Mjeshtri më i mirë i mocarelave në Itali është shqiptar

Kush pëlqen Italinë dhe ushqimet “Made in Italia”, nuk mund të mos e di çfarë është një Caseificio (baxhë), por kush njeh cilësinë dhe e kërkon atë, e di fare mirë që ka baxha e baxha dhe një e tillë me emër të mirë është një nga qendrat e jetës së një qyteti.

Kështu është dhe Caseificio Artigiana, në rrugën Amendola në Bari. Furnizon restorantet më të mira të krahinës dhe nga mëngjesi në darkë është plot e përplot me blerës që dinë të shijojnë cilësinë. Të futesh në të duhet të marrësh numrin e të presësh me durim radhën, transmeton shqiptarja.

Kush ka provuar mocarelat e produktet e tjera të qumështit aty, që janë aq të shumëllojshme sa nuk mund të numërohen, vështirë se mësohet me produkte të tjera të të njëjtit lloj edhe në qytetet e tjera italiane.

Por ajo që na la pa fjalë e na bëri zemrën mal ndërsa paguanim me dëshirë gjërat e mira të blera ishte kjo surprizë: Mjeshtri i mocarelave prej 5 vitesh në këtë baxhë, pasi ka shëtitur me eksperiencë 17 vjeçare gjithë Italinë, është shqiptari Dritan Haçaj. Me origjinë nga Shkodra e me banim në Vlorë. Nuk mund të largoheshim pa e pyetur dhe pa parë nga afër se si i bën mocarelat dhe mbi të gjitha… a ka ndërmend të vijë e të hapë një gjë të tillë në Shqipëri.

Bashkë me Dritanin punojnë dhe dy shqiptarë të tjerë, të dy nga Malësia e Madhe. Në punishten më të famshme në Puglia, pjesa dërrmuese është ajo e shqiptarëve.

“Punojmë shumë këtu, pa pushim dhe puna që bëjmë është fryt i sakrificave të gjata”, thotë Dritani që na tregon se ka punuar për 17 vite nëpër baxhat më me zë në Itali. Kur e pyesim se cili është sekreti i mocarelave të mira na e thotë pa u menduar dy herë: qumështi i mirë dhe menjëherë, pa pritur pyetjen dhe kuriozitetin tonë nëse do të kthehet në Shqipëri nxiton: “Në Shqipëri është problem qumështi. Shumica e baxhove, jam interesuar, punon me qumësht pluhur. Duhet të punohet shumë me grumbullimin e qumështit. E di se në Lushnjë ka nisur një gjë e tillë, madje dhe kam folur.”

A do të ktheheni në Shqipëri, e pyesim? “Jam i interesuar për ato që thotë Edi Rama, i ka dhënë një imazh interesant Shqipërisë. Po na la 3 vite pa taksa kthehemi të gjithë aty.”. Buzëqesh dhe mbulohet bashkë me shokët nga avujt e mocarelave.

Tani që është festë punojnë tërë ditën deri në mesnatë për t’u ringritur përsëri herët në mëngjes, pa gdhirë.

Nga veriu në jug të Italisë më ka qëlluar shpesh të takoj bashkatdhetarë që drejtojnë majat e ekselencave italiane dhe do të doja që të mos flasë njeri keq për ne: Jemi popull punëtor, i zgjuar, ekselent, por që na kanë munguar gjithmonë rregullat dhe drejtësia për të ecur përpara falë meritave.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button