Tetovë, alarmi me ajrin e ndotur, statistika: kush i ka fajet, çfarë duhet bërë?! (FOTO)

Qytetarët e Tetovës vazhdojnë të thithin ajër tmerrësisht të ndotur. Të hënën matësit e ajrit shënuan ndotje maksimale, thuajse 20 herë më shumë se sa e lejuara! Pa përjashtuar ndotësit tjerë, banorët gjejnë fajin te fabrika e Jugohromit e cila prolongon në vazhdimësi vënien e filtrave duke punuar kështu jashtë gjitha standardeve ekologjike. Nga oxhaqet e saj vazhdon të villet tymi që sipas mjekëve dëmton shëndetin e rreth 200.000 njerëzve.

Sipas studiuesve, në Tetovë ka tre lloje të ndotjes:
I pari është kombinati metalurgjik Jugohrom, i dyti është  trafiku – mjetet e komunikacionit, kurse në grupin e tretë bëjnë pjesë amvisëritë dhe djegja e deponive.

Sipas dekanit të Fakultetit të Shkencave të Natyrës në USHT, Fauzi Skenderi, në ndotjen e ajrit në  qytetin e Tetovës Jugohromi merr pjesë  me 24 %, kurse tjetrën e shkaktojnë  ndotësit tjerë.

Si ndotës të ajrit në  Tetovë  janë  edhe mbi 40.000 automjetet sa llogaritet se ka sot kjo komunë , prej të cilave 70% funksionojnë  pa katalizatorë dhe në gjendje të keqe teknike”. Ndotës të  tjerë  janë  edhe amvisëritë dhe djegia e deponive të egra në qytet. Gjithë këta ndotës bashkë , gjatë  kohës kur mjegullat bien poshtë në fusha, ndikojnë në formimin e ‘smogut’ të rrezikshëm për shëndetin e njerëzve”. shprehet për Portalb Skenderi.

Hasan Idrizi, profesor i ekologjisë  dhe i mbrojtjes së  mjedisit në USHT për Portalb deklaroi se ndotësit e Tetovës janë  antropogjenë.

“Fjala është  për lëndët djegëse si: nafta, qymyri, druri, mazuti dhe gazi, të cilët përdoren nga industria, komunikacioni, amvisëritë etj. Sipas të  gjitha studimeve kombinati Jugohrom është  harxhuesi më i madh i lëndëve djegëse dhe për pasojë  edhe ndotësi kryesor. Gjatë  studimit që  kam bërë  në  vitin 2007, kam ardhur në  përfundim se vetëm Jugohromi djeg 65 % lëndë djegëse kurse gjithë qyteti i Tetovës (komunikacioni, amvisëritë, djegia e mbeturinave) 39%. Nga këto djegie emetohet karboni, hidrogjeni, sulfuri, azoti dhe grimcat e imëta PM10, që  janë  të dëmshme për organet e frymëmarrjes dhe shëndetin e njerëzve” shprehet Idrizi.

Aktivisti i  Lëvizjes ekologjike “Eco Guerilla” Arianit Xhaferi thotë se në rajonin e Pollogut Jugohrom merr pjesë me ndotje me afër 55%, sepse çdo ditë lëshon rreth 30 tonë pluhur në ajër.

“Me filtra, në rastin më të keq të mundshëm do lëshonin vetëm 800 kg pluhur në ditë. Në vitin 2009 Jugohrom nuk ka punuar, dhe si rezultat i kësaj ka pasur 55% më pak emetime të gazrave të dëmshëm në ajër. Për tre vite kanceri ka shënuar rritje për 80% – ngjashëm dhe sëmundjet tjera të sistemit të frymëmarrjes ose qarkullimit të gjakut. Të dhënat tona flasin edhe për pasoja psikologjike, por e keqja është se shumica e qytetarëve të kërcënuar nga ky problem presin që dikush tjetër ta zgjidhë problemin për ta. Mjerisht, ne nuk e kemi në dorë çelësin e zgjidhjes së problemit. Kjo varet nga vullneti i kabinetit qeveritar dhe nga vullneti i deputetëve – sidomos atyre të zonës 6 (qofshin shqiptarë ose maqedonas).” thekson për Portalb, Xhaferi.

Për lexuesit e PORTALB-it po sjellim edhe statistikën e vet Ministrisë për Ambientin Jetësor dhe Planifikimin Hapësinor e cila tregon se në vitin 2009 kur nuk ka punuar Jugohromi, dukshëm është zvogëluar niveli i grimcave të pluhurit në ajër, niveli i dioksidit të karbonit dhe ai i dioksidit të azotit.  Më poshtë i gjeni tabelat ndërkaq për më shumë LEXONI NË KËTË LINK.

Sasia e përgjithshme e lëshimit të Azotit (NOx) në ajër nga periudha 2004-2009. Në vitin 2009 zvogëlohet sasia e CO (me ngjyrë vjollce) pasi që Jugohromi nuk ka punuar.
Sasia e përgjithshme e lëshimit të Azotit (NOx) në ajër nga periudha 2004-2009. Në vitin 2009 zvogëlohet sasia e CO (me ngjyrë të kaltër e çelë) pasi që Jugohromi nuk ka punuar.
Sasia e përgjithshme e lëshimit të dioksidit të karbonit në ajër nga periudha 2004-2009. Në vitin 2009 zvogëlohet sasia e CO (me ngjyrë vjollce) pasi që Jugohromi nuk ka punuar.
Sasia e përgjithshme e lëshimit të dioksidit të karbonit në ajër nga periudha 2004-2009. Në vitin 2009 zvogëlohet sasia e CO (me ngjyrë të kaltër) pasi që Jugohromi nuk ka punuar.
Sasia e përgjithshme e lëshimit të NOx në ajër nga periudha 2001 deri më 2009
Sasia e përgjithshme e lëshimit të grimcave të pluhurit në ajër nga periudha 2004-2009. Në vitin 2009 zvogëlohet sasia e grimcave (me ngjyrë  vjollce) pasi që Jugohromi nuk ka punuar

Edhe përkundër përpjekjeve, nuk arritëm të sigurojmë prononcimin e ministrit të Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Nurhan Izairit, për çështjen në fjalë po sjellim për lexuesit tanë një fragment nga intervista e tij e dhënë në emisionin 10 minuta të TV21, të datës 23.11. 2015, në të cilën ai foli për hapat që do të ndërmiren për zgjidhjen e problemit të ndotjes në qytetin e Tetovës:

“Ne jemi në komunikim të drejtpërdrejtë  me organet përgjegjëse komunale të të gjitha institucioneve dhe ato janë duke hartuar planet me të cilat do të duhet të tejkalohet kjo situatë. Ato janë plane afat shkurtër, afatmesme dhe afatgjata, kështu që pritet shpejt që të gjitha institucionet të marrin vendime të tilla të cilat do të kontribuojnë në përmirësimin e kësaj situate.”

Ndërsa i pyetur për shqetësimet e qytetarëve në lidhje me ndotësin më të madh në Tetovë fabrikën metalurgjike “Jugohrom” Saso Sefolovski zëdhënës i Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor tha:
“Në fund të vitit do bëhet analizë dhe ajo do të tregojë se kush dhe me sa përlind e ndotë ambientin. Unë mund t’ju them vetëm një gjë, se Jugohrom aktualisht është duke punuar me 25% të kapacitetit”. /Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button