Shqiponja me tre fole dhe shumë çerdhe

Më 19 tetor të viti 2011, ndërroi jetë Ismail Memedi, i njohur në mes e bashkëluftëtarëve dhe popullit shqiptar, si komandant Fisheku. Ai u lind në fshatin Sërmnovë të Gostivarit në janar të vitit 1956. Shkollën fillore e kreu në vendlindje për të vazhduar më pas në qytetin e Gostivarit. Ishin vitet e hershme atëherë kur Ismaili ende pa mbushur 17 pranvera merr detyrat nga shokët për të shpërndarë flamuj kombëtar (atëbotë të ndaluar) nëpër institucione shkollore. Ismaili e kryen detyrën dhe ngrenë flamurin kombëtar shqiptar në shkollën fillore të Sërmnovës duke hequr atë te ish Jugosllavisë.

Vajzave të fshatit ju jep për detyrë të qëndisin nga një flamur të vogël me shqiponja dhe të njëjtat tua shpërndanin miqve dhuratë për 28 Nëntorin e vitit 1974. Ky veprim kombëtar i Ismailit ishte pretekst që policia dhe sigurimi shtetëror i atëhershëm të marrin një aksion të tërbuar duke rrahur dhe malltretuar nxënësit, për të gjetur autorin e veprave “Nacionaliste” dhe “Separatiste”. Ismaili nuk ndalej, pa mos iu dridhur aspak qerpiku I syrit. Zgjeron radhët organizative, për të vazhduar aktivitetet të njëpasnjëshme duke u lidhur ngushtë edhe me veprimtarin e njohur të ndjerit Xhemil Islami nga Raveni i Gostivarit. Pas mbarimit të shkollës së mesme Ismaili regjistrohet në fakultetin e drejtësisë në Prishtinë. Zinxhiri organizativ sa vinte e shtohej. Bërthama e celulës ku vepronte Ismaili zgjeronte radhët e veta operative si në Sërmnovë, Gostivar dhe qytetet tjera shqiptare në Maqedoni, Kosovë, diasporë dhe viset tjera shqiptare nën Jugosllavinë e atëhershme. Shtyllat ishin të forta aty bënin pjesë Ismail Memedi (Fisheku), Avni Elmazi (Luli i vocër), dhe Naser Veliu (Bashkimi). Pas mbarimit të gjimnazit Ismaili punësohet si mësues, por për shkak të aktivitetit dhe idesë që kishte për popullin e vet, shumë shpejt përjashtohet nga mësuesia si i pa përshtatshëm për kolektivin dhe i rrezikshëm për sistemin e atëhershëm të shtetit. Ismaili i papërkulur dhe i pa ndryshuar vazhdon të ndjek ligjeratat në fakultetin e drejtësisë në Prishtinë. Kaloi ne nje qendër tjetër ku organizimi ilegal ishte edhe më i gjerë dhe më i fortë.

Humbja e Naserit dhe Avniut  ishte shumë e rëndë për Fishekun, por krenaria që ai kishte për ta i dha kurajo për të  vazhduar rrugën dhe çuar amanetin deri në fund. Ismail Fisheku nuk ndalej, ishte organizator dhe pjesëmarrës i shumë protestave në Kosovë dhe më vonë për tu uniformuar nën emblemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Këtu radhitet ndër të parët dhe së bashku me disa veprimtar të tjerë që kishin rrugëtuar bashkë ndër vite në rrugën drejt zgjidhjes së kauzës kombëtare. Bëhet ndër ushtarët më besnik të komandant Kumanovës ( Ismet Jashari ), dhe komandant Çelikut ( Fatmir Limaj ). Kleçka ishte foleja e dytë e Ismailit dhe në mesin e veprimtarëve njihej poashtu si Fisheku I Gostivarit. Kurajo përpos shokëve që nuk i kishte të gjallë, kurajo i jepnin edhe familja që ndiqnin lajmet përmes programit satelitor të atëhershëm që vinte nga Shqipëria, ku raportohej për përparimin e vazhdueshëm në terren nga ana e njësive të UÇK-së ku bënte pjesë edhe ai. Atdheu duhej çliruar, e lumja nënë që të linda, ishin vazhdimisht fjalët e nënës së Fishekut. Fisheku ishte i madh në vepër dhe punë, por shumë modest në shoqëri.

Atë e vizitonin në Kleçkë dhe në çdo çerdhe ku ai luftonte. Demobilizimi i UÇK-së atë nuk e zhveshi nga uniforma, me merita dhe punë qe tregoi gjatë zhvillimit të luftës ai gradohet në nënkolonel  dhe zë vendin në Trupat Mbrojtëse të Kosovës (TMK), si përgjegjës për informim në kazermë “ Adem Jashari “ , në Prishtinë. Ajo ishte foleja e tretë për atë. Fisheku i frontit tani mori gradën nënkolonel Ismail Begu. I përkushtuar në detyrën që ju besua informonte çdo here qendrat dhe përfaqësitë e të huajve mbi situatën e pasluftës në Kosovë dhe situatën e shqiptarëve në Maqedoni dhe Luginë të Preshevës, duke elaboruar në hollësi padrejtësitë që ju bëheshin shqiptarëve në këto vise të ndara padrejtësisht nga trungu i shqiptarisë. Edhe përskaj perkusioneve dhe sanksioneve të mundshme, për shkak të detyrës zyrtare që kishte, ai nuk qëndroi duarkryq e indiferent për të ndihmuar kryengritjen ushtarake në luginën e Preshevës. Me kontakte që mbante ndihmoj luftetarët dhe shtabin udhëheqës të Luginës me forma dhe mjetet që dinte vetëm ai t’i bënte. Nga ana tjetër, përgatiste dhe përpunonte informacione mbi luftën që do zhvillohej pak më vonë në trevat shqiptare në Maqedoni. Dalja në skenë e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, nënkoloneli Ismail Begu e gjeti të përgatitur edhe në aspektin psiko-fizik, edhe në atë teknik, i specializuar që më pare në vijat e frontit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Nënkoloneli Ismail Begu tani Komandant Fisheku ishte i vendosur me familjen e ngushtë në një banesë në Prishtinë, e cila ishte shumë e vogël për të pranuar, ushqyer, trajnuar të gjithë ata që vinin të rekrutohen për tu kyçur në radhët e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.

Banesë kjo që shërbente si qendër kaluese për të gjithë ata që e njihnin apo kishin dëgjuar për trimërinë e Komandant Fishekut. I ndodhur në një situate të tillë nga një anë dhe nga ana tjetër konsideratën e uniformës të trupave mbrojtëse të Kosovës, detyrohet të hyj disa herë në pushim mjekësor, kjo me qëllim për të veshur uniformën e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare e të del në malet e Sharrit atje ku zhvilloheshin luftime të ashpra në mes luftëtarëve të njësitit “Mujdin Aliu” dhe forcave policore – ushtarake të Maqedonisë. Aty ku korreshin fitoret e njëpasnjëshme dhe për të vazhduar zgjerimin e njësiteve  ushtarake, kontribut të veçantë jep edhe në formimin e Brigadës 116. Merr detyrë nga komandant Tahir Sinani për rekrutimin dhe stërvitjen e rekruteve të rinj, detyrë që e kreu me shumë sukses deri në vrasjen e komandant Tahir Sinanit dhe shokëve të tjerë. Humbja e Tahir Sinanit, Brahim Ademaj, Hyrë Emini, Naser Ademi dhe Hysë Fazliu për Fishekun dhe shokët ishte tragjedi nga njëra anë dhe nga ana tjetër motivim i fortë për të shtuar radhët ushtarake ku komandant Fisheku i ngjitet Korabit për të ngrit moral në mesin e luftëtarëve.

Fisheku me shokë ishte I gatshëm të merr dhe zbaton urdhrat nga Shtabi i Përgjithshëm që pas fshatrave të shpallura zona të lira të vazhdoj në mposhtjen e ushtrisë dhe policisë maqedonase për të zbritur në qendër të Gostivarit. Hovin ja ndërpret intervenimi i forcave të huaja së bashku me Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, atëherë kur arrihet marrëveshja e cila ndali luftën, për të zëvendësuar atë me bisedime politike. Ismail Memedi i njohur për një pjesë si Ismail Begu dhe ne mbarë trevat shqiptare si Komandant Fisheku, na la ne për amanet që rruga ende duhet vazhduar, pasi atë e mori vdekja e parakohshme për tu pre i qetë në botën e amshuar ndërsa ne tani në dy vjetorin e vdekjes së Tij përkujtojmë veprat, punën dhe sakrificën e tij të madhe kombëtare. Ai fitoj pavdekësinë me 19 Tetor 2011 dhe atë jo në Sërmnovë ku lindi po ne mbarë nënqiellin shqiptarë. Prandaj lavdi veprës së Komandat Fishekut.

Lajme të ngjashme

Back to top button