Aktori Visar Vishka, nga peripecitë në vendlindje deri në Hollywood

“Pas njohjes me agjentet time Anila Gajeviç më është ndryshuar jeta. Thuhet se kur të mbyllen disa dyer, hapen disa dyer të tjera…”, thotë aktori Visar Vishka.

Për një aktor nga një vend i vogël dhe me një treg të artit shumë të vogël siç është Maqedonia, vështirë është të depërtohet në botën e Hollywood-it, mirëpo aktori shqiptar nga Maqedonia, Visar Vishka, ka arritur të jetë pjesë e kinematografisë botërore, duke luajtur seriale me personazhet më të famshëm botëror.

Ai në një rrëfim për Anadolu Agency (AA) tregon për sukseset në karrierën e tij të deritanishme, sfidat me të cilat është ballafaquar, vështirësitë në vendlindjen e tij, por thekson se në Hollywood është vetëm prezent, sepse ende nuk ka arritur aq sa ka dashur. “Mund të them se me serialet që kam luajtur jam prezent atje, por ende jo aq sa kisha dashur”, shprehet Vishka. Sipas tij industria amerikane ka filluar të ndryshojë qasjen duke i dhënë skenës një larmi më të madhe me përfshirjen e aktorëve evropian.

Vishka duke folur për sukseset në karrierën e tij, shpjegon se të gjitha këto arritje erdhën pas njohjes me agjenten e tij aktuale nga Sarajeva, Anila Gajeviç, e cila siç thotë, ia ka ndryshuar jetën tërësisht. Pas vështirësive në Maqedoni, ai si një person i papunë rastësisht nëpërmjet një mikes së përbashkët në Facebook ka arritur të kontaktojë me agjenten boshnjake dhe të dakordohet për të konkurruar në serialin “Philanthropist” në NBC, që rezultoi të jetë kastingu i parë i fituar për aktorin Vishka dhe njëjtë edhe për agjenten Gajeviç.

“Pas njohjes me agjentet time Anila Gajeviç më është ndryshuar jeta. Thuhet se kur të mbyllen disa dyer, hapen disa dyer të tjera. Mua në vendlindjen time m’i mbyllën të gjitha dyert nga teatrot shqiptare, njëjtë edhe nga Teatri Kombëtar Maqedonas (MNT) dhe ai i dramës ku fillova karrierën, e gjithë kjo për arsye politike apo nga xhelozia që kanë pasur ndaj meje. Mbeta i papunë në vitet më të mira të karrierës sime”, thotë Vishka, duke rrëfyer sfidat me të cilat është ballafaquar në fillim të karrierës së tij.

– Aktori në Hollywood dhe Perëndim vlerësohet shumë më tepër se në Ballkan –

Vishka nënvizoi trajtimin që u bëhet aktorëve nga produksionet amerikane në krahasim me ato ballkanike, që e bëjnë aktorin të ndjehet i veçantë dhe kjo siç rrëfen ai, në Hollywood vërehet në kontratën në të cilën përskaj emrit të figuron “Guest Star”, e cila posedon kushtet e nevojshme gjatë qëndrimit dhe xhirimeve për aktorin, si limuzinë, telefon, hotel, kabinë personale gjatë xhirimeve etj.

“Aktorët janë gjëra kryesore në një film apo serial. Këtu tek ne harxhojnë miliona euro për film, mirëpo aktorët janë gjithmonë më pak të paguar ose aspak të paguar. Ndodhë që kabllomani të ketë honorar më të lartë se një aktor, që është e pakuptimtë. Prandaj edhe filmat këtu janë ashtu siç janë”, ankohet Vishka.

Sipas tij trajtimi i aktorit mes Hollywood-it dhe Ballkanit dallon shumë, sepse në Hollywood producentët janë më modest dhe profesionistë, ndërsa në Ballkan janë më amatorë dhe nuk vlerësojnë aktorët aq sa duhet.

– Për të luajtur një rol negativ, nuk është patjetër të jesh muskulor dhe person i vrazhdë –

Në vijim të rrëfimit të tij për AA, Vishka tregon se shpesh herë ndodh që agjentja e tij i ofron role ku kërkohet tip muskulor, i madh dhe me natyrën e një luftëtari, rol që aspak nuk i përshtatet atij. Në serialin “Legends” Vishka luan rolin e çeçenit, Doku Zakayev, rol i cili fillimisht ishte ideuar të luhet nga një person muskulor. Vishka thotë se për të qenë një njeri me prirje negative, nuk është patjetër të jesh muskulor dhe duke u bazuar në këtë ai ka arritur t’i jap një dimension tjetër, duke e modifikuar personazhin t’i përshtatet fizikut të tij.

Aktorit nga Maqedonia nga producenti Jimmy Payne i janë ofruar edhe dy role të tjera, të cilat i kanë pëlqyer producentit dhe e kanë bindur se nuk është patjetër që personazhin negativ ta luajë një aktor muskulor dhe i vrazhdë, por në fund është vendosur që Vishka të luaj rolin e Doku Zakayev-it.

“Unë atë që xhirova si Doku Zakayev e dërgova dhe të gjithë u habitën. Producenti dhe regjisori i dy episodeve Jimmy Payne tha se kur e pamë se si e ke realizuar u befasuam, sepse asnjëherë nuk e kemi paramenduar se kështu mund të luhet Doku, totalisht kundër nga ajo që e kishim menduar. Kështu del shumë më e fuqishme”, deklaron Vishka.

– Visar Vishka, aktor i parë nga Maqedonia që ka luajtur në një serial turk-

Gjatë bisedës me gazetarin e AA-së, Vishka foli edhe për serialet turke të cilat kohën e fundit përjetojnë një mbështetje goxha të ngrohtë nga publiku ballkanik. Ai thotë se është aktori i parë nga Maqedonia, i cili 10 vite më parë ka xhiruar në Turqi me aktorin Metin Şentürk në serialin “Mos më harro”.

“Ishte një rol i madh. Përndryshe, probleme me turqisht unë nuk kam, sepse jam i lindur në Gostivar dhe në familjen time kam njerëz që deklarohen si turq, kështu që nga lindja kam mësuar gjuhën shqipe, turke dhe maqedonase, si dhe nga ky shkak nuk e kisha problem të luaj në Turqi”, shprehet ai.

Vishka nuk la pa përmendur se Turqia ka një produksion shumë të mirë dhe të madh, ndërsa shtoi se ka edhe oferta për të luajtur në seriale turke. Ai njoftoi se agjentja e tij është duke negociuar me produksionet e Turqisë për ndonjë angazhim të tij në ndonjë serial turk.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button