E hajrit

…nuk e ka krejt njëlloj kur sheh që je rikthyer në formë; anise nuk është vetëm, ka dikend në krah, ai edhe më tej mendon se hak e ka e dikurshmja e vet të vazhdojë të jetë e tij në atë mënyrë që asaj do t’i shkaktojë problem aq sa atij do t’ia miklojë sedrën, kështu janë meshkujt tanë, për tjerët s’e di…kjo specifikë e tyre gjinore ka të bëjë më shumë me sociologji se sa që është psikologjike, hajde tash mos t’i quajmë vetjakë më shumë se sa e meritojnë… Ma merr mendja se tashmë nuk ngatërrohesh me emocionet në çdo takim të befasishëm, nuk të trazon pamja e tij nga larg, prandaj nuk e ka më krejt njëlloj…kjo nuk don të thotë detyrimisht që ende të do, por i pëlqen të vazhdosh t’a duash…Prandaj uroj të vazhdosh të punosh dhe shkruash me këtë ritëm, sa më pak kohë për ndenjat pa rezon…derisa një ditë të shuhen plotësisht…  

Pse ai nuk e ka pasur prej më herët këtë drojë nga distance yte!? Arsyeja është, mendoj, se ti i’u riktheve asaj që është vokacioni yt, bunarit të vjetër; mandej siq thonë pleqtë “e ndërrove havanë” se kur njeriu lëviz nga vendi, lëviz ngapak ose “nga shumë” edhe nga të menduarit e vet. E rekomandojnë edhe psikologët: udhëtimi ose shpërngulja e përshpejtojnë mëkëmbjen pas ndonjë rrebeshi që e kemi vështirë t’a kapërcejmë. 
Dhe kur një ditë ringritesh, ndjenja është e pakrahasueshme, atëherë të mprehet shikimi, dallon më mirë edhe situatat edhe njerëzit, s’merresh me imtësira.
Atëherë tamam lirohesh. 

…sa mirë nisi ky mëngjes, me sms-in tënd nga larg, shihet sa nga fjalët aq nga ajo ndërmjet tyre  (ta quaj frymë) që vazhdon të mendosh dhe veprosh më kthjellët. 
Ke ndryshuar, je rikthyer ende më e mirë se përpara, ja benefiti që ta flisja atëherë e ti s’doje të besosh, e merrje (anise nuk e thoje) për “ngushëllim të bukur”.
Tash është me rendësi ta kontrollosh tonin…m’a ka thënë njëherë një plakë se nëse e mëson gojën të flasë keq,  mandej ajo flet pa e diktuar ti, kalon në ndërdije disi…
Ty s’të rri ai huj i keq femëror i trumbetimit kundër atij që personifikon një pjesë të së kaluarës. Paketoe “të dashurin” dhe vendose në Rraftin e bukur, do kesh momente të rralla kur do të të pëlqejë shfletimi i “albumit” pa trazim nga brenda, pa vner, më tepër me humor. 
Nuk është që nuk i di ti këto, por ja më erdhi të t’i them, në këtë mëngjes të zbukuruar nga sms-i yt që më ngjan me rilindjen tënde.
Mezi pres të kthehesh. 

…e kam menduar këto ditë edhe çështjen e banesës së re.
Gjithmonë më ka bërë përshtypje  Mahalla e Maxhirit, mahallë e dikurshme shqiptare, shetisnim sa herë me miq në kalldërmën ku fryn ai fllad lumi, një dimension tjetërfare në mes të qytetit: janë ca shtëpia të vjetra, me çardak për sefa në mëngjeset, në mbrëmjet e ngrohta, pak oborr me pjergulla, ca drunj edhe ata të plakura por të bukura ama…
E keqja me mahallën qëndron aty se do fillojë të urbanizohet.
Gjithçka do ndryshojë, njerëzit do pasurohen.
Edhe një aneks “luksit të lirë”.
S’e kam vendin më aty.

Tjetër favorit kam tash për lokacion banese, ama s’e them zësshëm, se “dreqi dëgjon, mos flit ashtu serbez” thotë Koçua dhe me këtë nuk nënkupton njerëzit e ligë, por dreqin vetë…nga ky shkak atë planin me ambasadën shqiptare në Shkup nuk e them pra, vetëm do vazhdoj të ec sipas planit.
Se s’është plan vetëm për mua, mund të jetë një benefit më i gjerë.
Dhe kur është kështu, angazhimi ka më shumë lezet. 
Të vazhdojmë pra të endërrojmë. 
Gjithçka fillon nga endërra, të paktën kështu më ndodh, me vite…
Muhabet i gjatë kjo me ëndërrat, ika tash se këto tezet plaka kërkojnë çaj, atje në dhomë muhabeti vlon në dialektin tetovar të turqishtes…
Tezet e kuptojnë Kohën, s’ankohen nëse mbyllem në dhomë.
Ama çajin e duan në kohë, e duan të rëndë, pa sheqer, pak limon..
Hanume të vaktit, super janë, dhe do rrijnë gjatë.. 

…me shpresë sadoqofte të të hyjnë në punë, ja ca pika të shkurtra.
 Ia vlen njeriu të mundohet për të ruajtur diçka. Këtu s’duhet bërë aq hesape, s’ka rend “Jo ai, jo unë”, dashuria, nëse egziston, arsyeton përpjekjet për korigjim. Ndonjëherë bile edhe kur na duket se dashuria nuk është edhe gjithaq…sërisht ia vlen të përpiqemi gjithnjë me bindjen se martesa para së gjithash është konventë. 
2. Nëse duket që gjërat janë të pariparueshme, kjo nuk do të thotë se s’riparohen në një të ardhme. Nisur nga kjo mos e merr aq me siklet: te flas siq i flitet një Mikes së çmuar! Dhe arsyeja kryesore se pse të lus mos merzitesh sa s’duhet (nëse e qëllova fjalën), qëndron aty se Vetvetja eshte kryesorja, është mbi të gjitha. Kur jemi ok me veten, jemi edhe për femijën, edhe për prindët, për të tjerët…
Thyerja na bën më të fortë për dallgat tjera të jetës, ama kjo le të mos zgjatet shumë! Është jonormale njeriu mos të vuajë për të humburën…Vetë apo me asistim profesional do dalësh në Bregun me diell, e  di se edhe kete ti e nekupton: s’ka nevoje të vuash shumë që të drejtohesh për ndihmë..
Dhe diçka në frymën e kësaj nate para Bajramit:
Ne haberin s’e kemi se çka është e hajrit.
Zoti e din vetëm.
Por kjo s’bën të na përgjumojë.
Ne duhet pak t’i ndihmojmë atij (Zotit) që ai t’na ndihmojë.  

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autorja, sipas marrëveshjes mes tyre.
 

Lajme të ngjashme

Back to top button