Në Ohër vazhdon tradita e prodhimit të letrës me dorë

Për prodhimin e letrës, punëtoria përdor një sitë me kornizë druri dhe rrjet teli, si dhe disa pajisje kulluese dhe për tharje, ndërsa përveç fijeve të brendisë së drurit, në prodhimin e letrës përdor edhe pambukun, njofton AA.

Letra, që është e domosdoshme në aktivitetin profesional të përditshëm, është material bazë në veprimtarinë grafike, e cila kryesisht përbëhet nga fijet me prejardhje bimore dhe materiale të tjera të ngjashme, me dhënie shtesë të mbushësve, ngjitësit dhe ngjyrës. Në kohët e vjetra të mesjetës çdo fletë e këtij materiali realizohej me punë dore, ndërsa sot me makineri të ndryshme prodhohet në një masë të madhe.

Kjo procedurë mesjetare e prodhimit të letrës është sjellë nga Kina në Evropë në shekullin e 12-të, për herë të parë në Barcelonë dhe prej atje nëpërmjet Venecias dhe Dubrovnikut është transmetuar në Ohër. Tradita e prodhimit të letrës në qytetin e Ohrit daton që nga shekulli i 16-të në Manastirin “Shën Naum”, ku letra prodhohej për qëllime të brendshme dhe në sasi të kufizuar.

Sot punëtoria nacionale “Shën Naumi i Ohrit”, në një mënyrë unike paraqet vazhdimin e procedurës së vjetër mesjetare, e cila është me origjinë nga Kina që nga shekulli i 2-të para erës sonë. Nino Panevski, i biri i pronarit të punëtorisë, shpjegon për Anadolu Agency (AA) se si prodhon letrën sipas mënyrës së vjetër mesjetare. Për prodhimin e saj, Panevski përdor një sitë me kornizë druri dhe rrjet teli, si dhe disa pajisje kulluese dhe për tharje, ndërsa përveç fijeve të brendisë së drurit, në prodhimin e letrës ai përdor edhe pambukun.

Makina e vetme që përdor kjo punëtori funksionon me rrotë uji, me ndihmën e një boshti me rrotë valore të futur në lëvizje nga një çekan shtypës, i cili i thërrmon paçavrat në një brumë, pastaj brumi sjellet në një koritë me ujë, ku dhe zhytej sita. Korita që përdor Panevski përbëhet nga 60 përqind dëllinjë dhe 40 përqind pambuk, ndërsa për ngjyrën e letrës ai përdor kafe, çaj apo fije të misrit. Sita që zhytej nga Panevski merrte me vete shtresën e imët të brumit, e cila sitej dhe sasia e fituar hidhej mbi pëlhurë, ku dhe ngjitej. Për tharjen e saj nevojiten një apo dy ditë dhe pas ndarjes nga pëlhura fitohej letra në të cilën mund të shkruhet, vizatohet dhe shtypet.

“Përpunohet me të njëjtin princip si të kinezëve, të cilët të parit e filluan në shekullin e 2-të para erës sonë. Në atë kohë dhjetë mijë njerëz gjatë tërë ditës bënin prerjen e brendisë së drurit, ndërsa sot i gjithë procesi i prodhimit bëhet në mënyrë mekanike. Zakonisht përdoret dru i fortë, fijet e të cilit kur do t’i fusim në ujë do të ngjiten ndërmjet veti. Pastaj, sasia e fituar do të vendoset në pëlhurë, do të thahet për një apo dy ditë dhe pas ndarjes nga pëlhura fitohet një fletë e letrës, me të cilën bëjmë qese, libra apo zarfe”, shpjegon Panevski.

Pas prodhimit të letrës me dorë pason faza e fundit, ku Panevski përdor makinën e shtypit. Ai rrëfen se të gjitha punimet e punëtorisë janë të shtypura prapa me kopje nga makina për shtyp e Gutenberg-ut. Në këtë mënyrë shtypja e letrës së parë ka ndodhur në vitin 1452 në Mainz të Gjermanisë kur Gutenberg-u shtypi Biblën.

Panevski duke theksuar se makina origjinale që përdor ai ndodhet në Mainz të Gjermanisë dhe një tjetër në Bled të Sllovenisë, shtoi se: “Gutenberg-u në shekullin e 15-të ka përdorur shkronja nga plumbi, të cilat i ka radhitur nga e djathta në të majtë shkronjë për shkronje, pastaj i ka lyer me katran dhe rrëshirë dhe me shtypje ka fituar një faqe të Biblës. Nëse ke përvojë dhe dinë çfarë je duke bërë, përafërsisht të nevojitet dy orë e gjysmë për të krijuar një faqe”.

Punëtoria nacionale “Shën Naumi i Ohrit” në të cilën ka shumë elemente artistike ndodhet në pjesën e vjetër të qytetit të Ohrit. Kjo punëtori përveç ngjalljes së traditës mesjetare për prodhimin e letrës, paraqet edhe një lloj tërheqje për turistët që vizitojnë qytetin e Ohrit.

Sot letra prodhohet në të gjitha kontinentet e botës. Prodhuesit më të madh të saj janë SHBA, Kina, Japonia dhe Kanadaja, të cilët përbëjnë më shumë se gjysmën e prodhimit të letrës së botës, numër i cili arrin deri në 400 milion tonë në vit. Sipas hulumtuesve, në botë harxhohen rreth 54 kg letër në vit për kokë banori.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button