Elvana Shala: E drejta jote nuk blihet, ajo lind me ty! (Intervistë)

Respektimi i të drejtave të njeriut, në përgjithësi nuk është në nivel të kënaqshëm, sidomos në shoqërinë shqiptare. Duhet një vetëdijesim më të madh të shoqërisë për të drejtat dhe parimet të cilët atyre u takojnë. Kështu shprehet në një intervistë ekskluzive për Portalb, Elvana Shala, Ambasadore e Vullnetit të Mirë në Kosovë e emëruar nga Komisioni për të drejtat e njeriut.
“E drejta jote nuk blihet, ajo lind me ty!” përcjell mesazhin e saj Shala, sot në Ditën ndërkombëtare të së drejtave të njeriut.

Elvana Shala është një femër tejet ambicioze me përvojë dymbëdhjetëvjeçare e cila me aktivitete të ndryshme ka filluar që në vitin 2001 me pjesëmarrje aktive në organizata për të drejtat e njeriut. Ajo në rolin e Ambasadores së Vullnetit të Mirë duke e përfaqësuar Republikën e Kosovës në konferenca ndërkombëtare në gjithë botën.

Portalb: Sa kohë jeni ambasadore e Vullnetit të Mirë?
Shala:
Ka një vit e tepër që jam në këtë pozicion, jam emëruar më 12 mars të vitit 2014.

Portalb: Mund të na thoni diçka rreth jetës dhe sfidave se si keni arritur deri këtu ku jeni sot?
Shala:
Emërimi si ambasadore e Vullnetit të Mirë ka ardhur si rezultat i përvojë sime dymbëdhjetë vjeçare dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm që kam pasur me organizatat e ndryshme vendore dhe ndërkombëtare që kryesisht merreshin me çështjen e të drejtave të njeriut, aspektin humanitar dhe çështjet kulturore.

Portalb: Si e vlerësoni gjendjen e respektimit të të drejtave të njeriut, cila është çështja më shqetësuese që duhet të përmirësohet?
Shala:
Respektimi i të drejtave të njeriut, në përgjithësi mund të them që nuk është në një nivel të kënaqshëm, sidomos në shoqërinë shqiptare. Nëse flasim për përmirësime specifike, mendoj që në të gjitha fushat duhet të ketë përmirësim nga pak, sepse të gjithë kategoritë e njerëzve dhe të gjitha fushat nga pak janë të anashkaluar dhe ka ngecje sa i përket të drejtave të tyre. Ajo që do të theksoja është se duhet një vetëdijesim më të madh të shoqërisë për të drejtat dhe parimet të cilët atyre u takojnë. Na duhen më shumë kampanja vetëdijesuese dhe konferenca. Na duhet më shumë këmbëngulësi të asaj që na takon dhe na dëshmohet në deklaratat e ndryshme ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

Elvana Shala, ambasadore e Vullnetit të Mirë në intervistë për Portalb
Elvana Shala, ambasadore e Vullnetit të Mirë në intervistë për Portalb

Portalb: Si e vlerësoni nivelin e respektimit të të drejtave të njeriut në hapsirën shqiptare duke përfshirë edhe Maqedoninë?
Shala:
E thash dhe më herët, në shoqërinë shqiptare deri diku jemi të barabartë sa i përket respektimit të të drejtave të njeriut. Flas vetëm për popullatën shqiptare të Ballkanit, nuk jemi në nivel të kënaqshëm të respektimit të të drejtave të njeriut, si në Shqipëri, Kosovë, por gjithashtu edhe në Maqedoni, është një lloj vije e drejtë dhe e njëjtë paralele në këtë aspekt. Them që na duhet më shumë punë, vullnet dhe vetëdijesim sa i përket të drejtës sonë, në mënyrë që atë ta mbrojmë dhe ta respektojmë ligjërisht siç është edhe e thënë me kushtetuta si dhe konventa ndërkombëtare.

Portalb: Cili është mesazhi juaj, kundrejt atyre që e kanë për detyrë t’i mbrojnë të drejtat e njeriut?

Shala: Unë e kam një moto të cilën vazhdimisht e përcjellë, “E drejta jote nuk blihet, ajo lind, prandaj mbroje atë”. Sa i përket, spektrit politik apo institucioneve përkatëse, them që duhet të jenë jo të politizuara, sepse fatkeqësisht, politika e ka përfshirë secilin sektor, si në Shqipëri, Kosovë, gjithashtu dhe në Maqedoni. Sfera e të drejtave të njeriut dhe institucioneve që merren pikërisht me këtë punë, duhet të jetë komplet jashtë politikës, përndryshe aty ku ka ndikim politika aty s’mund të jemi të barabartë, sepse në ato raste anon pushteti ose opozita, kështu që nëse duam e drejta jonë të respektohet dhe mesazhi të përçohet në vendin e duhur, duhet të jemi totalisht jashtë politikës. /Portalb.mk

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button