Asgjë nga zënkat e pritura në debatin e tretë demokrat

Zënkat para debatit premtonin një debat më të gjallë demokrat, por dy konkurrentët përsëri u gjunjëzuan para Klintonit

Debati i tretë demokrat, njëlloj si i dyti, u mbajt një nate të shtunë në të njëjtën kohë me ndeshjet e futbollit amerikan dhe premierën e filmit më të ri nga kult-seria “Lufta e Yjeve”. Ndryshe nga debatet republikane duket sikur partia demokrate me kësi oraresh përsëri organizon debate sa për sy e faqe, pa dëshirë që të ndiqen nga shumë njerëz. Mirëpo 24 orë para debatit gara demokrate hyri në një fazë të re grindjesh, që të rikujtojnë garën republikane. Shkas për këtë ishte “vjedhja” e të dhënave të fushatës së Klintonit nga fushata e Berni Sandersit.

Zënka para debatit. Pa hyrë në detaje teknike do të themi vetëm se një aktivist i fushatës së Sandersit kishte marrë të dhënat e fushatës së Klintonit nga softueri i partisë demokrate. Megjithëse Sanders kishte pushuar menjëherë nga puna këtë punëtor, partia demokrate morri masa drakoniane duke i ndaluar plotësisht Sandersit qasje te softueri i partisë. Sanders u kundërpërgjigj duke paditur partinë në gjyq.

Për të qetësuar gjakrat partia i ktheu Sandersit qasjen disa orë para fillimit të debatit, por gjatë ditës fluturuan akuza të ashpra mes fushatave. Klinton akuzoi Sandersin për vjedhje të të dhënave, ndërsa Sanders dhe O’Malli akuzuan partinë se me qasjen te softueri dhe orarin e debateve po kurdis garën në favor të Klintonit. E gjithë kjo premtonte zënkë të ashpër për debat.

Në debat gjakrat qetësohen menjëherë. Ashtu siç pritej debati filloi me temën e vjedhjes së të dhënave. Por në vend se të vazhdonte me retorikën e ditës, Sanders dha një sqarim të gjatë se si kishte ndodhur problemi dhe në fund ftoi partinë të hulumtonte më thellë furnizuesin e softuerit. Madje në vend se të hidhet në sulm ai përfundoi duke i kërkuar falje Klintonit. Me këtë u mbyll edhe çështja e vjedhjes së të dhënave, por problemi nuk mund të mos rikujtonte aferën e e-mailave të Klintonit si sekretare shteti. Edhe një herë pasiguria e të dhënave elektronike lidhet me emrin Klinton, gjë që republikanët padyshim do t’a shfrytëzojnë në zgjedhjet e përgjithshme.

Politika e jashtme. Sulmet në Paris dhe Kaliforni vunë çështjen e sigurisë nacionale dhe politikës së jashtme në qendër të vëmendjes. Por këtu nuk pat ndonjë gjë të re për të thënë. Sanders rikujtoi se Klinton kishte votuar për luftën në Irak dhe përsëriti thirrjet për një politikë të jashtme më të butë. Në linjë të njëjtë ishte edhe O’Malli. Qëndrimet e tyre janë diametralisht të kundërta me ata të republikanëve (me përjashtim të izolacionistit Rend Pol).

Nga ana tjetër Klintonit i duhet të navigojë një terren pak më të vështirë. Duke dashur të ruajë votuesit e Obamës ajo mban linjën e tij, arsyeton rrëzimin e Gadafit dhe kërkon rrëzimin e Asadit. Por për t’u rujatur nga sulmet republikane në zgjedhjet e përgjithshme asaj i duhet të shkojë një hap më tej, prandaj shpesh tingëllon po aq agresive sa ata. Në përgjithësi duket sikur në qendër të politikës amerikane ka një konsensus të përgjithshëm ku takohen Klinton dhe shumica e kandidatëve republikanë, ndërsa jashtë këtij konsensusi janë më “ekstremët” e të dy palëve si O’Malli, Sanders, Pol apo dhe Ted Kruz.

Ekonomia dhe bankat. Në elementin e tij Sanders ripërsëriti qëndrimet Robin-Hudeske për t’u marrë sa më tepër të pasurve dhe për t’u dhënë të varfërve, për të krijuar kështu një shoqëri më të barabartë. Klinton edhe këtu është më afër qendrës pasi kërkon që barazia të arrihet me një seri hapash më të vegjël. Për shembull te çështja e reformës shëndetësore Sanders kërkon vendosjen e sigurimit shëndetësor shtetëror, ndërsa Klinton përmirësime të vogla të sistemit aktual – Obamaker.

Sanders dhe O’Malli përsëri ngritën çështjen e afërsisë së Klintonit me bankat, por ajo përsëri u mbrojt me sukses, ndonëse pa përsëritur gafet nga debati i mëparshëm. Tema nuk përbën më ndonjë risi në garën demokrate, por siç kemi thënë mund të jetë problem në zgjedhjet e përgjithshme pasi i heq Klintonit një armë që demokratët e kanë përdorur përherë kundër republikanëve.

Kontrolli i armëve. Një moment i rrallë ku O’Malli tentoi të diferencojë veten nga kundërkandidatët ishte çështja e kontrollit të mbajtjes së armëve. Ai akuzoi konkurrentët se janë të butë në këtë çështje, duke dhënë shembull të kompetencës së vet nga koha si kryebashkiak dhe guvernator. Por kontrolli i armëve nuk është çështje aq e rëndësishme në këto zgjedhje, prandaj ai vështirë se fitoi ndonjë pikë nga ky sulm.

Donald Tramp. I vetmi kandidat republikan që u përmend me emër, edhe atë nëntë herë, ishte Donald Tramp. Taktika demokrate gjithsesi është të paraqesë Trampin me gjithë qëndrimet e tij kontraverse si përfaqësues më të gjërë republikan.

Klinton vonohet pas pauzës. Një ngjarje e paparë deri më tani ndodhi pas pauzës së dytë të debatit. Pas kthimit nga pauza në skenë kishin ngelur vetëm Sanders dhe O’Malli, ndërsa Klinton nuk dukej gjëkundi. Moderatori filloi debatin pa të, por në ndërkohë ajo u rikthye në skenë duke kërkuar falje. Më vonë u kuptua se asaj i ishte dashur të presë në rradhë për tualet.

Shikueshmëria. I organizuar nga televizioni ABC, ky ishte debati më pak i ndjekur i vitit. Atë e kanë shikuar rreth 6,7 milionë shikues. Për kontrast disa ditë më parë debatin republikan e kishin ndjekur 18 milionë shikues. Debati demokrat ishte më i afërt me debatin republikan të “ligës së dytë”.

Fitues/humbës të debatit. Debati nuk ndryshoi kurgjë në garë, që do të thotë se fituese mund t’a deklarojmë përsëri Klintonin. Për më tepër debatet demokrate po ndjekin një vijë të njëjtë. Sanders dhe O’Malli dijnë të kritikojnë ashpër Klintonin para dhe pas debateve, por u mungon guximi kur janë ballë për ballë me të. Kjo nuk i ndihmon asnjërit për të shtuar vota. Që të dy duhet të konsiderohen si humbës edhe këtë rradhë.

Çka më tutje. Në fjalën e saj përmbyllëse Klinton më tepër ju drejtua elektoratit të përgjithshëm se votuesve demokratë. Ajo dha arsyet pse duhet të zgjidhet para kandidatit republikan, kushdo që të jetë ai. Me një fjalë Klinton veçmë i ka sytë te zgjedhjet e përgjithshme dhe nuk i konsideron Sandersin dhe O’Mallin si konkurrentë seriozë. Nga ana e tij Sanders po duket gjithnjë e më tepër si kandidat njëdimensional, që nuk ka ndonjë vizion përtej retorikës populiste ekonomike. O’Malli edhe më tej s’po lëviz nga 3-4%.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button