Ja se çka thotë psikologjia për selfie-t

Fillimisht Facebook-u, si format, përveç që kishte për qëllim kontaktin e shtuar mes të njerëzve, ai po ashtu ishte planifikuar si një hapësirë ku njerëzit do të mund të prezantonin veten e tyre në mënyra nga më të ndryshmet. Një gjë e tillë ka ndikuar (edhe në menyrë të pavetëdijshme) që njerëzit të fokusohen më tepër në individualen, duke filluar prej theksimit të rëndësisë së opinionit personal, komentimit të individëve më shumë sesa të çështjeve më të zgjeruara e më të thella e deri tek publikimi i vazhdueshëm i selfie-ve, që sigurisht se është ndihmuar edhe nga lehtësirat që kanë krijuar smartphone-t. Pra, ky format thekson individualen, duke shtuar këtu faktin që mediat sociale menaxhohen drejtpërdrejt nga njerëzit.

Ekziston një debat i vazhdueshëm nëse selfie nënkupton çrregullimin psikik ose jo. Ka shumë studime që janë bërë dhe shumë rezultate kontradiktore që janë publikuar, e që kjo do të thotë se ende nuk është arritur një pasqyrim i plotë real mbi motivet e selfie-ve. Kanë qarkulluar me mijëra artikuj ku thuhej se studiuesit e cilesojnë selfie-n si çrregullim mendor. Në fakt, është folur për selfiet e vazhdueshme apo atë qe ata e kane quajtur selfitis, por qe kjo nuk e nënkupton domosdoshmërish çrregullimin mendor. Së paku ende nuk ka publikime zyrtare që do e konfirmonin një lidhje të tillë.

Sidoqoftë,  përmes selfieve, njerëzit besojnë tashmë se i gjejnë më lehte elementet e tyre më të bukura fizike dhe kanë besim se mund të krijojnë imazhin e tyre në një foto ashtu siç ata duan. Po ashtu vazhdon debati mbi atë se a kanë apo jo vetëbesim njerëzit që bëjnë vazhdimisht selfie. Rezultatet e deritanishme, ne fakt, nuk arrijnë të veçojnë njërin grup apo tjetrin. Selfie mund të jetë e shprehur tek ata që kanë vetëbesim dhe natyrisht edhe tek ata që nuk kanë. Pra, rëndësia që u japin njerëzit dukjes, veshjes dhe së bukurës në përgjithësi, bashkë me prezantimin e vetvetes përbëjnë emëruesin e përbashkët në fiksimin ndaj selfieve. Këtu po flasim vazhdimisht për selfiet individuale dhe jo ato grupore sepse elementet psikologjike gjithmonë janë më të dallueshme në selfiet individuale.

Por, selfiet sigurisht se kanë edhe anën e tyre negative. Janë dy studime interesante në këtë drejtim. E para, se njerëzit që bëjnë më shumë selfie dhe që e theksojnë vazhdimisht individualitetin e tyre, e kërcënojnë shoqërinë e tyre me të njerëzit e tjerë të cilët ndjejnë nevojën të shkëputen gradualisht. Po ashtu, del se obsesionimi i selfieve dhe analizimi në detaje i elementeve fizike (sidomos te fytyrës) ka çuar në rritjen e numrit të operacioneve plastike.

 

Shkruar nga Etleva Durmishi, psikologe

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button