zjarrfikësit e Tetovës janë ndarë vetëm rreth 200.000 Euro, Gostivarit rreth 140.000, Strugës rreth 90.000 e kështu me rradhë. Është me rëndësi që të ceket se komunat rurale nuk kanë njësi të veta zjarrfikësish dhe varen nga zjarrfikësit e qyteteve, që do të thotë se me 200.000 Eurot e ndara zjarrfikësve të Tetovës, përveç qytetit duhet të mbulohen edhe pesë komunat rurale me mbi 100 fshatra. Me këto 200.000 Euro pra njësiti i zjarrfikësve duhet të kujdeset për mbi 200.000 banorë.

Problem shtesë përbën ndërmarrja publike “Pyjet e Maqedonisë”. Ajo merr dotacione të posaçme të majme për zjarre, me detyrë të përkujdeset për zjarret në pyje. Por kjo ndërmarrje e ka shndërruar shërbimin e saj në centralë telefonike; në vend se të përballet vetë me zjarret në Sharr, ajo thjeshtë njofton njësitin e zjarrfikësve të komunës dhe e len intervenimin e mëtejshëm në duart e tyre. Pra përveç 200.000 banorëve, ky njësit me ato 200.000 Eurot e mjera duhet të kujdeset edhe për pyjet. Ndërkaq paratë e ndara për zjarre në ndërmarrjen “Pyjet e Maqedonisë” kushedi ku e si harxhohen.

Edhe ato pak pajisje që ka njësiti i zjarrfikësve kanë ardhur në masë të madhe nga donacionet nga jashtë. Ndërkohë mjetet për shuarje të zjarreve mblidhen nga pushteti qendror, edhe atë si përqindje nga sigurimet e makinave dhe pronës. Pra megjithëse paratë për menaxhim me zjarret vijnë nga xhepat tanë, ne jemi të detyruar të kërkojmë lëmoshë nëpërmjet donacioneve.

E gjithë kjo ndodh sepse ato para tona buxheti i shpërndan në vende tjera dhe në mënyra tjera. Sa për ilustrim vetëm perdet e teatrit të ri në Shkup kanë kushtuar katër herë më tepër se dotacioni vjetor për zjarr në Pollog, ndërsa për skulpturën e Aleksandrit janë harxhuar mjete sa për mbrojtjen e banorëve të Pollogut nga zjarri për 50 vite. Në këtë shtet pra vlejnë shumë më tepër njerëzit nga bronzi e mermeri, se ata të gjallët nga mishi e gjaku.
I gjithë rasti me zjarrin edhe një herë na përkujton se si buxheti i shtetit vazhdimisht na shndërron në lypës me paratë tona. Më tepër se çdo gjë tjetër, deputetët dhe politikanët tjerë duhet t’i mbajmë përgjegjës për votën që do të japin për buxhetin e ardhshëm të shtetit.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button